Tre skuadra në play-off, por me statusin e kokës së serisë në këtë fazë të Champions. Një e eliminuar, Napoli, në fund të një rruge të trazuar dhe të mbushur me dëmtime. Mund të shkonte më mirë (do të duhej pak fat në përplasjet), por mund të shkonte edhe më keq për mënyrën si u zhvillua rrugëtimi në një moment të caktuar. Fakt është se shkurti do t’i sjellë Interit, Juventusit dhe Atalantës dy ndeshje që nuk duhen nënvlerësuar: vajtja të martën 17 dhe të mërkurën 18, kthimi të martën 24 dhe të mërkurën 25.
INTER ME MAKTHIN MOU
Për një përqindje të mirë të kësaj faze kampionati, Interi e pati në dorë mundësinë për të hyrë në tetëshen e parë. Tani shkon në short me pak dridhje, për arsye shumë të sakta.
Bodo Glimt ***
Benfica *****
Po të mos ishte Mourinho në pankinën e portugezëve, gjithçka do të ishte më e balancuar. Por ai është. Dhe si është. E kapi kualifikimin si vetëm ai di ta bëjë, me gol të portierit në kohën shtesë. E rregulloi një situatë që dukej e kompromentuar. Pra vështirësia maksimale, sepse është ai. Ndërsa Bodo do të jetë në atë fazë të sezonit kur vjen nga një mungesë aktiviteti garues, nuk do të jetë në maksimumin e mundësive. Në rast kualifikimi, më pas vjen faza e vështirë:
Sporting ****
Manchester City *****
S’ka nevojë të shpjegohet arsyeja e pesë yjeve për Cityn, që ka një nga trajnerët më përcaktues dhe një organik të nivelit absolut. Sporting, mes skuadrave portugeze, ka treguar se është më e përshtatshme për Europën, edhe pse në kampionat është e dyta dhe shumë e shkëputur nga kryesuesi.
JUVE MES OSIMHEN DHE STANKOVIC
Ndryshe nga Interi, Juventusi e siguroi kualifikimin në pjesën e dytë të fazës së kampionatit, me 11 pikët e Spallettit që rregulluan nisjen e pasigurt të Tudor. Tani dy kundërshtare krejtësisht të ndryshme mund të bëhen rivale në play-off:
Bruges ***
Galatasaray ****
Tradicionalisht, Bruges është një skuadër që mbështetet shumë te kolektivi dhe te të rinjtë interesantë, i fundit prej tyre, Aleksandar Stankovic, ka ardhur nga Interi për të treguar mrekulli. Rreziqet e Galatasarayt janë kryesisht dy: njëri është në fushë dhe quhet Victor Osimhen, tjetri është gjithçka përreth dhe është stadiumi-vullkan, që ka qenë gjithmonë faktor i rëndësishëm. Raundi i mundshëm pasues bëhet edhe më i vështirë:
Liverpool *****
Tottenham ****
“Reds” janë të fortë edhe kur nuk kalojnë periudhat e tyre më të mira (janë të gjashtët në kampionat), kanë lojtarë që bëjnë diferencën gjithmonë dhe në Champions e mbyllën fazën e parë në vendin e tretë. Tottenham në Premier është edhe më poshtë, por në Europë kanë marrë katër fitore në pesë ndeshjet e fundit me vendin e katërt final.
PENDESAT E ATALANTËS
Dy humbje në dy ndeshjet e fundit e dënuan Atalantën me një rrugëtim më të vështirë nga sa mund të ishte, edhe pse mes dy kundërshtareve të mundshme në play-off ka një diferencë të caktuar:
Borussia Dortmund ****
Olympiacos ***
Gjermanët humbën ndaj Interit në ndeshjen e fundit, por duhet pranuar se paraqitja e zikaltërve ishte e jashtëzakonshme. Në shtëpinë e tyre janë gjithmonë shumë të vështirë për t’u përballur. Net pak më të qeta e presin Palladinon në rast shorti me grekët, që kanë një stadium të nxehtë, por një potencial teknik më të ulët. Por më pas vijnë telashet:
Arsenal *****
Bayern *****
Anglezët të parët në fazën e grupeve, Bayerni i dyti. “Gunners” me pikë të plota, bavarezët me 7 fitore dhe 1 humbje. Janë misione në kufijtë e të pamundurës, por Atalanta ka qenë në gjendje të fitojë një Europa League ndaj një skuadre si Bayer Leverkusen, që atë sezon e humbi vetëm atë finale. Tani fjala i takon fushës.