DOGMATIZMI METODOLOGJIK I KRITIKËS LETARE TË REALIZMIT SOCIALIST, LLOJET E KRITIKËS DHE TË CENSURËS NË REGJIMIN KOMUNIST NË SHQIPËRI
Falët kyçe: kritikë e realizmit socialist, kritikë ideologjike, dogmatizëm, dekadentizëm, hermetizëm, partishmëri proletare, censurë, estetika marksiste, brezi liberal poetik i viteve 1970
Nga Dr. Mujë Buçpapaj, Tiranë, Shqipëri
Në fokus të këtij studimi është dogmatizmi metodologjik i kritikës letare të realizmit socialist në Shqipëri, por edhe prirjet për një kritikë më të çliruar nga kornizat kanonike, ideologjike kryesisht në vitet 1970-1973, të shprehur nga një numër i kufizuar studiuesish dhe teoricienësh të letërsisë gjatë debatit të organizuar në gazetën letrare tw Lidhjes sw Shkrimtarwve dhe tw Artistwve tw Shqipwrisw, “Drita” mbi “Heroin pozitiv” si dhe rrugët dhe format e ushtrimit të censurës shtetërore ndaj letërsisë.
Studimi fillon me një prezantim të shkurtër të historisë së kritikës letrare shqiptare të shekullit të njëzetë për të krijuar një koncept rreth zhvillimit të saj deri në mesin e viteve 1970, kur letërsia dhe kritika mbetën përsëri në pozicione të kundërta dhe përgjithësisht mospajtuese. Kritika humbi parimet e saj estetike duke u bërë gjithnjë dhe më skematike, ideologjike dhe shabllone.
Në vijim kam shqyrtuar orientimet ideologjike të kësaj kritike, kufizimet dhe problemet më të mëdha të saj, parë në kontekstin historik dhe social kur ajo është zhvilluar.
Kam shqyrtuar se si ndërhyrjet jashtëletrare kanë deformuar kritikën letrare dhe artistike të kësaj kohe, duke e çuar atë deri dështim këtë kritikë, apo të përafërt me slloganet politike të kohës. Jam përpjekur të provoj hipotezën e kësaj teme se si kritika e ngarkuar politikisht dhe e orientuar prej saj, e ananshkaloi brezin letrar të quajtur “brezi liberal i viteve 1970”, e injoroi dhe akoma më keq e përjashtoi atë nga vendi që meritonte në letërsinë tonë, duke u bërë pjesë e sistemit politik të ndëshkimit të tyre, për shkak të përshtatjes prej tyre të prirjeve moderniste në poezi aq të anatemuara në atë kohë. Disidenca estetike apo praktika e refuzimit estetik, që përshtati ky brez në krijimtarinë e vet të kësaj periudhe, shërbeu për paragjykimin më të skajshëm politik të tij nga kritika e të gjitha llojeve që aplikonte sistemi.
Mënyra e kërkimit dhe hulumtimit tonë është mbështetur mbi një bazë teorike të gjërë, e cila në ka ndihmuar për të provuar hipotezën time dhe qëllimin e studimit.
Jam bazuar në librin e njohur të autorëve të famshëm amerikanë Welek, Renne and Warren, Austin-Theory of Literature, New York, 1956. (Botimi në shqip: Rene Welek dhe Austin Warren “Teoria e letërsisë” (Tiranë, 2015). Në librin e Wellek, Rene “Concepts of criticism”. New Haven 1963. Në studimin e Gerard Genette: “Diskursi i ri i rrëfimi”, Tiranë, 2014. Nga Hans George Gadamar ka konsultuar librin “Historia e filozofisë”, Plejad, Tiranë, 2008. Nga G. Lanson: “Esais de methode, de critique et d’histoire litteraire”, Hachete, Paris, 1965.
Po kështu në librin e Tzvetan Todorov “Letërsia në rrezik”, Prishtinë, 2007. Në librin e “Eliot, Thomas Stearns-Selected Essays, London, 1960. (Botimi në shqip: Tmos Elitot: “Ese të zgjedhura” Prishtinë, 1982).
Në librin e Northrop Fraj “Anatomia e kritikës”, Prishtinë, 1990. Në librin e Ann Jeferson dhe David Roby “Teoria letrare moderne. Një paraqitje krahasuese”, Tiranë, 2016. Në librin e Jean Paul Sartre “Ekzistencializmi është humanizëm”, Tiranë, 1997.
Në librin e Ibrahim Rugovës “Teoria letrare. Tekste të zgjedhura”, (Prishtinë, 2013). Në librin e Agim Vincës “Metoda letrare” (Prishtinë, 2016). Në librin e Floresha Dados “Teoria e veprës letrare. Poetika” (Tiranë, 2006). Në librin e Agron Tufës “Letërsia dhe procesi letrar në shekullin XX” (Tiranë, 2018). Në librin “Teoria e letërsisë” nga Zejnullah Rrahmani, Prishtinë, 1990. Në librin e Arshi Pipës “Kritika” (Tiranë, 2006). Në libri i Umberto Ecos “Për letërsinë”. Në librin “Letërsi e painterpretuar” e Floresha Dado (Tiranë, 2010). Në librin e Gjekë Marinajt: “Protonizmi: Nga teoria në praktikë, vizione letrare”, Nacional, Tiranë, 2010. Në librin e Aristotelit “Poetika”. Në librin e Ibrahim Rugovës “Kahe dhe premisa të kritikës letrare shqiptare 1504-1983”, Prishtinë, 1996 etj.
Për të patur një rezultat sa më të qartë dhe kompleks të punës time, më është dashur të përdor disa metoda studimi. Kam përdorur metodën krahasuese, metodën e analizës së teksteve të kritikave, të studimeve dhe të recencave, teksteve përmbledhëse të natyrave të ndryshme të botuara në shtypin e kohës, si dhe metodën përshkruese të tyre. Meqenëse kritika letrare e realizmit socialist dhe posaçërisht ajo e viteve 1970 dhe në vijim është refleks i një realiteti social-historik dhe i ndërhyrjeve nga faktorë të jashtëm, jo letrarë, kam përdorur metodën historiko-letrare.
Në përpjekje për të parë kritikën zyrtare të realizmit socialist në Tiranë, të krahasuar me prirjet e saj në Kosovë dhe vendet e tjera të ish-bllokut komunist, po kaq edhe me tendecat e kritikës bashkëkohore perëndimore, kemi përdorur edhe metodën komperative.
Kam sjellë shembuj se si kjo kritikë zyrtare injoroi formën e veprës letrare, duke i dhënë prioritet përmbajtjes socialiste dhe natyrës politike të veprës, si dhe vigjilenës absurde për të mbrojtur këtë letërsi nga “ndikimet borgjeze e revizioniste”.
Kjo lloji kritike e pashembullt, e shfaqur edhe në trajtën e kritikës të të gjithë popullit ndaj letërsisë, ishte kuptuar si një ndihmë, që i jepej partisë për të mbajtur të pastër artin proletar, pra si një lloj virtyti qytetar për të spiunuar çdo gjë të dyshimtë për moralin e kohës tek partia dhe institucionet.
Kam sjellë shembuj se si “lufta” e kritikës dhe kritikëve të ideologjizuar zhvilluan pa kompromis, për të mbrojtur letërsinë dhe sidomos poezinë nga këto “shfaqje të huaja” dhe “ndikime dekadente”, posaçërisht pas plenumit të katërt të KQ të PPSH-së, qershor 1973, por edhe rezistencën e poetëve kryesorë të këtij brezi që i shkuan deri në fund prirjeve të tyre reformuese, duke u përballur me guxim me pasojat drastike të kësaj kritike ndëshkuese.
Në këtë kapitull provohet se në tërësi kritika zyrtare në mënyrë konseguente dhe të pandryshuar deri në shpërbërjen e sistemit komunist më 1990, ishte e bazuar tek teoria tradicionale marksiste “që kryesisht bazohet në tekstet e reduktuara të klasikëve dhe në teorinë e artit të realizmit ekstrem socialist si metodë e shpallur e shkrimit letrar.”[1]
Kjo teori sipas Ibrahim Rugovës e sheh artin në shërbim të idelogjisë së deklaruar zyrtare dhe në disfavor të tij, duke adoptuar terma të tilla, si: tipizimi, heroi pozitiv, lufta e klasave, konflikti, etj.
Në këtë kuadër kapitulli sjell fakte se ndërsa kritika në shumë vende ish-komuniste përfshirë edhe Bashkimin Sovjetik, pas vitit 1960, bëri përpjekje të tejkalojë kritikën tradicionale marksiste, dhe nisur një përvojë të re të njohur si “Kritika moderne marksiste.”[2]
Katër vjet pas vdekjes së Stalinit, pasardhësi i tij Nikita Hrushovi pati denoncuar politikat kulturore të paraardhësit të tij si “mizore dhe të pakuptimta.”
Ai pati deklaruar se “Nuk mund ta rregullojmë zhvillimin e letërsisë, artit dhe kulturës me shkop, ose duke e urdhëruar. Ai e quante të gabuar politikën e kufzimit të artit dhe letërsisë.”
“Nëse përpiqesh t’i kontrollosh shumë fort artistët, nuk do të ketë përplasje mendimesh, rrjedhimisht asnjë kritikë, dhe rrjedhimisht asnjë e vërtetë. Do të ketë vetëm një stereotip të zymtë, të mërzitshëm dhe të padobishëm”, pati deklarua ai.[3]
Siç dihet kjo periudhë e socializmit me fytyrë njerëzore të Hrushovit pati sjellë frymëmarrje më të madhe në letërsinë sovjektike. Tani artistëve dhe shkrimtarëve u lejohej një liri më e madhe, duke kapërcyer kufizimet absurde të formës dhe përmbajtjes së doktrinës staliniste. Gjithnjë e më shumë u lejuan kontaktet me jashtë Rusisë, ndërsa letërsia, arti dhe muzika e huaj u toleruan gjithnjë e më shumë brenda vetë BRSS-së.
Në vëzhgimin e studiuesve, ironikisht, kjo periudhë përkoi me kulmin e Luftës së Ftohtë, por relaksimi relativ i politikave kulturore të Hrushovit u refletua nga botimi i romanit “Një ditë në jetën e Ivan Denisovich” (1962) i Alexander Solzhenitsyn. Romani i shkrimtarit të famshëm rus dhe fitues më vonë i Çmimit Nobel, rrëfen jetën në një kamp pune stalinist, i cili nuk do të botohej kurrë nga censura sovjetike, para vitit 1953.
Siç dihet kritika shqiptare e shpalli këtë politikë të re revizioniste dhe si një largim nga teoria marksiste-leniniste. Ata i qëndruan besnik, siç thotë studiuesja Floresha Dado “një sistemi teorik të plotë i konfirmuar në kongresin e shkrimtarëve sovjetikë, të vitit 1934, miratuar nga Stalini, N. Buharini, M. Gorki dhe A. Zhdanovi. Metoda bazë e letërsisë dhe e kritikës së realizmit socialist kërkonte vërtetësi në pasqyrimin e realitetit dhe në zhvillimin e tij revolucionar.”[4]
Dado më tej shkruan se në këtë kongres, në statutin e tij, ishin përcaktuar katër rregulla që letërsia dhe arti të njiheshin si: “Realizëm socialist”. Dhe këto ishin: 1. Arti dhe letërsia duhet t’i përkiste proletariatit dhe duhej të kuptohej prej tij. 2. Duhej të krijonte skena tipike të jetës të përditshme të popullit. 3. Duhet të kishte karakter partiak, do me thënë të mbështeste synimet e shtetit dhe të partisë.”[5]
Këto rregulla strikte, që në kongres u paraqitën nga zëdhënësi kulturor i Stalinit, dogmatiku Zhdanov, në fjalën e tij përpara shkrimtarëv rusë më 1934, shprehnin kuptimin e letërsisë nga pikëpamja ideologjike bolshevike e kryesuar nga Stalini, dhe do të bëheshin shumë shpejt pjesë praktike e letërsisë socialiste në BS dhe më vonë në botë pas Luftës së Dytë Botërore.
Në kapitull theksojmë se kritika zyrtare shqiptare nuk e përshtati atë që quhej “kritika moderne marksiste”, e cila sheh “raporte dialektike mes kritikës letrare dhe marksizmit”, duke përjashtuar debatin e filluar në shtypin letrar të Tiranës rreth “heroit pozitiv” apo përpjekje të druajtura për të tejkaluar klishetë dogmatike të kritikës qoftë për letërsinë ashtu edhe për artet figurative, teatrin, etj, zhvilluar gjatë viteve 1970 dhe gjysmës së parë të vitit1973.
Politika zyrtare nuk lejoi as gjatë kësaj periudhe të ashtuquajtur liberale, të botoheshin mendimet e teoricienëve marksistë të moderuar, pasi ishte pozicionuar kundër çdo prirje që dilte përtej përkufizmit të realizmit socialist sovjetik të vitit 1934.
Në materialet e nxjerra nga arkivi dhe shtypi i kohës rezulton se ndërsa në Shqipëri bëhej thirrje që kritika të thellohej në materialet e klasikëve të marksizëm – leninizmit, një pjesë e teoricienëve dhe kritikëve në lindje si hungarezi i famshëm G. Llukashi (Gyorgy Lucacs,1885-1970) e vinin në dyshim edhe vetë ekzistencën e estetikës marksiste nëse ekziston apo jo.[6]
Të këtij qëndrimi kritik ndaj estetikës marksiste, staliniste janë “edhe kritikë të tjerë marksistë jo dogmatikë (kryesisht perëndimorë, sidomos ata të brezit të tretë: Adorno, Lëfevri, Benjamini, Markuzeja, Sartri, Altuseri, Lysjen Goldmani, por edhe vetë Lukaci të cilët angazhohen kundër interpretimit të thjeshtëzuar të tezës së Marksit, mbi bazën dhe superstukturën.”[7]
Tek dyshuesit ndaj kritikës marksiste dhe vetë realizmit socialist hyjnë edhe teoricienët dhe studiuesit shqiptarë Rexhep Qosja dhe Ibrahim Rugova, të cilët me kohë dalluan kufizimet dhe pasojat, që mund të kishte në jetën e letërsisë përshtatja e këtyre parimeve shterpë dhe dogmatike.
