Dolly Parton, ka njoftuar se do të shtyjë rezidencën e saj në Las Vegas për shkak të disa sfidave shëndetësore.
79-vjeçarja bëri njoftimin përmes një postimi në Instagram të dielën, duke sqaruar se duhet t’i nënshtrohet disa procedurave mjekësore sipas udhëzimeve të mjekëve të saj.
“Dua që fansat dhe publiku ta dëgjojnë direkt nga unë: fatkeqësisht, do të duhet të shtyj koncertet e ardhshme në Las Vegas. Siç e dini, kam pasur disa sfida shëndetësore dhe mjekët më kanë thënë që duhet të bëj disa procedura,” shkroi ajo.
Artistja theksoi se nuk mund të përgatis një show në nivelin që fansat e saj e meritojnë:
“Dua të jem në formën time më të mirë për ju, sepse ju paguani para për të më parë në skenë.”
Parton konfirmoi se do të vazhdojë të punojë në projektet e saj nga Nashville, por i duhet pak kohë për t’u rikuperuar. Në fund të mesazhit të saj ajo theksoi:
“Mos u shqetësoni, nuk po tërhiqem nga muzika. Zoti nuk më ka thënë ende të ndalem — por mendoj se më thotë të ngadalësoj pak tani, që të jem gati për aventurat e ardhshme me ju.”
Postimi i saj përfshinte edhe datat e reja të shfaqjeve, që fillimisht ishin planifikuar të nisnun në dhjetor në The Colosseum at Caesars Palace, Las Vegas.
Ky nuk është rasti i parë që Parton shtyn angazhimet. Në fillim të shtatorit, ajo u tërhoq nga një paraqitje në parkun e saj tematik “Dollywood” për shkak të problemeve me gurët në veshka. Në një video-mesazh të regjistruar, Parton u shpreh:
“Rezultoi se kisha një infeksion, dhe mjeku më tha: ‘Nuk është momenti i duhur për të udhëtuar. Ke nevojë për disa ditë pushim.’”
Gjithashtu, në korrik, këngëtarja deklaroi se do të bëjë një pauzë nga muzika pas vdekjes së bashkëshortit të saj, Carl Dean, me të cilin ishte e martuar për gati 60 vjet. Ai ndërroi jetë në mars të këtij viti.
“Nuk mundem tani. Ka shumë gjëra të tjera që duhet t’i përballoj, dhe nuk mund t’ia lejoj vetes të bëhem emocionale,” tha ajo gjatë një interviste në emisionin “Khloé in Wonder Land”.