Egnatia po përjeton një eksperiencë historike në fazën e ligës së Conference League, ndërsa statistikat e tri përballjeve të para zbulojnë një skuadër që ka ditur të rivalizojë me kundërshtarët, të mbajë topin dhe të krijojë raste. Por shifrat evidentojnë edhe një problem të qartë: mungesën e konkretizimit në momentet vendimtare.
Egnatia 1-1 Midtjylland
Goditjet në kuadrat 5-5
Goditjet në portë 4-6
Zotërimi i topit 52%-48%
Goditjet e këndit 2-6
Egnatia nuk është një skuadër që është mjaftuar vetëm me mbrojtjen në Europë, madje është munduar të tregojë të njëjtën fytyrë si në kampionat, natyrisht me ndryshime evidente. Në tri ndeshjet me Midtjylland, Aarhus dhe Universitatea Craiova, rrogozhinasit kanë regjistruar 16 goditje në kuadrat, po aq sa kundërshtarët, me një mesatare prej 5.3 goditje në 90 minuta. Një bilanc që dëshmon konkurrueshmëri, por që merr një tjetër kuptim kur analizohet prodhimi ofensiv.
Aarhus 1-1 Egnatia
Goditjet në kuadrat 2-7
Goditjet në portë 6-5
Zotërimi i topit 34%-66%
Goditjet e këndit 5-4
Në goditjet drejt portës, Egnatia ka 15 tentativa, kundrejt 17 të kundërshtarëve, me një mesatare prej 5 goditjesh për ndeshje. Edhe zotërimi i topit flet në favor të skuadrës shqiptare, me 54 për qind mesatarisht. Madje, në transfertën ndaj Aarhus, kjo shifër arriti në 66 për qind, ndërsa Egnatia regjistroi edhe 7 goditje në kuadrat, përballë vetëm 2 të danezëve. Por gjithë ky prodhim nuk është përkthyer në gola dhe këtu qendron edhe dallimi nga Abissnet Superiore ku rrogozhinasit janë një makineri goli.
Universitatea Craiova 2-0 Egnatia
Goditjet në kuadrat 9-4
Goditjet në portë 7-4
Zotërimi i topit 55%-45%
Goditjet e këndit 5-6
Në Europë, vetëm dy realizime në tre takime, me një mesatare prej 0.6 golash për ndeshje, tregojnë se finalizimi mbetet pika ku skuadra e Nevil Dedes duhet të përmirësohet. Edhe 12 goditjet nga këndi, me një mesatare prej 4 për ndeshje, dëshmojnë se Egnatia ka ditur të krijojë presion. Bilanci statistikor është një tregues inkurajues për rrogozhinasit, por edhe një sinjal i qartë: Egnatia arrin të prodhojë lojë, të godasë dhe të rivalizojë. Tani i duhet të bëjë hapin më të rëndësishëm, ta kthejë këtë potencial në gola dhe pikë europiane.
Totali
Golat 2 në 3 ndeshje (mesatarja 0.6 për ndeshje)
Goditjet në kuadrat 16-16 (mesatarja 5.3 për ndeshje)
Goditjet në portë 17-15 (mesatarja 5 për ndeshje)
Zotërimi i topit (54% mesatarja për ndeshje)
Goditjet e këndit 12 (mesatarja 4 për ndeshje)