Doué dhe mbrëmja e mallkuar: këput ligamentin e kryqëzuar dhe katër hajdutë sulmojnë vilën e tij

Fati është treguar i pamëshirshëm me një saktësi të frikshme, duke përmbledhur brenda pak orësh gjithçka që një futbollist do të dëshironte të shmangte gjatë gjithë karrierës së tij, për të shkretin Désiré Doué: i dëmtuar dhe njëkohësisht shënjestër e hajdutëve. Gjithçka ndodhi të shtunën, më 21 nëntor 2026, me talentin 21-vjeçar të PSG-së, një goditje e dyfishtë që ndryshon ekuilibrat në futbollin europian pikërisht në prag të sfidës së Champions League kundër Romës, e programuar të mërkurën, më 25 nëntor, në “Parc des Princes”.

Për teknikun Luis Enrique, humbja është shumë e rëndë: në vetëm 15 paraqitje sezonale në të gjitha kompeticionet, francezi kishte regjistruar tashmë 6 gola dhe 4 asiste, duke shkëlqyer sidomos në Europë me 3 gola dhe 2 pasime vendimtare në tri ndeshjet e para kundër Manchester City, Barcelonës dhe Villarreal. Ai kryesonte gjithashtu renditjen e Ligue 1 për goditjet e tentuar për çdo 90 minuta.

Doué, dëmtimi i parë i rëndë: emergjencë në sulmin e PSG-së
Pas dëmtimit të Khvicha Kvaratskhelias në tetor, trajneri spanjoll humbet kështu lojtarin e tij më të qëndrueshëm dhe të paparashikueshëm në momentin më delikat të vjeshtës. E megjithatë, karriera e Doué nuk kishte njohur kurrë më parë një kalvar të tillë. Deri në këtë fundjavë, të vetmet pengesa kishin qenë shqetësimet muskulore në pulpë dhe në bicepsin femoral gjatë vjeshtës së vitit 2025, apo disa probleme me kyçin e këmbës në kohën kur luante te Rennes.

Por në tapetin e gjelbër të “Allianz Riviera”, kundër Nice, pasi kishte shënuar golin e përkohshëm të avantazhit për parizienët, në minutën e 44-t një përdredhje e panatyrshme e gjurit të djathtë i dha fund gjithçkaje. Pasi u largua me barelë dhe mes lotësh, ai mori diagnozën e këputjes së ligamentit të kryqëzuar anterior, vetëm dhjetë ditë pas dëmtimit dentar që pësoi në “San Siro”, gjatë ndeshjes Itali-Francë në Ligën e Kombeve.

Tentativa e dështuar e hajdutëve: siguria e PSG-së në banesën e Doué
Ndërsa sulmuesi po kthehej i dëmtuar nga Bregu i Kaltër, një tjetër problem po shfaqej në rezidencën e tij në Orgeval, në zonën e Yvelines. Doué nuk kishte qenë kurrë më parë shënjestër e keqbërësve, por rreth orës 21:15, një person së bashku me dy bashkëpunëtorë kishte kryer një vëzhgim fotografik përpara pronës, duke përgatitur ndërhyrjen që ndodhi në orën 22:30, kur katër persona kapërcyen portën e kopshtit.

Tentativën për grabitje e pengoi partnerja e futbollistit, e cila kishte qëndruar në banesë. Pasi vuri re praninë e personave të paftuar, ajo arriti t’i largonte përmes pjesës së pasme të shtëpisë, përpara se ata të mund të thyenin dritaret dhe dyert.

I kthyer gjatë natës me paterica, mes patrullave të Xhandarmërisë, Doué nuk ka dhënë asnjë informacion lidhur me hetimin e Prokurorisë së Versajës, ndërsa PSG-ja ka ndërhyrë menjëherë për të marrë masa, duke vendosur të kontribuojë në forcimin e sigurisë private përreth vilës.

Më pas, ai përcolli përmes rrjeteve sociale edhe mendimet e tij për dëmtimin: “Është një moment i vështirë. Ky dëmtim më trishton. Por jam i bindur se do të rikthehem edhe më i fortë. Një tjetër sfidë, një tjetër mundësi për t’u përmirësuar”. Një mesazh krenarie brenda një nate absurde, në të cilën jeta jashtë fushës i paraqiti Doué-s një faturë të rëndë, krahas lajmit të dhimbshëm të marrë në fushën e lojës.

“Nuset e Vilës Blu” – Roman nga Flamur Buçpapaj

Romani i ri i autorit Flamur Buçpapaj, botuar nga Nacional, sjell një udhëtim mes dashurisë, dhimbjes dhe kujtesës – aty ku e kaluara dhe e tashmja takohen në një vilë blu plot sekrete. Gjej librin në libraritë kryesore dhe mëso pse “Vila Blu” nuk është thjesht një vend… por një simbol i shpirtit shqiptar. Për porosi ose kontakt: 067 533 2700
Scroll to Top