DW: Sinjale alarmi nga Ballkani, duhen përgatitje për skenarin më të keq!

Jo rrallë ndodh që të rindizen vatrat e konflikteve në Ballkan. Tani shkas po bëhet një rezolutë e planifikuar në OKB për gjenocidin në Srebrenicë. Politikanët serbë shohin aty një damkosje kolektive të popullit serb. Simbolika ishte kërcënuese: Milorad Dodik, lideri i serbëve boshnjakë dhe president i Republikës Srpska, pjesës së dominuar nga serbët në Bosnje-Hercegovinë bëri të ditur në prani të përfaqësuesve nga qeveria e Beogradit, se ai “nuk sheh ndonjë kuptim të mbetet në Bosnje”. Dodik më tej: “Ne do të vazhdojmë më tej të pavarur”. E si gjithmonë ai ripërsëriti, se nuk ka pasur gjenocid në Srebrenicë.

Por tani Ruanda dhe Gjermania kanë sjellë në Kombet e Bashkuara një rezolutë, mbi bazën e së cilës Asambleja e Përgjithshme e OKB do ta deklarojë 11 korrikun, si ditën e përkujtimit ndërkombëtar të gjenocidit në Srebrenicë. Përfaqëues nga Serbia dhe Republika Srpska janë ngritur ashpër kundër rezolutës, që ata e shohin si damkosje kolektive të popullit serb.

Irrituese janë po ashtu spekulimet verbale të Milorad Dodik, se si duhet të veprojë me 150.000 të kthyerit boshnjakë, pra ata myslimanë boshnjakë që u dëbuan gjatë luftës në vitet 1992-1995 dhe pas luftës u rikthyen. Pasi ai deklaroi, se boshnjakët që janë më shumë se 50% e territorit në Bosnje-Hercegovinë duhet të jetojnë në 25% të territorit, ai paralajmëroi, se në rast të pranimit të rezolutës, opcioni i vetëm është ndarja paqësore nga Bosnje-Hercegovina. “Njerëzit në Republikën Srpska janë të zemëruar dhe nuk do të pranojnë të jetojnë me myslimanët boshnjakë.”

Mohimi i gjenocidit në repertorin e deklaratave të Dodikut

Deklarata e 25%-it e Dodikut të kujton në mënyrë shumë të qartë retorikën që u parapriu spastrimeve etnike në Bosnje-Hercegovinë. Krimet sistematike të planifikuara kishin si qëllim të eliminonin në pjesë të mëdha të Bosnje-Hercegovinës gjithçka jo serbe. Këto krime u dokumentuan nga Tribunali i Hagës, Gjykata Ndërkombëtare për Krime Lufte dhe në rastin e Srebrenicës u cilësuan si gjenocid. Megjithëse ligji boshnjak e parasheh dënimin në rast të mohimit të gjenocidit, Dodik pikërisht këtë mohim e ka futur në repertorin e zakonshëm të deklaratave të tij. Në një tubim masiv së fundmi në mes të prillit në Banja Luka, në prani të mijëra serbëve dhe kryetares së parlamentit serb, Ana Brnabiq, ai përsëriti sërish mohimin e gjenocidit në Srebrenicë. Fjalimin e tij ai e mbylli me fjalët. “Rroftë Rusia.”

Pak më vonë Dodik udhëtoi në Rusi me mikun e partisë së tij, Nenad Neshiq, ministër Sigurie në Bosnje-Hercegovinë. Ndër të tjera, Dodik u takua edhe me sekretarin e Këshillit të Sigurisë në Rusi, Nikolai Patrushev. Dodik dhe Neshiq postuan një foto nga avioni i tyre, ku tregojnë përshëndetjen me tre gishta, simbol i etno-nacionalizmit serb. Në televizionin serb, Neshiq tha së fundmi, “Vendi im është Serbia. Vendi im është Republika Srpska. Pikë.”. Ajo që të bie në sy është se megjithë shkeljet e Marrëveshjes së Paqes të Dejtonit në vitin 1995, roja i kësaj marrëveshjeje, Përfaqësuesi i Lartë për Bosnje-Hercegovinën, Christian Schmidt hesht. Në vjeshtën e vitit 2023, Schmidt e kërcënoi Dodik me “pasoja serioze”, nëse ai vazhdon të shkallëzojë gjendjen. E megjithëse Dodik vazhdon me përpjekjet separatiste, Schmidt vazhdon të heshtë.

