Shtëpia e Bardhë publikoi, të hënën më 29 shtator, një plan me njëzet pika të propozuar nga presidenti amerikan, Donald Trump, për kryeministrin izraelit, Benjamin Netanyahou, gjatë vizitës së këtij të fundit në Uashington, për t’i dhënë fund luftës në territorin palestinez.
Plani parashikon një Gaza të çarmatosur, të drejtuar përkohësisht nga një komitet palestinez teknokratik nën mbikëqyrje ndërkombëtare, me Donald Trump në krye të “Këshillit të Paqes”. Ai përfshin një plan rindërtimi ekonomik, hapje të kontrolluar ndaj Rafahut dhe një forcë stabilizimi shumëkombëshe. Izraeli do të tërhiqet gradualisht, por duke ruajtur një “perimetër sigurie” derisa të eliminohen kërcënimet. Në perspektivë, plani hap mundësinë për një shtet palestinez, por me shumë kushte dhe pa adresuar kolonitë izraelite. Lapsi.al po boton 20 pikat së bashku me komentet shpjeguese që ka bërë e përditshmja Le Monde, për sejcilën prej tyre…
Pika 1: “Gaza do të jetë një zonë e çrrënjosur nga radikalizmi dhe e çliruar nga terrorizmi, që nuk do të përbëjë më kërcënim për fqinjët e saj.”
Qëllimi është që Hamas të mos ruajë më qeverisjen de facto të enklavës. Kjo pikë është thelbësore për të qetësuar izraelitët, të cilët ende jetojnë me traumën e masakrës së 7 tetorit. Përveç mizorive të asaj dite, banorët në periferi të Gazës kanë vuajtur për njëzet vjet nga sulmet me raketa gjithnjë e më të sofistikuara.
Pika 2: “Rripi i Gazës do të riorganizohet në interes të popullsisë së enklavës, e cila ka vuajtur tashmë mjaftueshëm.”
Fjala “vuajtje” është një nënvleftësim për palestinezët e Gazës. Më shumë se 65.000 prej tyre janë vrarë, rreth 170.000 janë plagosur, sipas të dhënave të ministrisë së shëndetësisë së Gazës (nën kontrollin e Hamasit), të cilat vlerësohen si të besueshme nga organizatat ndërkombëtare. Rreth 92% e banesave janë shkatërruar ose dëmtuar, sipas Zyrës së OKB-së për Koordinimin e Çështjeve Humanitare (OCHA). OKB shpalli gjendjen e urisë në gusht për 500.000 banorë të Gazas. Kjo krizë u krijua tërësisht nga kufizimet drastike të Izraelit. Këto veprime kanë bërë që shumë studiues, juristë dhe organizata të të drejtave të njeriut, si izraelite ashtu edhe ndërkombëtare, të konkludojnë se në Gaza është duke u kryer një gjenocid.
Pika 3: “Nëse të dyja palët [Izraeli dhe Hamasi] e pranojnë këtë plan, lufta do të përfundojë menjëherë. Forcat izraelite do të tërhiqen deri në një vijë të rënë dakord, për të përgatitur lirimin e pengjeve. Ndërkohë, të gjitha operacionet ushtarake, përfshirë bombardimet ajrore dhe artilerike, do të ndalohen, dhe vijat e frontit do të ngelen të ngrira derisa të krijohen kushtet për një tërheqje graduale.”
Hamasi gjithmonë ka kërkuar që ushtria izraelite të tërhiqet plotësisht nga enklava. Aktualisht, forcat izraelite kontrollojnë 82% të 360 km² të Gazës, duke i detyruar 2,1 milionë banorë të grumbullohen në një shirit të vogël bregdetar. Sipas një harte të publikuar nga Shtëpia e Bardhë, Izraeli fillimisht do të bëjë një tërheqje të kufizuar sapo pengjet të lirohen. Do të tërhiqet më tej kur një “forcë ndërkombëtare stabilizimi” (ISF), me konture ende të paqarta, të marrë kontrollin e zonës së çliruar, në rastin hipotetik që Hamasi dorëzon armët. Më pas, Izraeli do të kryejë një tërheqje të tretë, në një afat të pacaktuar, por do të mbajë nën kontroll të gjitha kufijtë e enklavës, përfshirë atë me Egjiptin. Ky është një përfitim i madh për shtetin hebre. Nga ana tjetër, mungesa e një kalendari të qartë për këto tërheqje pritet të ngjallë rezerva apo kundërshtime nga Hamasi.
