Igli Tare është paraqitur sërish në SPAK, ku ka qëndruar për rreth tre orë, në kuadër të hetimeve që lidhen me dosjen e ish-zv.kryeministres Belinda Balluku. Ish-futbollisti po hetohet për pastrim parash, për shkak të një vile në Dhërmi që, sipas SPAK, është regjistruar në mënyrë fiktive në emrin e tij për të fshehur pronarin e vërtetë.
Bëhet fjalë për një vilë 103 metra katrorë në rezidencën “White Rocks”, në bregdetin e Jonit, e cila tashmë është vendosur nën sekuestro me urdhër të SPAK. Dyshimi i prokurorëve është se pasuria i përkiste në të vërtetë Ballukut dhe se ajo ishte përfituar si ryshfet në këmbim të dy tenderëve me vlerë mbi 1 milion euro, të zhvilluar në periudhën kur ajo drejtonte “Albcontrol”.
Sipas SPAK, tenderët për rikonstruksionin e godinës së “Albcontrol” iu dhanë në shkelje të ligjit kompanisë së ndërtimit “Eurocol”, ndërsa në këmbim Balluku dyshohet se përfitoi vilën në Dhërmi. Për këtë episod, ndaj ish-zv.kryeministres është shtuar akuza e korrupsionit, ndërsa për pastrim parash, përveç Igli Tares, po hetohet edhe biznesmeni Pandeli Carapuli, i cili dyshohet se është personi që ka dhënë vilën si ryshfet.
Për të fshehur lidhjen e Ballukut me pronën, sipas prokurorëve, është përdorur një skemë ku përfshihen Igli Tare dhe Joana Bushi, në atë kohë vartëse e Ballukut në “Albcontrol” dhe shefe e kabinetit të saj.
SPAK pretendon se Tare u bë pronar fiktiv i vilës përmes një kontrate të lidhur më 5 dhjetor 2018. Më pas, prona rezulton se i është dhënë me qira Joana Bushit, ndërsa sipas hetimit, personi që e përdorte faktikisht vilën ishte Belinda Balluku.