Ky kapitull trajton konceptet kryesore në lidhje me mënyrën se si është formuar trajtimi zyrtar i poezisë së këtij brezi. Për shembull, se si kritika e orientuar ideologjikisht implikon në mënyrë shabllone rënien e këtij grupi poetësh nën ndikimin e letërsisë formaliste dekadente, madje deri edhe forma të ekzistencializmit të Sartrit, si në rastin e poetit Xhevahir Spahiu, apo të ndonjë poeti tjetër, sido që Sartri ishte i panjohur në vend.
Një nënkapitull i veçantë është marrë më anatemimin e kësaj poezie të quajtur moderniste. Është vjelë dhe lexuar gjithë arkiva e kohës, përfshirë Plenumi IV të KQ të PPSH-së, i cili goditi fenomenet poetike, si: hermetizmin, ekzistencializmin, ndonjë figurë ekstreme poetike dhe poetët kryesorë të këtij brezi. Po kështu është vjelur dhe lexuar gjithë kritika e shtypit letrar që i përket kësaj periudhe, përfshirë edhe përpjekjet e pakta të disa kritikëve që inkurajuan këta poetë, por edhe një art dhe letërsi ndryshe, si dhe krahun dogmatik të kritikës zyrtare të stigmatizuar nga shkrimtarët qysh atëherë “si polici e letërsisë”, e cila do ta fitonte betejën pas plenumit të katërt të Partisë Komuniste.
Në këtë periudhë të gjykimit të letërsisë dhe arteve për shkarje nga realizmi socialist apo rënie nën ndikimin borgjez rezulton të jetë bërë nga profesionistë të fushës, nga redaktorë, gazetarë, korespondentë vullnetarë, nga amatorë të natyrës punëtorëve, ushtarakëve, pensionistëve, nga anonimë të zellshëm dhe më e çuditshmja nga kolektiva të ndryshëm të cilët paralajmërojnë partinë për shkrimtarë dhe poetë të ndryshëm për tradhëti ndaj realizmit socialist dhe kauzës komuniste.
Kritika rezulton të jetë bërë edhe nga vetë zyrat partiake, nga zyrat e pushtetit etj, për llogari të shefave të tyre dhe të vetë partisë me qëllim informimi dhe reagimi adekuat.
Për hartimin e këtij kapitulli kam mbledhur një lëndë të bollshme dhe mjaft interesante, jo shumë të njohur sidomos për brezin e sotshëm, që mund të jetë objekt i një studimi të gjërë dhe të veçantë prej meje, besoj në një kohë të afërt.
Fillimet e mendimit kritik letrar studiuesit shqiptar i gjejnë qysh në letërsinë humaniste. Gjatë periudhës së Rilindjes Kombëtare mendimmi kritik për letërsinë profiliziohet më qartë. Mbi 40 gazeta që botoheshin jashtë vendit, sidomos gjatë fazës së fundit të Rilindjes, i lënë hapësirë letërsisë dhe mendimit për të. Prej fillimit revista “Fiamuri i Arbërit” i De Radës dhe “La nazzione albanese”, informonin për letërsinë e kohës, librat e rinj të autorëve arbëreshë dhe të mëmëdheut, si Naimi, Çajupi etj.
Më e famshmja “Albania” e Konicës e botuar me 1896, e cili qysh në numrin e parë do të kishte një rubrikë për letërsinë, siç thotë Konica “një kritikë të lidhur të veprave letrare që dalin në gjuhën t’onë.”
Konicia do ta mbajë këtë rubrikë edhe në fillim të shekullit të njezetë. Mund të përmendet kritika e Konicës botuar në Albania për vëllimin e Çajupit “Baba Tomorri” dhe një tjetër për librin e Asdrenit “Rreze dielli” dhe më vonë për një njoftim për botimin e këngës së parë të “Lahutës së Malcis” të Fishtës më 1905 etj.
Mithat Frashëri (i njohur me pseudonimin Lumo Skëndo) është shkrimtar, përkthyes, analist dhe kritik i njohur letrar. Ai botoi me 1901 monografinë e parë për Naim Frashërin.
Kritikat e tij letrare dhe kulturore i botoi në rubrikën “Duke kënduar një libër” të gazetës e tij “Lirija”(Selanik 1908), e cila doli vetëm në 108 numra. Më vonë ai botoi edhe tek “Hylli i Dritës”.
Në fillim të shekullit të njezetë, siç dihet, nuk pati kohë të përshtatshme as për kritikën letrare dhe as për vetë letërsinë. Por me formimin e shtetit të pavarur shqiptar në vitet 1920-1930 kritika letrare pati një zhvillim të konsiderueshëm. Të gjitha botimet e kohës i kushtuan vëmendje kritikës letrare. Revista “Hylli i dritës”, “Minerva”, “Përpjekja shqiptare”, “Shkëndija”, “Kritika”etj, i lanë hapësirë kritikës së recencave dhe mendimit kritik në tërësi.
Revista letrare “Shkëndija” (Tiranë, 1940-1943), e përmuajshme e drejtuar nga Ernest Koliqi, konsiderohet si më e madhja dhe më e kompletuara gjatë periudhës së luftës.
Revista “Kritika” (Tiranë, mars-qershor 1944” e botuar nga Arshi Pipa, ishte e dedikuar ndaj kritikës letrare.
Gjatë periudhës së luftës u botuan gjithashtu edhe një numër periodikësh jetëshkurtër, si: e përmuajshmja “Fryma” (Tiranë, janar 1944), e botuar nga Myzafer Pipa dhe përdyjavshmja “Revista letrare” e themeluar nga Mitrush Kuteli, Vedat Kokona, Nexhat Hakiu dhe Sterio Spase.
Në vitet 1920-1930 kemi parathëniet e përkthimeve të njohura të Fan Nolit, ndërsa shkruajnë kritikë, autorë të njohur të kohës, si: Krist Maloku, Mitrush Kulteli, Eqrem Çabej, Vangjel Koça, Dhimitër Shuteriqi dhe gjatë Luftës së Dytë Arshi Pipa, por edhe Stefan Shundi, Kudret Kokoshi. Po kështu merren me kritikë në këtë kohë edhe vetë shkrimtarët si Gjergj Fishta, Ernest Koliqi, Kosta Cipo, Z. Kodra, Jolanda Kodra, Mitrush Kulteli, Petro Marko, Nonda Bulka, por edhe A. Xhuvani etj.
Në vitet 1940 debutojnë edhe kritikë të rinj, si: Nexhat Hakiu, Pashko Gjeci, Vedat Kokona, Sterio Spase, etj.
Me rëndësi për historinë e studimeve shqiptare është vepra e arbëreshit Gaetano Petrota “Populli gjuha dhe letërsia shqiptare, botuar me 1931, si dhe studimi i Eqrem Çabejt “Për gjenezën e literaturës shqipe”, (Tiranë, 1939).
Me vendosjen e regjimit komunist, më 1945 themelohet Lidhja e Shkrimtarëve të Shqipërisë. Botohet revista letrare “Bota e re” (1945), që emërtohet më vonë “Literatura jonë” dhe në vijim “Nëntori”. Rol të rëndësishëm për zhvillimin e kritikës së kohës luan edhe gazeta “Drita” e lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve në Tiranë.
Në vitet e para të pasçlirimit shkruajnë kritikë letrare shkrimtarë dhe kritikë, që kishin debutuar në vitet 1930, si: Dhimitër Shuteriqi, Andrea Varfi, Aleks Çaçi.
Disa studiues që kishin bërë emër qysh para Luftës vijojnë të shkruajnë dhe botojnë, si: Ziaudin Kodra e Dhimitër Shuteriqi, si dhe të tjerë si: Vehbi Bala, Mahir Domi, Koço Bihiku, Drago Siliqi etj.
Në Kosovë shkrimet e para me kritikë letrare të karakterit informues apo si recenca do të botoheshin me themelimin e gazetës “Rilindja” dhe në vazhdim gjatë viteve 1950 kryesisht nga kritikë, si: Vehap Shita, Hasan Mekuli, Hilmi Agani, Gani Bobi, Ramiz Kelmendi etj.
Në kohën që letërsia shqiptare po funksiononte në trajtën e ishullizimit dhe të mungesës së komunikimit, ashtu e ndarë, në Shqipëri, në Kosovë dhe në Diasporë, dhe po kështu edhe kritika letrare, revista “Shêjzat” e Ernest Koliqit (1903-1975), e themeluar në Romë më 1957 ishte e vetmja që shikonte këtë letërsi të njësuar nga pikëpamja nacionale.
Koliqi për 18 vjet e drejtoi këtë revistë letrare dhe kulturore, me përkushtim, duke informuar në faqet e saj për prurjet e reja letrare nga të gjitha hapësirat shqiptare, duke botuar vazhdimisht kritika profesionale për këtë letërsi, bazuar në kritere estetike, letrare. Përveç Koliqit aty shkruan edhe Camaj, Pipa dhe eksponentë të tjerë të letërsisë si dhe kritikës në Diasporë.
“Shêjzat shërbyen si tribunë dhe dritare informimi mbi aktivitetet shkencore albanologjike në botë. Ato regjistruen në kroniken e tyne edhe ngjarje shoqnore që në të ardhmen do të vlejnë sadopak, si dokumentacion historik e kultural për nji periudhë rreth njizet vjeçare”.[8]
Në vitet 1960 në Tiranë hyjnë një grup kritikësh të rinj, si: Dalan Shapllo, Kundret Velça, Razi Brahimi, vijuar nga Jorgo Bulo, Alfred Uçi, Gjergj Zheji, Josif Papagjoni, Trim Gjata, Miho Gjini, Adriatik Kallulli, Fisnik Sina, Mexhit Prençi etj.
Në vitet 1960 kritika letrare në Kosovë arrin një pjekuri më të madhe. Tani shfaqet jo vetëm kritika e parathënieve apo recencave, por edhe krika e mirfilltë letrare, përfshirë dhe dy monografi. Kështu Rexhep Qosja shkruan një monografi për Naim Frashërin, Ali Aliu merret me kritikën publicistike, ndërsa Ali Jasiqi boton një monografi për Josip Rrelen.
Ndërsa, në vitin 1959 botohet në Tiranë teksti universitar “Historia e Letërsisë Shqipe” I, II nga fillimet deri në fund të Rilindjes si dhe më 1983 botohet “Historia e Letërsisë Shqiptare që nga fillimet deri tek Lufta Nacionalçlirimtare”. Dhe në fund “Historia e Realizmit Socialist”, më 1978.
Në vitet 1970 në Tiranë kritikën e lëvrojnë edhe shumë shkrimtarë dhe poetë, si: Dritëro Agolli, Ismail Kadare, Fatos Arapi, Klara Kodra, Muzafer Xhaxhiu, Skënder Buçpapaj, Rudolf Marku etj, por edhe kritikë si Xhezair Abazi, Bujar Skëndo, Floresha Dado, Çapajev Gjokutaj, Foto Malo, Bashkim Kuçuku, Nasho Jorgaqi, Nexhip Gami, Ilia Lëngu, Ymer Çiraku, Shaban Murati, Ismail Hoxha etj.
Edhe në Prishtinë shkrimtarët dhe poetët e njohur botojnë më mediat lokale shkrime të karakterit të shënimeve dhe recencave për librat e rinj, si: Ali Podrimja etj.
Periudha e shkurtër liberale që përjetoi letërsia dhe artet në Tiranë në vitet 1970-1973, përfshiu sadopak edhe kritikën letrare. Pati debate rreth heroit pozitiv dhe skemave të ngurta të realizmit socialist, ndërsa në artet figurative u fol, sido që më shumë ndrojtje, për një hapje ndaj formave moderne të artit perëndimor dhe përfitimit në disa aspekte teknike prej tyre.
Plenumi Katërt i KQ të PPSH-së i dha fund kësaj periudhe “liberale”, kritika ideologjike rifitoi terren mbi atë të moderuar, duke u shndërruar në atë që Ismail Kadare e pati quajtur si “Polici e letrave” dhe partia vuri tërësisht nën kontroll letërsinë.
Në vitet 1970 kritika shqiptare në Kosovë hapet ndaj kritikës bashkëkohore moderne dhe mund të themi se konsolidohet si kritikë letrare.
Mensur Raifi aplikon kritikën psikoanalitike, ndërsa studiuesi i shquar Ibrahim Rugova lëvron me shumë sukses dhe origjinalitet kritiken letare, bazuar në shkollën perëndimore, kryesisht franceze dhe amerikane. Sabri Hamiti merret me një kritikë me një këndvështrim të ri formalist etj.
Në vitet 1980 e në vijim një brez më i ri kritikësh afirmohen në Prishtinë mes tyre Ramadan Musliu, Milazim Krasniqi, Basri Çapriqi, e më vonë Vehbi Myftari, etj.
Në Shqipëri, për vetë rrethanat e zhvillimit politik kritika letrare pati veçoritë e saj dhe prapambetjet e saj, si një përshtatje skematike e traditës ruse të realizmit socialist, e para viteve 1960. Këto parime qenë formuar tashmë në Rusi qysh prej vitit 1934 në Kongresin e Shkrimtarëve të Bashkimit Sovjetik dhe zbatoheshin në mënyrë shabllone nga kritikët e Tiranës, pasi atje shkolla ruse kishte filluar të hapej edhe ndaj tendencave perëndimore.
Shkolla jonë përshtati termin “Kritikë letrare marksiste”, e bazuar në atë që quhej idelogjia marksiste-leniniste, duke refuzuar të njohë, deri në vitin 1990, çdo diversitet tjetër estetik, qoftë edhe atë lindor, duke qënë kështu një koncept i vetëm, i vjetruar dhe ndëshkues për letërsinë.
Kritika e Tiranës në këtë kohë, pretendon se po mbështetej tek mendimi marksist i shëndoshë, pasi sipas saj, e gjithë kritika revizioniste, kryesisht pas viteve 1960 ishte në pozita jo të shëndosha dhe devijatore nga teoria marksiste mbi letërsinë.
