Durrësi nën ujë pas përmbytjeve një ditë më parë. 40 hektarë tokë bujqësore nën ujë, shumë banesa të përmbytura, ndërkohë që janë evakuuar 10 familje.
Rrebeshet e shiu kanë shkaktuar përmbytje në Durrës, duke krijuar problematika të shumta në disa zona të qytetit. 300 banesa dhe ambiente publike janë nën ujë, ndërsa burime bëjnë me dije se 10 familje janë evakuuar nga banesat të cilat u pushtuan nga uji që vërshoi pas reshjeve të dendura të shiut një ditë më parë, 29 janar.
Familjet e evakuuara janë vendosur te Kavalishenca. Ministria e Mbrojtjes në raportin e përditësuar për situiatën në Durrës, njofton se rreth 40 hektarë tokë bujqësore ndodhet nën ujë.
Ndërkohë që banorët janë angazhuar vetë në nxjerrjen e ujit nga banesat. Dje u bë i mundur shpëtimi i 4 fëmijëve që për shkak të ujit ishin bllokuar në furgonin e shkollës.
Problematika më të theksuara kanë rrugët dytësore në zonën e Durrësit të Ri, Shkozetit, Gjykata e Apelit, pjesërisht Zona e Plazhit, Sukth, Katundi i Ri. Ka një rritje të lehtë të niveleve të lumenjve Ishëm dhe Erzen, por pa rrezik për daljen nga shtrati.
Edhe IEVP Durrës ndodhet nën pushtetin e ujit. Pompa që është vënë në dispozicion për të tërhequr ujin dhe derdhur në pusetë, nuk po funksionon.