Pika 4: “Brenda 72 orëve pas pranimit publik të kësaj marrëveshjeje nga Izraeli, të gjithë pengjet, të gjallë apo të vdekur, do të lirohen.”
Nga 251 personat e rrëmbyer më 7 tetor, Hamasi ende mban 47, prej të cilëve rreth njëzet besohet të jenë gjallë, sipas vlerësimeve të ushtrisë izraelite. Dy armëpushimet e mëparshme, në nëntor 2023 dhe janar 2024, parashikonin lirime graduale të pengjeve, të cilat Hamasi i kishte shndërruar në skena makabre. Këtë herë, “plani Trump” parashikon një lirimin e menjëhershëm të të gjithë pengjeve, të gjallë apo të vdekur. Kthimi i tyre në shtëpi në këmbim të ndalimit të luftës është një kërkesë e vazhdueshme e shumicës së izraelitëve.
Pika 5: “Pasi të gjithë pengjet të jenë liruar, Izraeli do të lirojë 250 të burgosur me dënim të përjetshëm dhe 1.700 palestinezë të arrestuar pas 7 tetorit 2023, përfshirë të gjitha gratë dhe fëmijët e ndaluar në këtë kontekst. Për çdo peng izraelit që do t’i kthehen trupat, Izraeli do të lirojë trupat e 15 gazasve të vrarë.”
Kjo është një nga pikat e rralla relativisht të qarta të marrëveshjes. Hamasi, që e ka bërë lirimin e të burgosurve palestinezë një nga prioritetet e tij, mund ta konsiderojë këtë një arritje. Megjithatë, fakti që plani nuk përcakton një afat për këto lirime, mund ta bëjë Hamasin të tregojë kujdes. Nga ana izraelite, kjo pikë rrezikon të shkaktojë përçarje brenda koalicionit qeveritar, madje edhe rënien e tij. Në janar, një pjesë e të burgosurve të liruar u dëbuan drejt Egjiptit, përpara se të zgjedhin ekzilin mes Tunizisë, Algjerisë dhe Turqisë.
Pika 6: “Pasi të gjithë pengjet të jenë liruar, anëtarët e Hamasit që angazhohen për të bashkëjetuar paqësisht dhe për t’u çarmatosur do të përfitojnë nga një amnisti. Ata që duan të largohen nga Gaza do të kenë të drejtën e kalimit të sigurt drejt vendeve të destinacionit.”
Është pak e mundshme që kjo masë të pranohet. Një pjesë e madhe e drejtuesve politikë dhe ushtarakë të Hamasit në Gazë janë vrarë nga bombardimet izraelite. Nga të mbijetuarit, disa të plagosur mund ta përdorin këtë mundësi për t’u trajtuar jashtë vendit. Por edhe nëse e pranon planin, Hamasi do të kërkojë të mbajë një pjesë të strukturave të tij në vend. Edhe pse është shprehur i gatshëm të heqë dorë nga qeverisja e enklavës, Hamasi nuk ka ndërmend të largohet nga terreni.
Pika 7: “Menjëherë pas pranimit të kësaj marrëveshjeje, një ndihmë e plotë [humanitare] do të dërgohet menjëherë në Rripin e Gazës. Sasitë do të jenë minimalisht në përputhje me ato të përfshira në marrëveshjen e 19 janarit 2025 për ndihmën humanitare, duke përfshirë rehabilitimin e infrastrukturës (ujë, energji elektrike, kanalizime), rehabilitimin e spitaleve dhe furrave të bukës, si dhe dërgimin e pajisjeve të nevojshme për pastrimin e rrënojave dhe hapjen e rrugëve.”
Pika 8: “Hyrja e ndihmave dhe shpërndarja e tyre në Gaza do të kryhet pa ndërhyrjen e dy palëve, përmes Kombeve të Bashkuara dhe agjencive të tyre, si dhe përmes Gjysmëhënës së Kuqe dhe institucioneve të tjera ndërkombëtare që nuk lidhen me njërën apo tjetrën palë. Hapja e kalimit të Rafahut [në jug të enklavës] në të dy drejtimet do t’i nënshtrohet të njëjtit mekanizëm të vendosur në kuadër të marrëveshjes së 19 janarit 2025.”