Kritika jonë pretendonte se i përmbahej mendimit marksist ndërkombëtar, i cili “duke u nisur nga shekulli XIX është përfaqësuar nga Pol Lafargu, apo Eduard Evening, nga Franc Meringu apo nga Plehanovi e Llunacarski, nga Gorki dhe Vorovski, nga Antonio Gramshi, Ralf Foksi, Julius Fucikue mjaft të tjerë.”[9]
Kritikët e Tiranës përserisnin pa fund se “baza teorike e letërsisë dhe artit socialist kanë janë mësimet e Marksit e Engelsit, e në etapën e mëvonshme mësimet e Leninit.”[10]
Këto referenca, që rezultonin vetëm në disa citate dhe paragrafë, sipas Dr. Rugovës kanë qenë të dobëta, të përgjithshme dhe të papajtueshme me konceptet teorike, estetike të kritikës letrare.
Studiuesi Ibrahim Rugova ka shkruar së termi “ideologjia marksiste” ishte shumë i përgjithshëm dhe nuk kishte një trajtim specifik për letërsinë apo kritikën nga ata, që quheshin klasik të marksizmit, konketisht Marksit, Engelsit, Leninit dhe më vonë Stalinit.
Dr. Ibrahim Rugova tek “Refuzimi estetik”, dallon dy tipe të kritikës marksiste: “A. Kritikën tradicionale marksiste dhe B. Kritikën moderne marksiste.”
Sipas Rugovës “Kritika tradicionale marksiste kryesisht bazohet në tekstet e reduktuara të klasikëve dhe në teorinë e artit të realizmit ekstrem socialist si metodë e shpallur e shkrimit letrar. Ndërsa si term kryesor i kësaj kritike është pasqyrimi në kuptim ekstrem që kërkon një afri dhe paraqitje thjeshtëzuese e realitetit, vërtet të shoqërisë që në fakt e vendos dhe e zgjidh në raportin arti-shoqëria në disfavor të artit, sepse e vë në shërbim të ideologjisë të deklaruar zyrtare nga e cila largohet shumë pak. Terma të tjerë të kësaj kritike janë: tipizimi, heroi pozitiv, lufta e klasave, konflikti si zgjidhje teknike e luftës së klasave brenda veprës letrare e artistike etj.”[11]
Pasqyrimi i realitetit objektiv dhe në zhvillim revolucionar ishte një kriter për letërsinë, pasi letërsia mund të kuptohej vetëm në këtë realitet historik dhe shoqëror.
Prej këtij edhe kritika i jepte shumë pak hapësirë kuptimit të letërsisë si një proces krijues, i shkrimtarit që tek e fundit ishte një individ i veçuar dhe vetë procesi krijues ishte i tillë.
Dr. Rugova me të drejtë thekson se “kjo shkollë kritike solli ngushtimin e lirive krijuese, estetike e të lirive tematike”, pasi kjo teori kritike orientoi një model letrar që rezultonte në “luftën mes së mirës dhe së keqes, midis reaksionares dhe progresives që ai e quan “manikeizëm tradicional”. Kjo kritikë do të përhapej pas Luftës së Dytë Botërore, në të gjitha vendet socialiste, përfshirë edhe Shqipërinë, e cila do të qëndronte konservatore ndaj çdo lloji reformimi dhe në rrjedhën e viteve.
Nga shqyrtimi që i kam bërë shtypit, pas viteve 1960 dhe sidomos pas viteve 1970 kritika dhe njerëzit që e lëvronin atë si studiues, pedagogë universiteti, anëtarë të redaksive të mediave letrare apo politike, por edhe përkthyes u përfshinë në një fushtë denoncuese ndaj letërsisë revizioniste dhe teoricienëve më të njohur të tyre.
Sipas tyre kursi reformues i kësaj letërsie dhe kritike, po e degjeneronte realizmin socialist dhe po e zhvillonte atë në harmoni me artin dekadent borgjez. Këta hapa reformues të artit, letërsisë dhe kritikës revizoniste, sipas oponencës së Tiranës, po vinin në pajtimim me politikat antimarksiste që dominonin në Kremlin dhe vendet satelite të tij.
Rugova në studimet e tij komenton edhe kritikën moderne marksiste e cila në Tiranë konsiderohej revizioniste dhe dekadente dhe si e tillë e rrezikshme.
Sipas tij kritika moderne marksiste: “Ta quajmë kushtimisht kështu, është ajo kritikë e cila kërkon të bazohet në marksizmin si filozofi dhe teori e hapur ndaj problemeve të kohës, sipas shembullit të veprës së Marksit dhe raportit të saj me kohën e vet. Kjo kritikë zë të zhvillohet sidomos mbas viteve 1960 dhe këtej”.[12]
“Kjo kritikë sipas Rugovës kërkon të qëndrojë në raporte të barabarta me marksizmin, apo kërkon raporte dialektike mes kritikës letrare dhe markzimit”.
Rugova si shembull të kësaj kritike merr teoricienin e njohur hungarez Gjergj Llukacin, i cili vë një dilemë të madhe “me konstatimin dhe bindjen se esktetika marksiste ekziston dhe nuk ekziston.”[13]
Rugova dallon në relegjionin francez Lysien Goldanin, i cili “çështjet e marksizmit i zgjidh në bazë të strukturalizmit të tij gjenetik, në bazë të vetëdijes së tij klasore.”
Në sferën gjermane Rugova veçon Adrono Ernest Bloch dhe Ernest Fisherin etj, “me kërkesë që së pari arti, letërsia të vështrohet në tërësinë e vet artistike dhe pastaj të vendosen korrelacione me fushat e tjera të jetës dhe filozofisë.”
Ndërsa teoricienët e vendeve komuniste ishin përfshirë në përpjekje që të tejkalonin kritikën tradicionale marksiste, vetëm në Shqipëri, konceptet kritike të realizmit socialist erdhën të pandryshuara, ashtu si edhe vetë udhëheqja politike përgjatë 45 viteve të regjimit.
Dr. Rugova duke ilustruar shembullin e kritikës marksiste, moderne sjell edhe rastin e “Ernest Bloch, i cili kritikës tradicionale të realitetit i shton edhe “utopinë e së ardhmes. Bloch krijon hermeneutiken e tij për kuptimin e së tashmës dhe kjo qasje e tij mbështetet në teorinë e tjetërsimit marksist.”[14]
Një koncept të ngjashëm me Ernest Bloch, sipas Rugovës e gjejmë edhe tek Roland Barti.
Rugova konstaton se “që nga Valter Benjamini, Goldmani, Fisheri, Blohu e Rozhe Garodi kërkohet që kritika me eksplikim marksist të orientohet edhe në artin modern, çfarë nuk e bënte kritika tradicionale marksiste. Nga kritikët dhe esteticienët në fjalë sidomos ata të regjionit francez analizohet dhe kërkohet me mjaft argument çështja e alienacionit në letërsi, sidomos në letërsinë bashkëkohore.
Këtu prijnë disa analiza të Goldmanit e të Roland Bartit. Kështu në këto analiza dhe në kritikë janë të pranishëm, shkrimtarët që kritika tradicionale marksiste i cilësonte si dekadentë, siç janë Kafka, Prusti, Xhojsi. Nga kjo kohë e kemi edhe termin interesant të Garodisë “realizmi i paanë”, (realism sans rivages), me të cilën kërkohet të zgjerohet koncepti qendror i krikës tradiconale marksiste.”[15]
Duke analizuar kritikën letrare në ish-Jugosllavi, Rugova konstaton se kritika tradicionale marksiste ekzistoi deri nga vitet 1950, ndërsa pas këtij viti kur federata ndahet nga Bashkimi Sovjetik aplikohet marksizmi në mënyrë kreative edhe në kritikën letrare.
Rugova thekson se “Te ne në Kosovë, në letërsinë dhe në artin tonë, ku nuk është ndier kritika tradicionale marksiste, sepse kritika jonë zë të zhvillohet më shumë pas kësaj faze të kritikës mund të bëhët fjalë më shumë për një kritikë tradicionale letrare në fillmet e saj”.[16]
Por Rugova konstaton se “në vitet 1970-1980 në Kosovë krahas kritikës traditës e quajtur si marksiste që u kundërvihet tendencave të reja të kritikës letrare ekzistoi edhe një kritikë më formaliste, që përfitoi nga kritika bashkëkohore evropiane, duke zhvilluar edhe debate teorike.”
Sipas Rugovës “këta kritikë kërkojnë që të vështrohen aspekte të ndryshme të kritikës në frymën e pluralitetit teorik që ekziston në botën bashkëkohore “[17].
Teoricienia e njohur e letërsisë akademike Floresha Dado tek bën një përkufizim të kritikës letrare të realizmit socialist thekson varfërinë e skajshme të saj. Ajo shkruan se “Pas kaq kohësh, duke njohur teoritë e kritikës letrare dhe drejtimet moderne të saj që mbizotëruan gjatë gjithë shekullit XX, kuptojmë se ç’varfërim, për të mos thënë mjerim, mbizotëronte në mendimin kritik të realizmit socialist, mbi thelbin dhe llojet e kritikës letrare. Një traditë moderne që ishte shfaqur tek kritikët e 45 viteve të para të shekullit XX u fshi me damkosjen e autorëve të saj (F. Konica, K. Maloku, M. Kuteli, V. Koca, A. Pipa, V. Kokona, P. Gjeci, E. Koliqi, K. Ashta.”[18]
Shterpësia e kritikës steriotipe të Tiranës vinte në kontrast edhe me kritikën letrare që lëvrohej në Prishtinë. “Po të vështrojmë situatën aktuale të kritikës dhe të studimeve letrare shqiptare do të mund të konstatojmë se kontaktet me orientimet moderne teoriko-letrare në planin e akseptimit, u zhvilluam më rrjedhshëm dhe më fuqishëm që nga fillimi i viteve ’70. Kështu që atëherë i kemi disa inkuadrime të gjuhësisë strukturale në gjuhësi, pastaj te semiologjisë, të analizës tekstore, të teorisë së leximit e të psikokritikës më vonë në fushën e kritikës.”[19]
Kritika letrare në Shqipëri vetëm pas vitit 1990 do të çlirohej nga përvoja tradicionale staliniste. Me rënien e realizmit socialist kjo praktikë e vlerësimit letrar dhe artistik pushoi së qëni. Shumica e kritikëve që kishin dominuar studimet e fushës përgjatë 50-vjetëve, përshtaten qëndrimet e tyre me realitetin e ri. Përgjithësisht ata mohuan kritikën marksiste ndërsa brezi më i ri i kritikëve mbajti një qëndrim më të ashpër ndaj vlerave të dyshimta të kësaj kritike, të imponuar me dhunë nga faktorë jashtëletrar.
Rikthimi i shkrimtarëve të ndaluar dhe përjashtuar për arsye ideologjike dhe bashkë me ta edhe shkrimtarët e dënuar, i ridimensionoi studimet tona letrare dhe kritikën letrare. Po kështu filloi përkthimi dhe botimi në Tiranë i kritikëve, studiuesve dhe teoricienëve të njohur perëndimor të letërsisë, çfarë ndikoi për pasurimin edhe teorik të kritikës tonë letrare.
Edhe kritika i tejkaloi kufijtë gjeografikë dhe politikë duke marrë në shqyrtimin letërsinë kombëtare si njësi të pandarë, pavarësisht ku shkruhet ajo, duke tejkaluar muret ideologjikë të kritikës së realizimit socialist.
Kritika e kohës nuk e ka fshehur faktin që ajo u frymëzua nga parime jashtëletrare dhe paragjykuese nga pikëpamja estetike ndaj letërsisë dhe arteve. Nëse do të kërkonim një qëndrim tjetër do të ishte e pasaktë, pasi sistemi politik i kohës kishte ndërhyrë brenda koncepteve estetike, duke i deformuar ato duke u dhënë atyre drejtim ideologjik.
Por edhe brenda kësaj kritike të orientuar politikisht, ka kritikë që e evidentojnë shterpësinë dhe mungesën e kulturës së atyre që e lëvronin këtë kritikë.
Heqja dorë nga kritika moderne e viteve 1930 dhe refuzimi i e emrave të njohur të asaj periudhe, si: Faik Konica, Mit’hat Frashëri, Vangjel Koça, Ernest Koliqi, Krist Maloku, Arshi Pipa, Mitrush Kuleti etj, të gjithë të shkolluar në perëndim, e la kritikën e realizmit socialist në duar shpesh amatore, që kompensonin mungesën e kulturës së shkrimit të kritikës me orientimin idelogjik, apo slloganet politike, të partishmërisë, heronjve nga klasa punëtore, fryma revolucionare etj.
Nga studimi gazetave, revistave dhe librave të botuara në këtë kohë, por edhe materialeve partiake që formulonin orientimin ideologjik të letërsisë dhe të kritikës, nuk është se ekziston një teori e mirëfilltë që të krijonte një platformë të gjërë estetike edhe brenda vetë sistemit teorik socialist. Për shembull në kulmin e periudhës, që thirret tashmë si liberale në letërsi dhe arte, është mbajtur “Plenumi i Kritikës”, organizuar nga LSHA, prej 24-25 shkurt 1972, i cili mendohet se do t’i përgjigjej kësaj tendence liberale të letërsisë, ndërsa në fakt ai ishte një moment frenues ndaj kësaj hapjeje. Po kështu, po ta shikosh sot nga pikëpamja teorike, rezulton të jetë një tjetër shprehje e shterpësisë së kësaj kritike, sido që në të marrin pjesë dhe flasin disa prej emrave, që përbënin elitat letrare dhe kritike të kohës.
Këtë frymë të kanonizuar dogmatike e shpreh edhe njëri prej kritikëve kryesorë të kësaj periudhe i cili lë të kuptohet se kritika do të vazhdonte të ishte një varg citatesh të ngrira pa ide dhe pa frymëzim. “E orientuar nga mësimet e Partisë dhe të shokut Enver Hoxha kritika jonë e cila është lëvruar nga kritikë si edhe shkrimtarë e artistë, ka shënuar përparim në disa drejtime kryesore. Menjëherë ndihet mungesa e kulturës së gjërë, si dhe e njohjes së problemeve shoqërore drejtpërdrejt nga jeta.
Kjo luftë është dhe do të jetë delikate, prandaj partia na mëson që duke luftuar konservatorizmin dhe liberalizmin, duke luftuar pikëpamjet që shprehen në raste të veçanta apo në një konseguencë më të mirë të ruhemi nga pasionet e sëmura egoiste, dhe bashkë me pikëpamjet të mos luftojmë edhe bartësit e tyre[20].
