Prezencës së OSBE-së në Shqipëri nuk i është kërkuar ekspertizë për ndryshimet në Kodin Penal. Sipas OSBE-së, Kodi Penal është një ligj themelor që meriton kohën e duhur për konsultim.
OSBE-ja sqaron se ndonëse nuk ka marrë pjesë në përgatitjen e këtij drafti, tashmë është duke e shqyrtuar atë dhe shpreh gatishmërinë për të dhënë rekomandime konkrete.
“Prezenca e OSBE-së në Shqipëri thekson rëndësinë e Kodit Penal si një ligj themelor, që meriton kohë të mjaftueshme dhe një proces konsultimi të plotë. Megjithëse nuk kemi qenë të përfshirë në hartimin e ndryshimeve të propozuara, po shqyrtojmë draftin e disponueshëm dhe jemi të gatshëm t’u ofrojmë rekomandime konkrete qeverisë dhe parlamentit të ri, në përputhje me mandatin tonë për të mbështetur institucionet demokratike dhe shtetin e së drejtës në Shqipëri”, – thuhet në reagim e OSBE-së. Ministria e Drejtësisë prezantoi një draft të Kodit Penal më 25 korrik.
Kundër draftit janë shprehur edhe krerë të institucioneve të drejtësisë, si edhe shoqata të gazetarëve. Pas kreut të Gjykatës së Lartë, Sadushit, ishte prokurori i përgjithshëm, Olsian Çela, i cili tha se drafti rrezikon të minojë drejtësinë. Qëndrimin e Olsian Çelës e mbështeti edhe kreu i Prokurorisë së Posaçme, Altin Dumani. Ai pohoi se nuk e kanë në dorë draftin e ri, ndërkohë që pasi ta studiojnë, do të kenë një qëndrim mi të. Dumani shprehu rezerva, duke ngritur pyetjen nëse ka vërtet nevojë për një Kod të ri Penal, apo mjaftojnë përmirësimet në Kodin ekzistues.
Ndërkohë, lideri i opozitës, Sali Berisha, është shprehur se Kodi i ri Penal dyfishon dhunën ligjore mbi qytetarët. Megjithatë, drafti ka vetëm 10 ditë në proces konsultimi publik dhe pritet rrugë e gjatë deri në miratim.