Duhen përgatitje për skenarin më të keq

Trupat e EUFOR-it të vendosura nga BE e që sigurojnë Marrëveshjen e Dejtonit, do duhet të shtojnë patrullimet në zonat e të kthyerve, gjë që kërkon edhe rritjen e numrit të tyre. 150.000 viktimat potenciale, të cilat ish-Përfaqësuesi i Lartë për Bosnje-Hercegovinën, Lordi Paddy Ashdown që ka ndërruar jetë, i quajti “më të shkretët e të shkretëve”, u është dashur të kalojnë njëherë nëpër ferr. Kërcënimi nga Dodi dhe ritraumatizimi është iminent. Perëndimi duhet të veprojë në mënyrë preventive, për shembull përmes zonave të mbrojtura të siguruara ushtarakisht, aksione të mundshme evakuiimi dhe zona të ndaluara fluturimi. Kjo ndoshta tingëllon joreale, por të mbijetuarit e masakrave serbe në pranverën e vitit 1992 jetojnë në një klimë të frikës. Kjo mbetet reale, për sa kohë që shoqatat e çetnikëve serbë çdo vit e kujtojnë me festime masakrën e tyre në Vishegrad dhe mbeten të pandëshkuar, për sa kohë që bandat nacionaliste të çiklistëve “Ujqit e natës” kalojnë nëpër Republikën Srpska dhe presidenti i RS mohon gjenocidin.

Potencial për shkallëzim

Për kryekomandantin e trupave të NATO-s për Europën (SACEUR), gjeneralin Christopher Cavoli, gjendja është serioze. Para kongresit amerikan më 17 prill ai tha: “Situata në Ballkanin Perëndimor është ashpërsuar. Tensionet etnike në Bosnje e kanë potencialin të shkallëzohen. Republika Srpska, sipas Cavoli, përpiqet të “dobësojë autoritetin shtetëror” dhe marrëdhënien me BE dhe NATO-n dhe njëkohësisht të mbajë lidhje të forta me Rusinë. Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg tha, se është “thellësisht i shqetësuar” për vazhdimin e “politikës secesioniste” në Bosnje-Hercegovinë.

Politikanja serbe, Ana Brnabic i quajti deklaratat e Cavolit “një mesazh shqetësues” dhe kërcënoi, se “do të krijohej një rast precedent, nëse ata kalojnë rezolutën e Srebrenicës në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së. Ata do të hapin kutinë e Pandorës. T’i ruajë zoti pastaj me atë që do të shkaktojnë pas kësaj.”. Tani perëndimi i lirë duhet të marrë masa për të shpëtuar një nga projektet më të suksesshme të paqes që nga Plani Marshall. NATO tregoi në mënyrë impresionuese në Kosovë në shtatorin e vitit 2023, se brenda pak ditësh mund të shuajë një konflikt që rindizet. Perëndimi duhet të veprojë kështu në mënyrë preventive për të shpëtuar Bosnje-Hercegovinën./DW/

Play Video
Romani “Doktoresha” për nga përshkrimi i Shqipërisë në diktaturë përngjan shumë me Afganistanin e Khaled Hosseinin, përmes veprës “Gjuetari i balonave”: Si Afganistani nën sundimin e talebanëve … Mund ta gjeni në te gjitha libraritë Për porosi kontaktoni në numrin: 067 53 32 700
Scroll to Top