Në vitet 1970-1973 një nga zërat autoritarë dhe me kulturë si Gjergj Zheji, bëri përpjekje që të zgjeronte kornizën e ngushte të kritikës të kohës, për të qenë e denjë së paku sa vetë letërsia e asaj periudhe, që kishte njohur arritjet ndërkombëtare të Ismail Kadaresë.
Por faktet ishin zhgënjyese, në mos vajtuese.
“Një kritikë e tillë e papërgatitur në shumë anë do ta ketë të vështirë në mos të pamundur të kuptojë pa le të shpjegojë e të ndihmojë, novitetin, ta zëmë të beletristikës së I. Kadaresë. Duke përsëritur konkluzionet e të vjetërve, duke u mbështetur në “kultura e parathënieve”, duke operuar vetëm me përshtatje, duke folur, ta zëmë, për romantiçizmin e duke mos u ndalur te ai gjerman, francez, apo anglez, por duke ngulur këmbë nga inkompetenca, vetëm, psh, te Pushkimi apo Zhukovski, që vijnë pesëdhjetë në mos 100 vjet pas lëvizjeve romantike në këto vende e kur për më tepër, romantiçizmi ynë shqiptar zhvillohet kryesisht nën ndikimin e romantiçizmit më gjenuin evropian, nuk mund të pretendohet kurrë se bëhet shkencë”.[21]
Ndërsa Zheji kërkon që “Të aftësohemi për t’u orientuar plotësisht si të pavarur e me siguri në probleme të tilla të koklavitura që kërkojnë mund e punë”, sistemi politik e kishte pozicionuar kritikën në të njëjtat pozita me doktrinën filozofike të stalinizmit, biles me mburrje dhe krenari.
Ndonjë përfaqësues i kësaj praktike, formalisht bënte thirrje për novatorizëm, por asnjëherë nuk sillte një tjetër bazë teorike, përveç asaj të orientimeve të Partisë Komuniste, që ishte një orientim slloganesh, i varfër dhe i shkruar keq. Ndërsa pranonin zhvillimin dialektik të jetës dhe vetë socializmit, parimet zhdanoviste të kritikës letrare mbetën të pacënuara asnjëherë.
Nga kjo pikëpamje “Letërsia dhe artet e realizmit socialist kanë karakter novator dhe novatorizmi i tyre nuk përmbahet vetëm në rezultatet që arrijnë ato në një kahë të caktuar dhe as në eksperimentet e një apo disa shkrimtarëve e artistëve.
Do t’ishte mashtrim po të thoshim se vetëm tani po vlerësohen fenomenet e fillimit të viteve ’60. Në atë kohë, vetëm disa poetë, që shkruan artikuj kritikë, kaluan në pozita konservatore”.[22]
Edhe në kohën më të favorizuar të letërsisë dhe kritikës, siç ishte viti 1972, thirrjet për novatorizëm janë të mjegullta dhe baza teorike për një kritikë ndryshe mungonte. Është e qartë se novatorizmi dhe stalinizmi ishin dy gjëra të ndryshme.
Emrat e kritikëve, që Rugova i quan si “marksistë modernë”, ishin shpallur revizionistë dhe po aq të mallkuar sa edhe teoricienët perëndimor, të cilët nuk e konsideronin fare as realizmin socialist dhe as kritikën ideologjike të saj.
Ushtrimi i kritikës prej individëve të çfarëdoshëm, prej nxënësve, punëtorëve, pensionistëve, apo edhe prej kolektivave të punëtorëve, të cilët i bënin gjëmën edhe shkrimtarit më të mirë, kishte ngritur kultin e klasës punëtore, jo vetëm në përmbajtjen e veprave letrare, por tashmë edhe të kritikës ndaj tyre.
Kulti i klasës punëtore dhe fuqia e saj për të ndihmuar në mënyrë qesharake kritikën profesionale, siç thuhej “për të kuptuar më mirë letërsinë”, apo “thelbin e veprave letrare” ishte një zvetnim total i saj, më mirë më thënë një zhvlerësim i punës së kritikut, studiuesit dhe estetit.
“Pjesëmarrja aktive e masës së lexuesve në diskutimin e krijimeve tona jo vetëm nuk e dobëson rolin e kritikës profesioniste, por përkundrazi e ndihmon këtë që të jetë më objektive më e thellë më e saktë. Sado që në referatet tona bëjnë thirrje të vazhdueshme për debatin e gjallë letrar, ne sikur jemi gozhduar pas shprehisë që problemet tona t’i zgjidhim në një rreth sa më të ngushtë “kokë më kokë”.
Duke dënuar entuziazmin fallco, ditirambet në kritikën tonë ne ngrihemi gjithashtu me forcë edhe kundër shfaqjeve të nihilizmit, i cili e ka burimin në intelektualizmin e sëmurë, në eklektizmin, në mosbesimin ndaj kulturës sonë kombëtare, në nënshtrimin ndaj gjithçkaje që është e huaj.
Kur është puna për një shkrimtar të ri të panjohur, atëherë prit kalendat greke. Kur gabon ndonjë shkrimtar i padëgjuar i lëshohet vënçe. Kur gabon ndonjë tjetër pritet sinjali”.[23]
Ndërkohë që prej Valter Benjaminit, Goldmanit, Fisherit, Blohut e Rozhe Garodit insistohej që kritika me eksplikim marksist të orientohet edhe në artin modern, plenumi i kritikës ku merrnin pjesë elitat komuniste të letërsisë, e gjente novatorizmin tek thellimi i analizës shkencore të letërsisë “duke shmangur anshmërinë, hatërllëkun, ekzaltimin e tepruar, nivelimin e autorëve” etj.
Dritëro Agolli, pa e cilësuar si të tillë, e sheh si barrë të kritikës dhe varfëri të saj profesionale, shprehjen me mjete politike, ideologjike, që u ngjanin raporteve politike të kohës. Kam studiuar thuajse gjithë kritikën e botuar të kohës dhe që të gjitha fillonin me shprehje të natyrës se “kritika jonë e udhëhequr nga mësimet e partisë dhe të shokut Enver, nën frymën e këtij plenumi, apo të atij kongresi të partisë ka shënuar arritje dhe progres …. etj.”
Agolli flet për nevojën e një kritike gjuhësore dhe stilistike, por nuk flet për ngushtësinë në të cilën vetë ideologjia e kishte mbërthyer kritikën.
“Me një fjalë sipas mendimit tim, fenomeni i parë që dëmton parimin e analizës shkencore të kritikës sonë është anshmëria hatërllëku. E dyta që pengon analizën shkencore të një vepre në kritikën tonë është absolutizmi i kësaj vepre kthimi i saj në një model apo yrnek si të ishte copë konsumi: është e bukur kjo copë prandaj bëj edhe ti nga një copë një kostum.
Ose është shfaqur mendimi se tani romani duhet të jetë 200-300 faqe. E treta që pengon analizën shkencore të një vepre në kritikën tonë është ekzaltimi i tepruar është fjalimi panegjirik që i thurim kësaj vepre. E katërta që pengon analizën shkencore të një vepre në kritikën tonë është nivelimi i autorëve. Por si shfaqet individualiteti i këtij shkrimtari dhe i atij tjetrit, ku ndryshojnë ata, ç’mjete shprehëse dhe ç’gjuhë përdorin- kjo lihet në heshtje.”[24]
Në këtë lloji skematizmi ideologjik paraqitet edhe ai që mund të konsiderohet si babai i liberalizmit të letërsisë dhe arteve në vitet 1970, i cili foli më shumë përmes disa dramave, ku dolën në skenë heronj të ri, subjekte të reja, ku si risi dukej të ishte fakti, që roli i partisë nuk ishte në plan të parë, siç konceptohej në veprat e tjera të traditës socialiste.
Ndërkohë që kritika liberale marksiste, e pas viteve 1960 kërkonte që fryma ideologjike të mos mbizotëronte 100% veprën letrare dhe kështu edhe kritikën ndaj saj, duke bërë një hap progresiv në çlirimin e letërsisë nga ngarkesat ideologjike, në Shqipëri bëhëj thirrje për të ruajtur letërsinë dhe vetë kritikën nga ndikimet borgjeze e revizioniste.
Ndërkohë që teoricinë si Gjergj Llukaçi e kishin vënë në pikëpyetje nëse “ekzistonte më të vërtetë esktetika marksiste”, Pacarimi (i prirur ndaj suksesit të tij të bujshëm dhe shpesh spekulativ), e gjenë përmirësimin e kësaj kritike tek “studimi i estetikës marksiste-leniniste të materialeve të partisë e të mendimeve të shokut Enver.”
“Kritika mund dhe kërkohet të thotë fjalën për këto çështje, të gjurmojë, të zbulojë dhe të ndihmojë që krijimtaria të orientohet drejt. Një kërkesë tjetër, kryesore edhe kjo për të ndihmuar që krijimtaria të orientohet drejt të mos rrëshkasë në gabime t’u shmanget influencave të huaja borgjeze e revizioniste. Kjo kërkon studimin e thellë të estetikës marksiste-leniniste të materialeve të partisë e të mendimeve të shokut Enver, njohje e jetës dhe të problemeve, që proekupojnë artin tonë”.[25]
Është e qartë se kornizat politika nuk e lanë as letërsinë dhe as kritikën të ecte përpara, por edhe në ato rrethana rezulton që kritika letrare të ketë qënë një pengesë shtesë për letërsinë, me dogmatizmin ekstrem dhe dobësinë e saj profesionale.
Studiuesja Floresha Dado duke iu referuar Arshi Pipës i jep një shpjegim arsyeve të prapambetjes së kritikës letrare në Shqipëri. Sipas Pipës: “Kritika letrare e ka për detyrë të pajtohet me rregullat e realizmit socialist, ndërkohë që në poezi, në prozë dhe në dramë një shkrimtar i mprehtë shmang disa nga barrierat, duke përdorur artin si fluturim në aeroplan. Dhe ndërsa një shkrimtar krijues i jep vetes pak liri krijuese, e domosdoshme për aktin krijues, një kritik letrar duhet të vlerësojë një vepër duke aplikuar tek ajo disa rregulla partiake të bazuar në partishmërinë, ideshmërinë, principialitetin dhe dhe karakterin klasor, duke qenë ndërkaq, i kujdesshëm për të kapërcyer preferencat dhe shijet individuale.”[26]
Për të parë nivelin e kritikës, pengesat e saj dhe kufizimet politike të saj gati si një torturë, mund të shikojmë shkrimin e mëposhtëm, i cili gjysmën e diskutimit e ka me referenca nga slloganet partiake, ai mbledhjet e saj, plenumet, konferencat dhe orientimet programatike për letërsinë dhe artet.
“Më vonë kritika ka nxjerrë në pah dhe ka analizuar nga pozitat e politikës së partisë –dhe kjo ka rëndësi parimore- veprat, që me realizëm dhe frymë militante trajtonin moment të Luftës Nacionalçlirimtare dhe të punës së klasës punëtore, të fshatarësisë dhe të të gjithë popullit në ndërtimin e socializmit.
Në dokumentat e partisë për letërsinë, artin e kritikën, në raportin e shokut Enver në kongresin e gjashtë e sidomos në fjalën e tij në Konferencën e 17-të Tiranës dhe në fjalën e shokut Ramiz Alia mbajtur para pak kohe përpara shkrimtarëve e artistëve ndërmjet orientimeve ideve e mendimeve të tjera shumë të rëndësishme disa herë është theksuar se në gjykimin e veprave të artit duhet të nisemi (dhe Partia është nisur) nga brendia për të vlerësuar ç’është novatore e ç’është konservatore, ç’është socialiste e ç’është arkaike.
Në këto rrethana para kritikës ka dalë si një problem i rëndësishëm i dorë së parë, problem i raportit të artit me jetën, me realitetin.
Në asnjë mënyrë nuk duhet të pranohet si i drejtë mendimi se mund të kenë edhe vepra që ilustrojnë një fakt historik. (N. Zajmi, gazeta “Drita “). Duke dashur në këtë mënyrë, nga pozita eklektike, që pranojnë bashkekzistencën e një arti akademik e arkaik me një art novator e revolucionar, të mbrohet akademizmi, i hiqet artit esenca e tij interpretuese, ideoemocionale.[27]
Ndërsa regjizori i njohur Viktor Gjika, shpreh shqetësimin e mungesës së kritikës së filmit.
“Një nga arsyet e një mungese të tillë është fakti që ne akoma nuk kemi kinokritikë të specializuar, ndërsa kritikët letrarë në përgjithësi, nuk merren me kritikë kinematografike.”[28]
Edhe një nga kritikët dhe studiuesit e njohur të realizmit socialist si Jorgo Bulo, i cili e ka kulturën e nevojshme për të evidentuar skematizmin që kishte përfshirë kritikën dhe studimet letrare në tërësi, bën një propozim kundërthënës. Nga njëra anë kërkon forcimin e bazave metodologjike marksiste-leniniste dhe nga ana tjetër kërkon të shkohet nga “përpunimi përsosja dhe përvetësimi i një sistemi shkencor koherent të nocioneve teoriko-letrare.”
Ai përpiqej t’i harmonizonte dy gjëra që nuk shkojnë kurrë bashkë.
“Për t’u përgjigjur këtyre detyrave mendoj se drejtimet themelore të punës në fushën e kritikës, të ngritjes së saj cilësore duhet të jenë:
- Forcimi i mëtejshëm i bazave metodologjike marksiste-leniniste.
- Përpunimi, përsosja dhe përvetësimi i një sistemi shkencor koherent të nocioneve teoriko-letrare.
Mua më duket se disa nga të metat e kritikës sonë e kanë burimin pikërisht në nivelin e saj shkencor të pamjaftueshëm, në bazën e brishtë teorike, në mungesën e një sistemi të përpunuar shkencërisht nocionesh teorike-letrare. P.sh, një e metë e shkrimeve tona kritike është subjektivizmi.”[29]
Fenomenin e amatorizmit të kritikës apo të masivizmit të saj, duke shkelur çdo parim letrar dhe nëpërkëmbur çdo kriter termonilogjik, e konstaton edhe prof. Floresha Dado, e cila shprehet se “ka pasaktësi dhe mospërputhje të dukshme në përdorimin e termave teorike të caktuar.”
