Ish-presidenti Ilir Meta ka reaguar pas vendimit të Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë, e cila vendosi ta lërë në burg.
Në reagimin e tij, Meta e cilësoi vendimin si “drejtësi me regji”, duke lënë të kuptohet se, sipas tij, procesi nuk ka qenë i pavarur. Ai paralajmëroi gjithashtu një përballje në seancën e ardhshme gjyqësore, ndërsa u bëri thirrje mediave të jenë të pranishme për të ndjekur zhvillimet.
Reagimi
Asnjë suprizë nga Gjykata e Lanës! Pasi e zvarriti çështjen prej 6 muajsh, përtej çdo afati të arsyeshëm, me qëllim, vonimin në rrugën tonë drejt Strasburgut, sot tregoi edhe njëherë se kjo Gjykata nuk di të zhgënjejë.
Vlerësimin tim për të e kam thënë që më 2 Mars 2020 kur këta betoheshin te Lana.
Por se paku të kenë fare pak dinjitet dhe të mos vonojnë zbardhjen e vendimit të tyre.
Edhe njëherë i ftoj të gjithë mediat dhe gazetarët, më 27 prill, në seancën e parë të gjykimit në themel, dhe në të gjitha seancat e tjera, ku do të jem ballë për ballë me bandën, që më rrëmbeu në mënyrë banditeske dhe ku do të çmontojmë këtë proces farsë të neveritshëm të drejtësisë me regji.