Kombet e Bashkuara, të kritikuara nga Donald Trump dhe të anashkaluara nga Izraeli, kthehen në qendër të lojës për shpërndarjen e ndihmave humanitare. Ky është një fitim i rëndësishëm për palestinezët e Gazës. Referenca ndaj “institucioneve të tjera ndërkombëtare” duhet t’i lejojë gjithashtu GHF-së të mbetet në terren. Fati i pikës kufitare të Rafahut mbetet i paqartë.
Pika 9: “Gaza do të qeveriset përmes autoritetit tranzitor të përkohshëm të një komiteti palestinez teknokratik dhe apolitik (…), nën mbikëqyrjen dhe kontrollin e një organi të ri ndërkombëtar tranzicioni, ‘Këshilli i paqes’, i drejtuar dhe kryesuar nga Donald Trump, me anëtarë dhe krerë shtetesh që do të shpallen, përfshirë ish-kryeministrin [britanik] Tony Blair. Ky organ do të përcaktojë kuadrin dhe do të menaxhojë financimin e rindërtimit të Gazës deri në përfundimin e programit të reformave të Autoritetit Palestinez.”
Ky është pikërisht elementi që i lejoi Benjamin Netanyahut të mburrej se Gaza nuk do të qeverisej as nga Hamasi, as nga Autoriteti Palestinez. Ende nuk dihet se cilat personalitete palestineze do të pranojnë të marrin pjesë në këtë komitet.
Pika 10: “Një plan zhvillimi ekonomik i [Donald] Trump për të rindërtuar dhe gjallëruar Gazën duke mbledhur një panel ekspertësh që kanë kontribuar në lindjen e disa qyteteve moderne të lulëzuara të Lindjes së Mesme (…).”
Donald Trump, i entuziazmuar pas suksesit të arritjes së armëpushimit mes Hamasit dhe Izraelit në janar, kishte deklaruar në shkurt se Shtetet e Bashkuara duhet të marrin kontrollin e Rripit të Gazës dhe të ndërtojnë aty një “Rivierë të Lindjes së Mesme”. Një projekt i tillë nuk është më i parashikuar. Rindërtimi i Gazës pritet të jetë një detyrë gjigante: do të duhen më shumë se njëzet vjet për të hequr 50 milionë ton mbeturina. Dhëndri i Donald Trump, zhvilluesi i pasurive të patundshme Jared Kushner, afër Arabisë Saudite, mund të luajë një rol aktiv në këtë rindërtim.
Pika 11: “Një zonë ekonomike speciale do të krijohet me tarifa doganore preferenciale dhe norma hyrjeje që do të negociohen me vendet pjesëmarrëse.”
Pika 12: “Askush nuk do të detyrohet të largohet nga Gaza, dhe ata që dëshirojnë të largohen do të jenë të lirë ta bëjnë dhe të kthehen. Ne do t’i inkurajojmë njerëzit të qëndrojnë dhe do t’u ofrojmë mundësinë për të ndërtuar një Gaza më të mirë.”
Kjo është një pikë thelbësore, duke pasur parasysh që qeveria izraelite disa herë ka lënë të kuptohet për mundësinë e një spastrim etnik të enklavës, qoftë masivisht duke i dëbuar palestinezët në Sinai, qoftë në mënyrë individuale duke inkurajuar largimet e ashtuquajtura “vullnetare”. Kjo mundësi, e refuzuar me vendosmëri nga shumica e bashkësisë ndërkombëtare dhe në radhë të parë nga vendet arabe, duket se është përjashtuar përfundimisht.
Pika 13: “Hamasi dhe fraksionet e tjera angazhohen të mos luajnë asnjë rol në qeverisjen e Gazës, as drejtpërdrejt, as tërthorazi, as në ndonjë formë tjetër. Të gjitha infrastrukturat ushtarake, terroriste dhe ofensive, përfshirë tunelet dhe uzinat e prodhimit të armëve, do të shkatërrohen dhe nuk do të rindërtohen. Do të ketë një proces çarmatosjeje të Gazës nën mbikëqyrjen e kontrollorëve të pavarur (…). Gaza e Re do t’i kushtohet plotësisht ndërtimit të një ekonomie të begatë dhe bashkëjetesës paqësore me fqinjët e saj.”
Vizion i Trump për Gazën është ai i një zone të lirë, të çarmatosur dhe madje të depolitizuar – modeli i një “Singapori mesdhetar”, i ëndërruar që në vitet 1990 nga izraelitët. Por Izraeli do të duhet të pranojë të heqë bllokadën e imponuar që nga 2007 dhe marrjen e kontrollit të Gazës nga Hamasi, e cila pengon hyrjen e shumë materialeve dhe pajisjeve.