“Në artikuj të ndryshëm kritikë, qoftë edhe në diskutime që kanë të bëjnë me problem të letërsisë sonë, po t’i ndjekim me kujdes vemë re se shpesh ka pasaktësi dhe mospërputhje të dukshme në përdorimin e termave teorike të caktuar.” [30]
Kritika letrare zyrtare në Shqipëri rezulton të jetë zhvilluar me një strukturë komplekse dhe të ndërlidhur më sistemin ideologjik të cilit i shërbente, konkretisht udhëheqjes politike. Ajo ishte një kritikë e natyrës ideologjike, sociologjike.
Ndërtimi i mekanizmave paralele të kontrollit të letërsisë në tërësi, por edhe të autorëve dhe të veprave të veçanta, përfshirë edhe një poezi apo një tregim, në vitet 1970 rezulton të ketë qenë i konsoliduar në llojin e vet të veçantë. Nga leximi i tyre në gazeta, në revista dhe sidomos në arkivat përkatëse të regjimit, kupton se në raste të veçanta janë shkruar me një gjuhë që i shkon më shumë për shtat policisë sekrete, se sa natyrës sociale të letërsisë së realizmit socialist, që tek e fundja ishte letërsi sido që e përfshirë në atë që Marksi e quante superstrukturë të socializmit.
Nga ana tjetër duket që kjo kritikë letrare është zhvilluar në shumë drejtime, nga shumë aktorë dhe institucione, bazuar gjithnjë në teorinë staliniste të realizmit socialist ku letërsia kuptohej si mekanizëm ideologjik në edukimin e klasës punëtore dhe kritika si përgjegjëse kontrollit të implementimit të kësaj ideologjie në letërsi dhe arte.
Në një farë mënyrë rezulton se ka patur jo vetëm një dublim të kritikës, por edhe një kryqëzim të analizave, informacioneve e komenteve të hapura dhe të fshehta, deri edhe tek dyshimet, hamendjet dhe njoftimet e partisë për zbulimin e ndonjë nënkuptimi të fshehur në ndonjë varg apo figurë, të ndonjë aludimi kundër sistemit, regjimit, apo vetë udhëheqjes.
Në këto letra, shpeshherë anonime, ata e vënë në dijeni partinë për këtë apo atë libër, për këtë apo atë film, këngë dhe autor për devijim nga realizmi socialist, zbehje të luftës së klasave, për deheroizimin e heroit pozitiv, për rënie në ndikimin borgjez dhe revizionist etj. Pasi sipas koncepteve të kohës, fitoret e socializmit ishin të kërcënuara jo vetëm nga rrethimi i egër imperialisto-revizionist, apo nga armiqtë e jashtëm, por edhe degjerimi i letërsisë dhe arteve sipas frymës së dekadentizmit borgjez.
Nga studiuesit shqiptar të letërsisë për këtë periudhë dhe sidomos të fenomenit të censurës apo të kritikës letrare në përgjithësi, pas vitit 1990 ka shumë hulumtime interesante, por prof. Shaban Sinani e sheh fenomenin në një tërësi zhvillimesh dhe faktorësh dhe del me konkluzione interesante.
Ai pohon se kritika e letërsisë shqiptare e realizmit socialist ekzistonte si kritikë zyrtare dhe si kritikë e zyrave.
- Kritika zyrtare, ishte një kritikë publike, që zakonisht botohej në gazeta dhe revistat e kohës, apo konsumohej me raste promovimesh apo diskutimesh krijuese. Kjo bëhej nga kritikë, redaktorë apo edhe shkrimtarë e kritikë të afërt me redaksitë e veçanta, apo të porositura prej tyre. Ishte një kritikë vigjilente dhe evidentuese, ndaj çdo lëshimi që mund t’i kishin shpëtuar redaktorëve dhe organeve botuese.
- Sipas prof. Sh. Sinanit: “Kritika e zyrave nuk kishte lidhje me publikun, biles as vetë shkrimtari nuk duhej të merrte dijeni për to, pasi ishte kompetencë e fshehtë e tyre”. Sipas prof. Sinanit “Kritikën e zyrave akademiku i njohur e sheh si shprehje të thelbit të shoqërive të kontrolluara, të mbyllura”, pra totalitare dhe me liri shprehje të ndaluar, siç ishte regjimi i Tiranës.
Tek kritika e zyrave prof. Sinani përfshinë:
- Kritikën e shkrimtarëve dhe studiuesve vullnetarë të cilët dëshirojnë që pikëpamjet e tyre t’i marrë vesh udhëheqja, por jo shkrimtari.
- Kritika e recensuesve të fshehtë për përmbajtjen e të cilave nuk merrte vesh shkrimtari. Kritika e recensuesve zyrtarë, të cilët sipas rregullave të kohës, duhej t’ua paraqitnin mendimet e tyre botuesve, por pa komunikuar me autorët vetë.
- Korrespondenca e botuesve me zyrat partiake dhe shtetërore për vepra problematike dhe kërkimi prej tyre i pëlqimit për të mos lejuar botimin, për të hequr një vepër nga botimi, ose për të ndaluar qarkullimin e një vepre.
- Diskutime në parti si për rastin e veprave të Kadaresë, në mbledhjet e organizatës bazë, komitetet e partisë së rretheve e deri në sekretariatin e KQ të partisë etj.
- Strukturat e posaçme të administratës shtetërore dhe veçmas, ato të administratës partiake të ngarkuara për zbatimin e vijës së partisë në arte, letërsi dhe kulturë, si të thuash funksionalisht kanë bërë detyrën për të shoqëruar me vigjilencë gabimet e mundshme të çdo botimi etj.” Shaban Sinani: “Historia e letërsisë shqipe: Çështje të hapura”, Tiranë 2015, f.226- 243).
- Kritika e shkrimtarëve dhe studiuesve vullnetarë të cilët dëshirojnë që pikëpamjet e tyre t’i marrë vesh udhëheqja, por jo shkrimtari.
Kritika e zyrave gjatë periudhës së realizmit socialist rezulton të ketë qënë një strukturë funksionale me objekt shqyrtimin e veprave të diskutueshme në pikëpmaje të besueshmerisë ideologjike, por edhe të përpunimit të qëndrimeve, që do të merrte në vazhdim udhëheqja partiake dhe shtetërore, rreth të ardhmes së jetës së veprave letare apo artistike, deri në mosbotimin apo ndalimin e tyre nga qarkullimi në rastet kur ato ishin të botuara.
Në këtë grup të kritikës së zyrave, siç vëren edhe akademik Shaban Sinani, ka qënë “kritika e shkrimtarëve dhe studiuesve vullnetarë të cilët dëshirojnë që pikëpamjet e tyre t’i marrë vesh udhëheqja, por jo shkrimtari.”[31]
Kjo kritikë rezulton të ketë qënë shumë e përhapur në stilin e saj që mund të buronte edhe nga ndjenja e shërbimit ndaj partisë deri tek dashakeqësia dhe ligësia që bëhej zakonisht kundër poetëve dhe shkrimtarëve të talentuar.
Regjimi totalitar ishte bazuar në shtrëngesa të mëdha që kishin nxitur dhe stimuluar spiunimin vullnetar në të gjitha segmentet e shoqërisë, përfshirë edhe letërsinë dhe artet, e vlerësuar kjo jo si një ves, por si një virtyt qytetar.
Preh e kësaj kritike vullnetare dhe në anonimat të ruajtur nga strukturat partiake ka qenë shkrimtari Ismail Kadare që nga romani “Gjenerali i ushtrisë së vdekur” dhe në vijim.
Poeti Frederik Rreshpja rezulton të ketë qenë po kështu objekt i këtyre kritikave për librin e tij të parë “Rapsodi shqiptare” të mbledhura dhe të përgatitura për botim nga kritiku i njohur Adriatik Kalluli, më 1969.
Këto letra që përbëjnë një kaptull të veçantë nga jeta në censurë e Rreshpjes, krahas sinjalizimeve për abstraksion të tejskajshëm, metaforizëm dhe simbolizëm modern, paralajmërohet për prirjet e tij formaliste, dekadente.
Rreshpja akoma më keq goditet nëpërmjet letrave edhe për jetën e tij të pakujdesshme, për batutat e tij të lëshuara lart e poshtë kundër Stalinit dhe talljet me të, biles edhe ndaj vetë udhëheqësit komunist. Ky formulim me një gjuhë të zgjedhur dhe të mirëmenduar, i dërgohej partisë për ta paralajmëruar për pozitat jo të shëndosha të poetit, por edhe me shënimin në fund që letra të mbetej anonime.
Në gjyqin e poetit Frederik Rreshpja, në dosjen e tij ishin raportuar në ligjeratë të drejtë deri edhe biseda të Rreshpjes më kolegët e tij gjatë një drekë në Ishull-Lezhë, përfshirë edhe shakatë dhe batuta e lira që zhvillohen në një rast të tillë. Një për të cilat kishte qenë edhe për Stalinin.
Pra Rreshpja me talentin e tij të padiskutueshëm, ishte një yll në ngjitje, siç thotë Kadareja për të, por siç ndodhte në diktaturë edhe një poet i shënjuar për t’u goditur dhe shkatërruar.
Për fat të keq kjo lloj kritike rezulton të ketë qenë shumë e përhapur. Biles qysh atëherë, megjithëse porositej që të ruhej anonimati, kishte punonjës të aparateve të partisë që u lëshonin një gjysmë fjale, apo një paralajmërim si kalimthi, kuptohet përmes të tretëve që në adresë të tyre, apo kundër veprës së tyre kishte mbërritur një letër kritike.
Kjo lloji kritike, kishtë si mision të ndihmonte partinë në qartësimin e mendimit për atë vepër, dhe ndodhte që partia t’u besonte më shumë këtyre letrave-kritike, se sa edhe vetë kritikës zyrtare të redaksive të profilizuara në këtë fushë.
Më e keqja rezultonte kur prapa këtyre letrave kritike, qëllonte të ishte ndonjë mik i kafesë, koleg i punës apo edhe i njohur tjetër nga fusha e artit dhe letërsisë.
Pas vitit 1992 rastësisht qeshë njohur me faktin se preh e këtyre letrave kritike, kisha rënë edhe unë si një poeti i ri, që më mbahej libri në dorëshkrim për vite me radhë në Shtëpinë Botuese “Naim Frashëri”.
Poetët e brezit të viteve 1970, menjëherë pas kritikave publike të bëra ndaj tyre nga udhëheqja e lartë e Partisë Komuniste, rezulton të kenë qenë i sulmuar nga këto letra, të cilat synon t’ia bënin më të lehtë partisë argumentimin e saj ndaj këtyre poetëve për shkitje në modernizëm, dekadetizëm dhe ekzsitencializëm.
Këtë lloji kritike e favorizonte edhe atmosfera që kishte përjetuar vendi në vitet 1967-1969 gjatë periudhës së ashtuquajturi të revolucionit kulturor, ku letrat e hapura, letrat e mbyllura, letrat anonime dhe fletërrufetë denoncuese, në çdo mjedis shoqëror dhe familjar, ishin bërë një stil i jetës revolucionare të shoqërisë.
Pas plenumit të katërt, letrat kundër këtij brezi dhe shkrimtarëve dhe artistëve në tërësi janë të një stili të agjitacionit politik dhe për fat të keq bënin thirrje për ngushtim të lirive krijuese dhe shtimin e filtrave të kontrollit dhe përveç këtyre i sugjeronin partisë gjykimin e redaktorëve përgjegjës që kishin lejuar publikimin e kësaj letërsie liberale dhe me të meta ideologjike, në gazeta, revista apo edhe libra.
Pas dënimit nga partia të grupit të kulturës, letra të kësaj natyre, rezulton t’i kenë shkuar njëkohësisht edhe partisë edhe hetuesisë, për disa nga poetët e brezit të viteve 1970. Po kështu edhe për lidhje të tyre me “puçistin” e rrëzuar nga froni, politikanit dramatug Fadil Paçrami. Emrat e Xhevahir Spahiut, Moikom Zeqos, Faslli Haliti, Viktor Qurkut etj, dalin vazhdimisht në procesin hetimor të Paçramit.
Këto letra jo vetëm denocojnë shtrembërimin prej tij të vijës ideologjike të partisë në drama, të zbehjes së rolit të partisë në to, por e njoftojnë partinë edhe për biseda banale, diskutime në mbledhje apo porosi telefonike që mund të kishte dhënë Paçrami si sekretar i kulturës në partinë e Tiranës, për të mbështetur sipas tyre krahun liberal në letërsi dhe arte dhe goditur konservatoritn, të cilët, siç shkruajnë ata i përçmonte dhe i injoronte.
Është e qartë se realizmi socialist ishte një formë letrare dhe artistike e imponuar nga lart, me diktat dhe rregulla strikte, por përsëri nëpër zyra kishin mbetur shkrimtarë me ndërgjegje të pacënuar letrare që dinin ta dallonin propagandën nga letërsia, biles një pjesë e tyre ishin në këtë periudhë edhe shkrimtarë apo poetë të talentuar.
Pas qershorit të vitit 1973 këta njerëz do të largoheshin me masa të ndryshme ndëshkimore nga redaksitë e Dritës dhe Nëntorit, biles edhe Tirana, për t’u lëshuar vendin redaktorëve të ardhur nga klasa punëtore, pa ndonjë talent të theksuar apo kulturë të mjaftueshme redaksionale dhe letrare, por që kishin besueshmërinë leniniste për të mbajtur nën kontroll botimet letrare. Kjo gjë u bë mjaft e pranishme sidomos në shtëpinë botuese “Naim Frashëri”, ku redaksia e poezisë u katandis në zyrë censure.
Për të ilustruar çështjen e kritikës së letrave do të sjell në mënyrë modeste edhe një përvojë timen si poet i ri i asaj kohe, biles si student që isha, dokument me të cilën u njoha pas vitit 1992.
