Federata e Futbollit njofton të gjithë tifozët se është hapur procesi i aplikimit për rezervimin e biletave për ndeshjen e Shqipërisë kundër Serbisë, e vlefshme për kualifikueset e Kampionatit Botëror 2026. Do të ketë një fazë të shprehjes së interesimit, ndërsa përzgjedhja automatike do të nxjerrë përfituesit, duke qenë se parashikohet të ketë kërkesa për bileta përtej kapacitetit të stadiumit Arena Kombëtare.
Të gjithë të interesuarit mund të aplikojnë përmes platformës ebileta.al, e menaxhuar nga kompania t-ticket, duke ndjekur të njëjtën procedurë si për blerjet e mëparshme online.
Si të aplikoni?
Regjistrohuni në platformën ebileta.al duke përdorur adresën tuaj të e-mailit.
Zgjidhni tribunën e stadiumit.
Plotësoni të dhënat personale (emër, mbiemër, e-mail) në formularin përkatës.
Përfundoni me sukses aplikimin, për t’u bërë pjesë e procesit të përzgjedhjes përmes shortit.
Pas aplikimit, do të merrni një e-mail konfirmimi automatik që vërteton përfundimin me sukses të procesit.
Afatet dhe procesi i përzgjedhjes
Afati i aplikimeve do të zgjasë deri më 30 maj.
Pas mbylljes së aplikimeve, do të zhvillohet një përzgjedhje e rastësishme dhe automatike, përmes shortit elektronik.
Blerja dhe marrja e biletave
Të përzgjedhurit do të marrin një link unik për të kryer pagesën online, gjatë periudhës 30 maj – 2 qershor 2025.
Pas konfirmimit të pagesës, biletat elektronike do të dërgohen automatikisht në adresën e regjistruar të e-mailit.
FSHF thekson se bileta kundër Serbisë mund të transferohet vetëm një herë. Çdo transferim i mëtejshëm do ta bëjë biletën të pavlefshme.