Borussia Dortmund arrin në fazën e 1/8-ave të finaleve të Champions League. Verdhezinjtë, që hynë në këtë ndeshje në Gjermani me avantazhin e fitores 3-0 në Portugali, barazuan 0-0 dhe siguruan kualifikimin, ndërsa Sporting Lisbona u eliminua. Skuadra e Kovac pati mundësinë të fitonte edhe ndeshjen e kthimit, por humbi një penallti në minutën e 59′ me Guirassy dhe pa një gol të anuluar të Emre Can (73’) për pozicion jashtë loje. Tani, ata do të përballen me njërën mes Lille dhe Aston Villa.
Kualifikimi ishte thuajse i sigurt pas fitores 3-0 në Lisbonë, por Dortmund e zyrtarizoi kalimin në 1/8-at e Champions me barazimin 0-0 në shtëpi kundër Sporting. Gjermanët nuk rrezikuan pothuajse asgjë, madje patën edhe mundësi për ta fituar ndeshjen e kthimit. Rastet filluan pak para gjysmë ore lojë, kur Sabitzer iu afrua shumë golit të 1-0, por Rui Silva bëri një pritje vendimtare. Pak më vonë, portugezët humbën edhe Simoes për shkak të një dëmtimi, duke e zëvendësuar me Debast. Sabitzer ishte sërish i rrezikshëm në minutat shtesë të pjesës së parë, por goditja e tij shkoi mbi kuadrat.
Në pjesën e dytë, Dortmund shpërdoroi disa raste të pastra. Pas dy pritjeve të tjera të Rui Silva ndaj Adeyemi dhe Svensson, portieri portugez shkaktoi faull mbi ish-sulmuesin e Salzburgut në zonë. Guirassy mori përsipër ekzekutimin e penalltisë në minutën e 59′, por nuk arriti të shënojë. Rezultati mbeti 0-0 edhe pasi goli i Emre Can u anulua në minutën e 73′ për pozicion jashtë loje. Pavarësisht gjithçkaje, Dortmund siguroi kalimin në fazën tjetër dhe tani do të përballet me Lille ose Aston Villa për një vend në çerekfinale. Sportingu, nga ana tjetër, iu afrua fitores në ndeshjen e kthimit me një goditje të Harder që shkoi shumë pranë portës, por në fund u eliminua nga turneu.