Në njërën prej këtyre letrave që i nisej sekretarit të byrosë së partisë së Fakulteti dhe dekanit të Fakultetit, krahas evidentimit të prirjeve moderniste që kishin vënë re në disa poezi të miat të botuara në shtyp dhe të shumë tjerave që i kishin lexuar nga libri në dorshkrim ishte në sirtaret e shtëpisë botuese, për prirje hermetike, formaliste. Dhe akoma më keq e njoftonin partinë se biografia ime politike ishte e keqe dhe nuk duhet të vazhdoja kursin dyvjeçar të gjuhëve speciale ballkanike, që bëhej në vit të tretë dhe të katërt, pasi sipas tyre, në përfundim të tij, unë mund të shkoja në ato institucione shtetërore që kishin nevojë për njerëz me njohuri në këto gjuhë, si ministri e jashtme, ambasada, radio Tirana, ATSH etj dhe kjo do të ishte e papërshtatshme për një njeri me besueshmëri të dyshimtë politike.
Dhe në fakt emri im u hoq nga lista qysh ditën e parë të këtij kursi, me një pretendim banal të sekretarisë se kishte qenë ministria e cila kishte njoftuar në momentin e fundit zvogëlimin e numrit të kursantëve dhe se mua më kishte rënë shkurtesa fare rastësisht.
b).Kritika e recensuesve zyrtarë, të cilët sipas rregullave të kohës, duhej t’ua paraqitnin mendimet e tyre botuesve, por pa komunikuar me autorët vetë. Kritika e recensuesve të fshehta për përmbajtjen e kritikës së recensuesve të fshehtë, nuk merrte vesh shkrimtari.
Kritika e fshehtë e recensuesve dihej qysh atëherë se ekzistonte, por poetët nuk e dinin se cilit prej këtyre recenzentëve mund t’i kishte rënë në dorë libri yt.
Sipas akademik Shaban Sinanit: “Kritika e zyrave është shprehje e vigjilencës së përgjithshme të strukturave shtetërore e partiake, për të ushtruar, veç kontrollit të ligjshëm dhe një formë tjetër kontrolli, atë të fshehtë, të padeklaruar, të pabotuar, posaçërisht për udhëheqjen, posaçërisht për t’i ardhur në ndihmë si të përcaktojë qëndrimin e saj ndaj subjektit.”[32]
Një grup i recenzentëve të përhershëm që aktivizonte shtëpia botuese “Naim Frashëri” njiheshin me emra për esktremizmin skematik të tyre dhe shkrimtarët luteshin që dorëshkrimet të mos u shkonin atyre në dorë, pasi refuzimi ishte i paralajmëruar.
Kjo praktikë kishte qenë torturuese për shumicën e poetëve dhe shkrimtarëve të talentuar, që me sa duket nuk e praktikonin aq qartë, apo akoma më keq e anashkalonin parimin leninist që letërsia të ishte për punëtorët, të pasqyronte jetën e tyre dhe më kryesorja “të kuptohej prej tyre.” Çështja e kuptimit prej tyre ishte pika ku shkrimtarët dhe sidomos poetët nuk e kalonin dot nëpër materialet kritike të recensentëve.
Pas presionit të plenumit të katërt, ku vetë udhëheqja e lartë mori rolin e kritikës letrare, ndeshim fenomenin e thjeshtëzimit të poezisë dhe rënien e saj deri në kufijtë e slloganeve politike, apo siç thotë prof. Agim Vinca të “poezisë-pllakat”, aq sa shumica e poetëve të shquar të kohës, përfshirë edhe ata më të goditurit, poetët e brezit të viteve 1970, preferuan heshtjen ose heqjen dorë përkohësisht nga botimet, aq sa pati rënë në sy edhe të udhëheqjes partiake.
Kritika e recensentëve edhe pse kryhej fshehurazi apo pa dijeninë e autorit, funksiononte menjëherë pas dorëzimit të dorëshkrimit në shtëpinë botuese. Sipas një portokolli rutinë pas mbërritjes së dorëshkrimit redaktori ua niste atë dy apo tre recesentëve. Kur autori njihej për prirje formaliste, apo problemore, siç quheshin atëherë ata poetë që kishin braktisur stilin e poezisë tradicionale të vargut të rregullt dhe me rimë, apo që përdornin vargun e lirë dhe metaforën e ekzagjeruar, dorëshkrimi u jepej edhe tre recensentëve të ndryshëm, biles pa patur dijeni për njëri-tjetrin.
Në rolin e recensentit zgjidheshin përgjithësisht kritikë, studiues dhe njohës të letërsisë, por preferoheshin ata me natyrë strikte dhe dogamatike që ishin afër qëndrimeve politike dhe për fat të keq, të motivuar për t’i kthyer librat e mirë.
Këta recensentë që paguheshin me honorare nga institucioni për çdo recencë të sjellë në redaksi, duke qenë anonimë kishin prirje për të nxirë librat e autorëve të mirë. Për shembull pas plenumit të katërt të KQ kjo lloj kritike pati marrë zhvillim dhe ishte tashmë një mënyrë e mirë për të rritur vigjilencën revolucionare dhe frymën partiake.
Pas kësaj praktike, autorëve u thuhej nga redaktori përgjegjës se libri i ishte kthyer nga recensentët, të cilët i kishin propozuar redaksisë që autori do të duhej ta ripunonte librin. Zakonisht jepeshin detaje për ato poezi që ishin sipas tyre problematike, me figuracion të dyshimtë, me tendeca të huaja, aludime te gabuara, apo me manjera formaliste. Ajo që u rekomandohej në çdo rast poetëve, nga recensentët, ishte plotësimi i librit me poezi, siç thuhej atëherë të natyrës tematike, ku të dilte qartë partishmëria, lufta e klasave, zhvillimi revolucionar i vendit me aksionet, luftën e klasave dhe luftën kundër shfaqjeve të huaja, me luftën kundër armiqve të jashtëm, imperializmit dhe revizionizmit, jetën në rrethim, mbështetjen në forcat e veta deri tek tema e luftës nacionalçlirimtare që duhet të ishte e pranishme edhe në fund të viteve 1980.
Ata që ishin më me fat, përgjigja e redaksisë u vinte pas një viti, ndërsa të tjerave nuk u vinte fare njoftimi dhe duhet të interesoheshe vetë pranë shtëpisë botuese.
Pas kthimit të parë fillonte kalvari i komunikimit të vështirë me redaksinë e cila kishte kriterin e partishmërisë kryesor në vlerësimin e librit apo edhe ndëshkimin në mosbotim të tij.
Procesit të kthimit të librit për arsye të ndryshme i nënshtroheshin thuajse të gjithë shkrimtarët, disa për dobësi dhe të tjerë për arsye të daljes jashtë kornizave të realizmit socialist. Për shembull librat më të mirë të Ismail Kadaresë rezulton të jenë kthyer nga recensentët dhe redaksia nga një dhe dy herë me radhë.
Njëri prej poetëve të brezit të viteve 1970, që mund të konsiderohet si viktimë e politikës së recensentëve tendencioz është edhe Sadik Bejko.
Siç thotë Bejko në një intervistë për një gazetë të Tiranës, libri i tij me poezi qëndroi në sirtarët e shtëpisë botuese “Naim Frashëri” për më shumë se pesë vjet. Ai kujton se libri i është rikthyer disa herë gjatë viteve 1967-1972, me pretendimin se recensentët e paemër e kishin refuzuar atë për gabime ideore, hermetizëm dhe frymë jo partizane.
Në këto recenca autorit i rekomandohej që të ripunonte një dyzinë poezish përfshirë edhe poezi si ”Rrënjët, “Lumi” etj, të cilat edhe sot qëndrojnë si poezi të bukura, me frymë universale dhe shpirt human, pa ngarkesa ideologjike të kohës dhe sllogane politike. Por pikërisht për këtë arsye këto lloj poezish dënoheshin me mosbotim nga recensentët.
Fakti që mendimet me shkrim të rencensentëve nuk merreshin vesh nga autori, u jepte atyre dorë të lirë ta operonin librin deri në sakatim, po i vrarë ndërgjegjja për masakrën që po kryenin ndaj shpirtit të lirë të një poeti.
Nga kjo praktikë e recensentëve të fshehtë e pësoi edhe poeti Skëndër Buçpapaj, një tjetër emër i njohur i brezit të viteve 1970.
Libri i tij qëndroi për gati dhjetë vjet në sirtarët e shtëpisë botuese Naim Frashëri, ose në kalvarin e kthimeve dhe ripunimeve deri sa doli i sakatuar më 1986.
Në të gjitha rastet, përveç hezitimeve të redaksisë kishin rol edhe recensentët që e kishin bllokuar.
Biles njëri prej tyre kishte rekomonduar përveç të tjerave edhe ndërrimin e titullit të dorëshkimit “Metaforë e blertë”, me justifikimin se ç’është kjo metaforë e blerë, pse nuk është e kuqe apo një tjetër të pëlqyeshme nga partia. Tashmë edhe metafora ishte shpallur me karakter klasor, të dyshimtë pasi sipas tyre ishte një element që mishëronte poezinë hermetike dekadente. Në fakt Skënderi nuk pranoi ndryshimin e titullit dhe as propozimin e tyre për një titull tjetër, kështu që libri doli më 1986 pa titull fare, duke qënë një precedent i paparë në historinë kësaj shtëpia botuese shtetërore, pasi ishte vetëm libri i radhës i poetit, jo një kolanë e zgjedhur që bëhej për autorë me krijimtari të gjatë.
Poeti tjetër i këtij brezi Xhevahir Spahiu sistematikisht rezulton të ketë qenë preh e recencave tendencioze të cilat ia kanë vonuar dhe kthyer disa herë dorëshkrimet.
Biles në një rast poeti shkoi dhe e tërhoqi dorëshkrimin pasi disa nga poezitë e përfshira në vëllim dhe të botuara më parë në shtypin letrar ishin kritikuar publikisht nga udhëheqja e lartë partiake.
Pas dënimit të parë të poetit Xhevahir Spahiu dhe fjalimit të Enver Hoxhës në Presidiumin e Kuvendit Popullor, në janar 1973, librat e tij do t’u nënshtroheshin shqyrtimeve të imtësishme dhe recensimeve të kujdesshme nga dy apo tre recensentë të përzgjedhur për prirjet e tyre konservatore. Ndërsa e drejta e botimit i rikthehej përkohësisht pas plenumit të katërt, Spahiu do të gjendej pafundësisht në furinë e kritikëve letrarë, redaktorëve dhe recensentëve vigjilentë dhe dorëfshehtë.
Në fund të fundit edhe recensentët edhe kritika e tyre ideologjike, pasioni i tyre i çuditshëm për të bërë keq, për të ndalur apo kërcënuar me mjetet që regjimi kishte në dorë, ishte shprehje shoqërisë së kazermës, brenda një sistemi të komanduar ku kontrolli i letërsisë dhe arteve, vetë censura ndaj tyre, rezulton të kenë qënë shprehje e dobësisë së sistemit totalitar dhe jo e fuqisë së tij, siç pretendonte ai.
C). Kritika e strukturave të posaçme të administratës shtetërore
Poetët dhe shkrimtarët e talentuar vunë veten në rrezik për atë pak liri shprehje që kishte mbetur në shoqërinë totalitare shqiptare, siç mund të ishte krijimtaria, duke qenë një raport i tyre idividual me lirinë, për këtë shkak edhe rezultonte tërë kohën nën vëzhgimin e strukturave të regjimit përfshirë edhe ato partiake. Vetëm frymëzimi letrar dhe artistik kishte mbetur mistik dhe i pakontrolluar nga zyrat e kritikës ideologjike, por i gjykuar prej saj në çdo fjalë dhe shprehje tjetër artistike të mundshme në muzikë, artet figurative etj.
Liria krijuese në socializëm i kishte të gjitha kundërshtitë dhe masat shtypëse ndaj saj, përfshirë edhe ato parandaluese dhe kontrolluese që u ngritën me kalimin e viteve pranë partisë në nivel qëndror dhe po ashtu edhe nëpër rrethe, për t’u perfeksionuar pas viteve 1973 e në vijim.
Njerëzve të këtyre strukturave u ishte besuar kritika ndaj çdo vepre të dyshimtë dhe për më tej, kontrolli në tërësi i zbatimit të vijës idelogjike të partisë në letërsi dhe arte.
“Kritika e strukturave të posaçme të administratës shtetërore dhe veçmas, ato të administratës partiake të ngarkuara për zbatimin e vijës së partisë në arte, letërsi dhe kulturë, si të thuash funksionalisht kanë bërë detyrën për të shoqëruar me vigjilencë gabimet e mundshme të çdo botimi etj.”[33]
Këta njerëz që zgjidheshin për të punuar në këto struktura partiake, zakonisht gjendeshin nga radhët e shkrimtarëve dhe artistëve, të jetës akademike universitare dhe në raste të veçanta edhe nga radhët e atyre që kishin bërë karrierë në publicistikë. Këta njerëz kishin mundësi që të lexonin shtypin e huaj, të njiheshin me librat e rinj të spektrit të letërsisë dhe kulturës që botoheshin jashtë vendit, përfshirë edhe vendet perëndimore. Kjo u jepte njëfarë përparësie në intepretimin e fenomeneve letrare në perëndim apo në lindjen komuniste dhe njëkohësisht t’u servirnin udhëheqësve të lartë komunist teza të gatshme kundër çdo sprove letrare në vend.
Këto struktura ishin si ndërmejtëse mes partisë në qendër, pra KQ dhe institucioneve të letërsisë, kulturës dhe arteve në nivel kombëtar, përfshirë shtëpitë botuese, redaksitë e gazetave dhe revistave të spektrit të kulturës dhe njëkohësisht, ato ndiqnin me zell implementimin e vijës së partisë në këto institucione deri në bazë.
Shkrimtari Ismail Kadare rezulton të ketë qënë shkrimtari më i përndjekur nga këto struktura, pasi romanet e tij nga “Dimri i vetmisë së madhe” deri tek “Koncert në fund të dimrit” u janë nënshtruar raporteve të imta të strukturave pranë administratës së KQ të Partisë Komuniste. Për fat të keq nga shqyrtimi i arkivave rezulton se shumica e tyre hedhin dyshime për aludime të forta të shkrimtarit kundër regjimit totalitar, si dhe për çoroditjen që ky shkrimtar i kishte sjellë edhe vetë realizmit socialist.