Pika 14: “Një garanci do të jepet nga partnerë rajonalë për t’u siguruar që Hamasi dhe fraksionet respektojnë detyrimet e tyre dhe që Gaza e Re të mos përbëjë një kërcënim për fqinjët apo banorët e saj.”
Pika 15: “Shtetet e Bashkuara do të punojnë me partnerë arabë dhe ndërkombëtarë për të zhvilluar një forcë ndërkombëtare stabilizimi (ISF) të përkohshme që do të vendoset menjëherë në enklavë.”
Ende nuk dihet përbërja e kësaj force. Disa vende, nga Franca deri në Indonezi, kishin ofruar ndihmën e tyre. Para së gjithash, Izraeli, i lidhur fort me kontrollin e enklavës, duhet të pranojë ta lejojë atë të veprojë. Emiratet e Bashkuara Arabe mund të luajnë një rol të rëndësishëm.
Pika 16:
“Izraeli nuk do ta pushtojë dhe as nuk do ta aneksojë Gazën. Meqë ISF (forca ndërkombëtare e stabilizimit) vendos kontrollin dhe stabilitetin, ushtria izraelite do të tërhiqet mbi bazën e normave, etapave dhe afateve të lidhura me çarmatimin, të cilat do të bien dakord mes ushtrisë izraelite, ISF-së, garantuesve dhe Shteteve të Bashkuara, me qëllimin e një Gaze të sigurt që nuk përbën më kërcënim për Izraelin, Egjiptin apo qytetarët e saj. Konkretisht, ushtria izraelite do t’ia dorëzojë gradualisht territorin e Gazës që ajo mban nën kontroll ISF-së, sipas një marrëveshjeje që do të arrihet me autoritetin tranzitor, deri në tërheqjen e plotë nga enklava, me përjashtim të një pranie brenda një ‘perimetri sigurie’ që do të mbetet deri sa Rripi i Gazës të jetë ‘korrektësisht i siguruar’ kundër çdo ringjalljeje të kërcënimit terrorist.”
Ky pozicion është i fortë, por lë një hapësirë të madhe interpretimi. Kur do ta vlerësojë Izraeli se Gaza është “korrektësisht e siguruar”? Cila do të jetë madhësia e këtij “perimetri sigurie”?
Pika 17: “Në rast se Hamasi vonon ose refuzon këtë propozim, elementët e mësipërm, përfshirë edhe operacionin e madh të ndihmave, do të zbatohen në zonat e çliruara nga terrorizmi që ushtria izraelite do t’ia dorëzojë ISF-së.”
Nëse një pjesë e Hamasit nuk dorëzohet, ai do të kufizohet në një zonë ku Izraeli do të jetë i autorizuar të vazhdojë luftën.
Pika 18: “Do të vendoset një proces dialogu ndërfetar mbi bazën e vlerave të tolerancës dhe bashkëjetesës paqësore, për të tentuar të ndryshohen mentalitetet e palestinezëve dhe izraelitëve duke vënë theksin mbi përfitimet që mund të sjellë paqja.”
Ky formulim, i paqartë, sugjeron se Hamasi shihet nga administrata amerikane thjesht si një lëvizje radikale fetare dhe jo si një fraksion islamo-nacionalist.
Pika 19: “Ndërsa rindërtimi i Gazës përparon dhe kur programi i reformës së Autoritetit Palestinez të zbatohet me besnikëri, mund të krijohen kushtet për të hapur një rrugë të besueshme drejt vetëvendosjes dhe krijimit të një shteti palestinez, të cilin ne e njohim si aspiratë të popullit palestinez.”
Përmendja e një shteti palestinez ishte thelbësore që vendet arabe ta pranonin planin. Por përdorimi i kushtores, mungesa e çdo reference ndaj Bregut Perëndimor të pushtuar dhe fakti që kjo përmendet vetëm në fund të tekstit tregojnë se kjo nuk është një prioritet për amerikanët.
Pika 20: “Shtetet e Bashkuara do të vendosin një dialog midis Izraelit dhe palestinezëve për të rënë dakord mbi një horizont politik për një bashkëjetesë paqësore dhe të begatë.”
Ky element hap mundësinë për një rifillim të procesit të paqes izraelito-palestineze. Por nuk vë në dyshim kolonizimin dhe pushtimin izraelit, që përbëjnë pengesat kryesore për një zgjidhje paqeje me dy shtete.