Pothuajse të gjithë njerëzit që punonin në administratën e kulturës pranë partisë në qendër njiheshin me Kadarenë, biles në raste të ndryshme edhe e përgëzonin atë për librat e rinj, por kur uleshin nëpër zyrat partiake të shkruanin raportet për shefat e tyre i bënin ato të zeza. Hipokrizia njerëzore dhe personale në këtë rast është shumë evidente, por ishte tipike për njeriun e ri socialist, për apartaçikun e partisë që të bënte gjëmën pa ditur se nga të erdhi goditja, vetëm kur libri të bllokohej në shtypshkronja apo kur ai nxirrej nga qarkullimi, atëherë kur nuk kishte asnjë mundësi për t’u mbrojtur.
Këtë lloji përshkrimesh nuk kanë qenë të vetmet. Një armatë aparatçikësh nga rrethet, provincat dhe kooperativat nisin sistematikisht kritika amatore, por të qarta në sulmet ndaj shkrimtarit për shmangie të parimeve të realizmit socialist etj.
Brezi liberal i poetëve të viteve 1970 është po kështu pjesë e tematikave të zgjedhura të strukturave të kulturës pranë partisë.
Për poetin Xhevahir Spahiu janë botuar vitet e fundit shumë raporte të njerëzve të kulturës pranë aparatit të partisë në përpjekje për të interpretuar poezitë e tij të dyshimta e formaliste. Ndaj tij rezulton të jenë angazhuar edhe struktura të hetuesisë pranë ministrisë së Brendshme, në përpjekje për të implikuar poetin në grupe armiqësore dhe lëvizje estetike që vinin në dyshim realizmin socialist, nën ndikimin e artit dekadent borgjez, pas burgosjes së Fadil Paçramit.
Për sa i përket poezisë “Jetë” të Xhevahir Spahiut, ekspertët partiakë pranë KQ, mendoj se ishin të pasaktë duke ia servirur udhëheqjes së lartë si një poezi që shprehte filozofinë ekzistencialiste, apo “nën ndikimin e ekzistencializmit” të bërë të njohur nga shkrimtari dhe filozofi francez J.P. Sartër, moment që do ta trajtoj në kapitullin tjetër.
Duke iu rikthyer temës së kritikës së zyrave shtetërore ai shkon edhe më tej në interpretimin tendencioz, biles të rrezikshëm të poezisë moderniste të Spahiut. Në një material sekret të Ministrisë së Brendshme dërguar Komitetit Qendror thuhet se “Gjatë ndjekjes dhe zbulimit të veprimtarisë armiqësore të grupit armik e antiparti në sektorët e artit e të kulturës të kryesuar nga Fadil Paçrami, Todi Lubonja e Dashnor Mamaqi, rezulton se në ngarkim të Xhevahir Spahiut kanë dalë këto materiale.
-I pandehuri Fadil Paçrami, në proceset hetimore ka deponuar “…
“Në poezitë hermetike, të cilat në vetvete paraqitnin paqartësi; linin shumë kuptime, ishin të errëta dhe shkaktonin keqkuptime e ide të shtrembra tek lexuesit. Më të dhënë për këtë proces kanë qenë Fatos Arapi, Xhevahir Spahiu… Me pikëpamjen e ndarjes së brezave ka qenë edhe Xhevahir Spahiu. Si rezultat i kësaj ndodhën gabime të llojeve të ndryshme krijuesish me koncepte dhe shije të ndryshme në bazë shoqërie, njohje, në bazë estetike ose interesa të tjera, deri tek ato lokaliste.
….Duke vepruar në këtë mënyrë u inkurajuan të rinj me pikëpamje të shtrembra ideo-artistike, të cilët u bënë propagandues të shfaqjeve të huaja në letërsinë dhe në artet tona, siç ishin Xhevahir Spahiu, Fatos Arapi, Sulejman Mato, Faslli Haliti, Moikom Zeqo, Ali Oseku, Llambi Blido, Ksenofon Dilo, Nikolla Zoraqi, Shpëtim Kushta, Kristaq Dhamo, Minush Jero e ndonjë tjetër që s’më kujtohet.
-Arkivi i Ministrisë së Rendit, Dosja Hetimore Nr. 2370 A e procesit ndaj Fadil Paçramit. Viti 1975-1976. Cituar nga libri “Kadare dhe regjimi komunist, f.419-430) .
Partia në qendër përveç të punësuarve të saj në sektorin e kulturës, shtypit dhe edukimit që ishin ekspertë të fushës, aktivizonte edhe sigurimin që të përgjonte shkrimtarët, jetën e tyre të përditshme deri edhe thashethemet që thonin për njëri-tjetrin.
Nga ana tjetër partia dhe KQ merrnin informacione nga të dërguarit e zyrave të saj, në të gjitha mbledhjet e rëndësishme të Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve. Sipas materialeve arkivore del se njerëzit e tyre kanë informuar me detaje rreth çështjeve të caktuara. Në njërin prej tyre thuhet se “Në konkluzione u tha se poetët më të mirë tanët dhe të huaj, kanë kaluar nga paqartësia drejt qartësisë, ndërsa te disa poetë, sidomos të rinj, vërehet një fenomen i kundërt: ata kaluan nga poezi të qarta në të tjera të errëta (si të tillë u përmendën Fatos Arapi, Ndoc Gjetja, Moikom Zeqo, të cilët tani që ecin drejt pjekurisë janë bërë më hermetikë e të pakuptueshëm).[34]
Teskti e sqaron udhëheqjen me detaje dhe kompetencë profesionale se si këta poetë kanë rënë nën ndikimin e “Antropomorfizmit” “ku gjithçka merr formë njeriu e animizimi i sendeve vend e pa vend, gjithashtu ndikon për keq dhe errëson përmbajtjen. “Për ilustrim jepen shembuj nga poezia “Lidhja ime me natyrën” e Rudolf Markut, por edhe shembuj të tjertë nga poezitë e Moikom Zeqo, Xhevahir Spahiu, Fatos Arapi etj.
Informacioni nuk lë pa përmendur edhe një polemikë të Ismail Kadaresë i cili siç thotë ky material e ka quajtur kritikun Razi Brahimi “njeri që mban qëndrim policor ndaj letërsisë”.[35]
Në një tjetër informacion kritik që sektori i edukimit i KQ i PPSH-së, i drejtonte KQ të kësaj partie me temë: Mbi disa probleme të letërsisë dhe arteve të kësaj periudhe të revolucionarizimit të mëtejshëm të vendit”, i nisur në vitin 1973 bëhet me dije për ndikime të huaja në letërsi dhe arte, përmendet emri i poetit të ri Moikom Zeqos dhe cikleve të tij, krahas Xhevahir Spahiut dhe Faslli Halitit. Sipas këtij raportit: “Në prozë dhe në dramaturgji i kemi pasur dje shembujt e njohur dhe që i kemi dënuar me kohë, të ndikimeve të huaja, dhe po aty kemi recedivet e reja, si drama e M. Jeors ”Njollat e murrme”, filmi i V. Gjikës ”Yjet e netëve të gjata”, novela e S. Godos “Fushata”, të cilat duhet tani t’u shtojmë, krahas tregimit të I. Kadaresë “Provokacioni” apo dramës së F. Paçramit” Çështja e inxhinier Saimirit”, edhe ndonjë poemë si “Dielli dhe rrëkerat” e F. Halitit, dhe “Shkëlqimi” i V. Qurkut, vjersha si “Jetë” e Xh. Spahiut, ciklet hermetike të Fatos Arapit, M. Zeqos, e ndonjë tjetër”.[36]
Poeti Moikom rezulton të ketë qenë i vëzhguar qysh në gjimnaz në Durrës dhe fakultet, për shkak të miqësisë që kishte patur me shkrimtarin Bilal Xhaferri, ish i persekutuar politik, i arratisur jashtë vendit në vitin 1969.
Zyra e partisë në Durrës, në një relacion të Sekretarit të Parë të Komitetit të KP të Partisë Durrës, Rita Marko dërguar sekretarit të KQ të PPSH-së, Ramiz Alia i nisur më 21 maj 1969, në përdorim “sekret”, jepet informacion me detaje për jetën e Moikomit qysh në gjimnaz. Letra informonte KQ për të zbuluar lidhjet armiqësore të Bilal Xhaferrit dhe natyrisht për të marrë leje për të vepruar.
Në letër thuhet: “Moikom Zeqo nga Durrësi, student i vitit të parë të USHT, kandidat i Lidhjes së Shkrimtarëve, shok shumë i ngushtë me Bilalin, në një artikull të botuar në gazetën tonë lokale shfaqet me rezerva të mëdha në lidhje me romanin “Dasma”. Siç ka pohuar vetë, pak ditë para mbledhjes së diskutimit të romanit, ka lexuar faqet e para të diskutimit të Bilalit, flitet se po Moikomi e ka lajmëruar edhe për mbledhjen. Dyshojmë se dijeni më të plotë për përgatitjen e Bilalit të diskutimit kanë pasur edhe Adriatik Kallulli, e Bedri Myftari, me punë në Tiranë, por që janë shokë të ngushtë të këtij. Në Durrës shoqëri të ngushtë ka pasur edhe me Namik Manen, për të cilin kemi folur më lart dhe që është i pakënaqur nga ndalimi i botimit të poezive të tij. Është shoqëruar edhe me Met Gjergjin, arsimtar dhe anëtar i rrethit letrar të cilit gjithashtu i është pushkatuar babai nga partizanët.”[37]
Për Xhevahir Spahiun sigurimi i shtetit i ka dërguar KQ të partisë edhe një provë tjetër që u kishte rënë në dorë kundër poetit. Siç thuhet “Në një material të përgatitur nga Xhevahir Spahiu, i ashtuquajturi “Simpozium për rakinë”, përçmohen dhe ironizohen mësimet e klasikëve të Marksizëm-Leninizmit dhe zhvillimi i tyre në mënyrë krijuese nga Partija t’onë”, duke vijuar se “Të rinj si Xhevahir Spahiu janë të pakënaqur. P.sh. Ali Oseku ka hedhur fjalë fyese ndaj ish-pedagogëve të tij, duke e quajtur thjesht, bojaxhinj…” Shkresa sekrete është firmosur nga vetë Zv.Ministri i Punëve të Brendshme, Feçor Shehu, në Tiranë, më 1.VI.1977.
Por poeti Xh. Spahiu gjykohet edhe në parti. Në mbledhjen e organizuar “me porosi nga lart” në redaksinë e gazetës “Zëri i Popullit”, në verën e vitit 1977 poetit i bëhet një gjyq i rëndë politik, ku partia në rolin e kritikut letrar, e kualifikon poezinë e tij si të ndikuar nga filozofia e Sartrit. Xhevahiri gjykohet edhe “si poet rebel i pandreqshëm dhe i kritikuar disa herë nga vetë Enver Hoxha.”
Kritika në adresë të KQ të partisë, kundër Xhevahir Spahiut vijnë nga të gjitha anët, përfshirë edhe një letër sekrete e firmosur nga vetë Zv.Ministri i Punëve të Brendshme, Feçor Shehu, në Tiranë, më 1.VI.1977. Në të thuhet se “Të rinj si Xhevahir Spahiu janë të pakënaqur. P.sh. Ali Oseku ka hedhur fjalë fyese ndaj ish-pedagogëve të tij, duke e quajtur thjesht, bojaxhinj. ( Intervistë e gazetarit Arshin Xhezo, mik dhe koleg me Xhevahir Spahiun, dhënë gazetarit Naim Zoto.[38]
Ndërkohë që vetëm disa ditë pasi del në qarkullim revista “Nëntori” kreu i shtetit Enver Hoxha, në një fjalim të mbajtur në Presidiumin e Kuvendit Popullor, më 9 janar 1973, në mesin e disa “direktivave për artin dhe letërsinë” do të merrej personalisht me këtë vjershë të Spahiut.
Hoxha mes të tjerave u shpreh se “Xhevahir Spahiu dhe disa poetë të rinj kanë shumë ide, por mënyra se si i shprehin ato nuk është gjithmonë reale, jetësore”.
Partia në shumë raste është marrë me kritikën dhe analizën e librave të veçantë, kryesisht të Ismail Kadresë. Sipas studiuesit Shaban Sinani “Kjo ka ndodhur jo vetëm me “Dimrin e madh”, ose me “Nëpunësin e pallatit të ëndrrave”, por edhe me “Nata me hënë” dhe “Viti i mbrapshtë”. Në këto raste mbledhjet në KQ improvizoheshin pas letrave, protestave me shkrim, ose së paku dyshimeve që vinin nga organizatat bazë të partisë nëpër rrethe të ndryshme, apo drejtues lokalë të kësaj parti, të cilët shprehnin dyshime të rënda për romanet e Kadaresë që nga më banalet deri tek zbehja e luftës së klasave dhe ndikime nga letërsia perëndimore dekadente.
Në këto raste ishte partia, udhëheqja e lartë politike, ajo që vendoste nëse vepra kishte dalë jashtë parimeve të realizmit socialist, pra nëse duhet të qëndronte në treg apo duhet të shkonte për karton. Po kështu edhe për ndëshkimin e autorit.
Poeti Xh. Spahiu brenda vitit 1973 është marrë dy herë në analizë nga udhëheqja e lartë politike. Pas të ashtuquajturit fjalim të Presidiumit të Kuvendit Popullor në fillim të janarit 1973, ai bëhet përsëri objekt i kritikave të “udhëheqësit” edhe në Plenumin e Katërt të KQ të PPSH-së në fund të qershorit të vitit 1973, i dedikuar pikërisht shfaqjeve të huaja në letërsi dhe arte dhe luftës kundër tyre.
Ishte vetë udhëheqësi në rolin e kritikut letrar që e kualifikoj poezinë “Jetë” të Spahiut si poezi moderniste dhe nën ndikimin e filozofisë idealiste të Sartrit.
Kritika e Hoxhës, që e mbante vetën edhe si njohës së letërsisë, se “Xhevahir Spahiu dhe disa poetë të rinj kanë shumë ide, por mënyra se si i shprehin ato nuk është gjithmonë reale, jetësore”, ishte shkatërrimtare për poetin dhe nxitëse për kritikën zyrtare.
Me Spahiun pas botimit të poezisë “Zogjtë” u mor edhe zyra e Nexhmije Hoxhës në KQ të partisë, duke sjellë një tjetër provë se me kritikën e letërsinë, biles edhe më një poezi të veçantë, merreshin edhe zyrat e partisë.
Reagimi i saj zyrtar me shprehjen se “Kjo vjershë është kundër Enver Hoxhës dhe lihet të kuptohet se armiku i zogjve, d.m.th. i poetëve, është vetë Enveri”, thënë ndihmësve të saj, ishte jo thjeshtë një koment letrar i zakonshëm, por një kërcënim për poetin dhe natyrisht një orientim partiak për ta goditur atë.
Në të dyja rastet e kritikave partiake, masat ndaj Spahiut kanë qenë të rënda dhe me ndikim jo vetëm për krijimtarinë e tij, por edhe për vetë jetën e tij dhe të familjes.
Rolin e kritikës ndaj Xh. Spahiut, e merr edhe organizata e partisë e punës së tij në gazetën “Zëri i Popullit”. Më 1977 kjo organizatë me urdhër të udhëheqjes së lartë improvizon një mbledhje për të analizuar ndikimet dekadente të Spahiut dhe shkeljen prej tij të vijës së partisë në poezitë tij.
Në fund të mbledhjes dilet me pesë masa ndëshkimore ndaj poetit siç ishin: Përjashtimi nga partia, largimi nga gazeta, dëbimi familjarisht nga Tirana dhe internimi në Pukë, dërgimi në minierë për edukim në gjirin e klasës punëtore dhe akoma më keq, ndalimi i botimit…
Nuk ka shembull më të rëndë për ndërhyrjen nga jashtë në jetën letrare dhe krijimtarinë e një poeti se sa kaq. Partia merr rolin e kritikut dhe i shpall poezitë e tij dekadente, partia vendos edhe nëse ai duhet të shkruajë apo jo, nëse do të duhet të botojë më tej, apo jo dhe largimin e tij nga Tirana bashkë më familjen.
Pas dënimit të poetëve, apo shkrimtarëve, ishte përsëri partia në qendër që në komunikim me shtëpitë botuese dhe redaksitë e gazetave përpilonte listën e autorëve që hiqeshin nga qarkullimi, të tjerë që u ndalohej e drejta e botimit, deri edhe ndalimin e librave në proces botimi, biles edhe të një poezie të veçantë, tek e cila dyshohej për dekadentizëm dhe në këtë rast merrej shpejt e shpejt opinioni, apo kritika e specializuar politike e partisë.
Pra partia e bënte edhe censurën paravepruese, ndalimin e veprave apo poezive para se ato të publikoheshin, por edhe censurën pasvepruese, domethënë bllokimin e veprave që ishin në qarkullim, dërgimin e tyre për karton etj.
Kritika partiake merret për sipër edhe interpretimin e poemës “Dielli dhe rrëkerat” të Faslli Halitit e cila u botua në dhjetor të vitit 1972 në gazetën “Zëri i rinisë”. Në fillim udhëheqësit partiakë në rreth dhe pastaj vetë sekretari i KQ për kulturën Ramiz Alia e shpallin atë reaksionare dhe me ide të gabuara.
Ndërkohë që një zyrë redaksie që mendohej e profilizuar për të gjykuar një vepër letrare e kishte botuar poemën si një krijim normal që shprehte revoltën e poetit kundër burokratizmit, aq shumë të potencuar nga partia në atë kohë, tani vetë partia në rolin e kritikut letrar e kualifikon atë si të gabuar.
Nga arkivat kemi parë gjithë letërkëmbimin dhe materialet tjera që KQ kishte grumbulluar si prova kundër Faslli Halitit.
Në fund është udhëheqësi partiak R. Alia ai që e paralajmëron poetin se nuk do të shkonte në burg për poemën e gabuar në pikëpamje ideologjike dhe se do të gjykohej në bazë. Ndërsa pas gjykimit, më mirë me thënë demaskimit publik në Lushnje, poeti u dënua të shkonte për riedukim në orizore pa të drejtë botimi për disa vite në vazhdim.
Kritikës partiake iu nënshtruan shumica e poetëve të shquar të kohës. Ishte kthyer në një mani e strukturave partiake për të kërkuar dhe gjetur gabime ideore në ciklet poetike dhe librat e botuar. Pas këtyre konstatimeve kërcisnin telefonat në redaksi dhe pastaj edhe masat ndaj redaktorëve dhe vetë poetëve. Kësaj kritike i janë nënshtruar edhe poetët Frederik Rreshpja dhe Sadik Bejko.
Sulmet ndaj Rreshpjes do të shkonin deri në dënimin dhe shkatërrimin thuajse përfundimtar të tij, ndërsa goditjet ndaj S. Bejkos, pas bllokimit të botimit të librit të parë për disa vite, do të ishin deri tek ndalimi i botimit dhe puna e krahut si minator për shumë vite në minierë.
Kritika partiake ishte krejt e njëanshme, ideologjike dhe kërkonte të impononte një letërsi në stilin e propagandës. Marrja prej saj e monopolit të kritikës ndaj letërsisë dhe arteve e shpërfytyroi këtë kritikë, duke e zhveshur atë nga çdo ngjyrim estetik, artistik, por edhe nga çdo personalitet. Kritika e realizmit socialist, duke përjashtuar nivelin e studimeve ideologjike të prof. Alfred Uçit, ishte e dobët, jo profesionale dhe e pareferueshme as për kohën.
Kritika partiake ndaj letërsisë dhe arteve ishte një kritikë jo thjeshtë e ruajtjes së artit socialist nga ndikimet dekadente, siç pretendonte ajo, por e spastrimeve të përhershme dhe e masave drastike ndaj shkrimtarëve dhe artistëve.
Ndërsa letërsia ishte e angazhuar për të dhënë një pamje optimiste të jetës dhe siç thuhej, në zhvillimin e saj revolucionar, përpjekjet e poetëve të brezit të viteve 1970 për ta nxjerrë atë nga varfëria tematike, strukturore dhe leksikore, po shiheshin me dyshim nga kritika zyrtare, por edhe nga armata e qindra kolektivave punonjëse dhe individëve që i lexonin këto poezi duke mbajtur veprat e Stalinit në duar dhe fjalimet e diktatorit shqiptar për të parë përputhshmërinë, ose mospërputhshmërinë e tyre me frymën ideologjike të partisë dhe fjalimet e fundit të udhëheqësit.
Fakti që ideologjia e kohës e shikonte letërsinë si një mjet në shërbim të klasës punëtore, e si rrjedhim të refletonte interesat e saj, si një klasë e vetme sunduese e vendit, ishte një joshje e qartë, në mos nxitje e hapur për të vërsulur dogmatizmin klasor kundër letërsisë dhe shkrimtarëve. Koncepti i heroit pozitiv që gjendej në themel të kësaj letërsie, një heroi që fitonte mbi çdo gjë për të mbrojtur interesat e partisë dhe të revolucionit e kishte sjellë vetë letërsinë në një shtrat të ngushtë temash, idesh dhe subjektesh, por nga ana tjetër i kishte dhënë një kriter bazë që klasa punëtore të gjykonte poezinë, tregimin apo romanin.
Një dëshmi e kësaj pandemie ideologjike për të dëmtuar shkrimtarin, në mos shkatërruar atë, është edhe letra kolektive e dhjetë gjimnazistëve të Lushnjës kundër një poeme të Faslli Halitit, të botuar në gazetën lokale të rrethit në fillim të vitit 1972.
Letra ngrinte akuza të forta të karakterit politik, për nxirje të realitetit, për kundërvënie të partisë ndaj pushtetit për zvoglim të rolit të partisë, për deformim të figurës së pushtetarit komunist dhe në fund për ndërhyrje në kompetencat e vetë sistemit. Ishte partia ajo që bënte kritikën, që godiste armiqtë dhe merrte masat e nevojshme. Kush je ti që merr guximin të ngersh probleme të tilla që nxijnë pushtetin popullor dhe deformojnë realitetin objektiv? Ishte një nga pyetjet që iu bënë më shpesh poetit.
Letra e botuar në gazetën “Shkëndija”më 25 janar 1973, me titull “Shënime kritike nga dhjetë gjimnazistë”, fillon me fjalët se “Nuk na e priste mendja se Faslli Haliti do të shkruante një poemë të tillë si “Dielli dhe rrëkerat”. Ajo është frut i një çoroditje politike e ideologjike dhe na jep një pasqyrë në themel të shtrembër të realitetit tonë, të natyrës së pushtetit popullor dhe të marrëdhënieve të partisë me popullin.”[39]
Faslliu ishte sulmuar qysh me daljen e librit me poezi “Sot” nga një tjetër letër, asaj radhe e shkruar nga një shkrimtar dhe njerëz të tjerë pa lidhje me letërsinë përfshirë edhe një punëtor. Kjo e plotësonte konceptin ideologjik të kohës që letërsia duhej të kuptohej nga klasa punëtore dhe do të ishte pikërisht ajo që do të duhej ta gjykonte atë për përmbajtjen e shëndoshë dhe revolucionare.
Nëse letra dashakeqe e shkrimtarit K.R kishte mbetur në sirtar, letra e gjimnazistëve merret seriozisht nga strukturat partiake në rreth dhe në Tiranë dhe që këtu fillon kalvari i gjykimit, biles i demaskimit të poetit lushnjar gjatë pranverës së vitit 1973.
Ka qënë një politikë cinike, bizantine, ajo që përdorte ai sistem në tërësi, siç ishte goditja e kundërshtarëve të tij duke përdorur gjoja vullnetin e popullit, dëshirën e kolektivit punonjës, të organizatës së frontit apo të rinisë në bazë dhe kështu me rradhë.
Kjo ishte bërë praktikë pune sidomos ndaj librave të Kadaresë. Ta zëmë letra e një maturanti nga Berati, e një pensionisti veteran nga Vlora, apo të një të reje nga ndërmarrja filan nga Tirana, kishin fuqinë për të dëmtuar veprën dhe vetë shkrimtarin.
Përveç letrave të shumta që partia merrte nga populli për pothuajse të gjithë librat e diskutueshëm të Kadaresë, letrat vijonin edhe nga shkrimarëve të tjerë të talentuar.
Poeti i talentuar Sadik Bejko e kujton këtë periudhë të vështirë kështu:“Për shumë vite mua më ktheheshin librat që çoja për botim. Vjershën e parë e botova në janar 1965, librin e parë e botova në dhjetor 1972.”
Kishte qënë një letër që i kishte shkuar partisë në rreth e cila e kishte ndëshkuar me pa të drejtë poetin, i cili akuzohej se kishte fshehur të kaluarën e keqe të biografisë politike të familjes së tij, konkretisht gjoja faktin se njerëzit ë tij kishin qenë gjatë Luftës me Ballin Kombëtar apo me organizatat e tjera antikomuniste. Siç ishte praktika, rrethi kishte njoftuar partinë në Tiranë dhe institucionet botuese qëndrore dhe kaq u ishte dashur që libri i tij të mbetej në sirtarët e shtëpisë botuese “Naim Frashëri” për disa vite më radhë dhe vetë poeti të paragjykohej politikisht kudo ku ishte si mësues, ushtar në repartet e punës, në minierë dhe në zyrat e ndërmarrjes së botimit.
Në fund të viteve 1960 letrat nga populli i kishin sjellë shumë vuajtje edhe poetit të ri Ndoc Papleka. Një letër në Komitetin e Partisë së Rrethit në Tropojë e njoftonte këtë institucion ai kishte një baba të pushkatuar nga partizanët në vitin 1944, çfarë e frenon ecurinë normale të shkollimit dhe krijimtarisë së poetit. Ndoci i vogël me shumë vështirësi do të duhej të vinte në Tiranë dhe pas ndërhyrjes njerëzore të Todi Lubonjës ai mundet të fitojë të drejtën e shkollimit të mesëm. Këto letra nga populli siç thotë poeti e kishin bazën në fshatin e tij tek disa dashakëqij të mjerë që uleshin dhe shkruanin letra “kundër djalit të filanit” apo të familjes së filanti për ta shkatërruar.
I është dashur një jetë që Papleka ta ndreqë këtë keqkuptim apo dashakeqësi të letërshkuesit, për të shmangur këtë shpifje që partia kishte tendencë të çuditshme t’u besonte aq lehtësisht. Biles edhe pa marrë informacion fare nga poeti apo personi që e dëmtonte kjo letër. Zyrat e kuadrit vetëm pohonin se ndaj këtij shkrimtari kemi informacione që ka biografi të dyshimtë dhe kaq mjaftonte për të arkivuar emrin e tij si të padëshiruar nga regjimi, për çdo rast karriere, apo vlerësimi.
Për letrat e popullit kundër poetit Ndoc Papleka, e vetmja koncidencë ishte se babai i poetit edhe kushëri i tij kishin vdekur përafërsisht në të njëjtën kohë, por ndërsa kushëriri i tij ishte pushkatuar nga partizanët, babi i poetit të ardhshëm kishte patur një vdekje natyrore, duke e lënë Ndocin të vogël jetim dhe të pa mbrojtje.
Sic thotë Papleka, i është dashur shumë kohë për të sqaruar çështjen e biografisë së dyshimtë me regjimin. Edhe pse ai më shumë vështirësi arrin që të diplomohet në letërsi dhe fillon punë në vendlindje, duke qenë një nga poetët më të mirë në vend, për shkak të biografisë së supozuar, nuk e lejonin që të vinte në një institucion më të rëndësishëm të kulturës në Tiranë.
Pra letrat shkruheshin edhe si inat për të dëmtuar dikë, por edhe si shprehje e vigjilencës partiake revolucionare në shërbim të forcimit të luftës së klasave, por siç thuhej atëherë edhe “kundër armiqve të fshehur në gjirin tonë.”
Një nga poetët më të talentuar të kësaj kohe, Skënder Buçpapaj, ishte objekt i këtyre letrave anonime të cilat njoftonin partinë në qendër dhe në bazë se “biri i një familjeje reaksionare nuk duhet të botonte në shtypin qëndror dhe aq më pak të dilte në libra.” Pra edhe në kohën kur partia bënte një zbehje të luftës së klasave dhe ia lejonte vetes ndonjë tolerim për hir të talentit të fuqishëm të një poeti të ri, ishin pikërisht këto letra që ia kujtonin asaj që të mos bënte ansjë lëshim, të mos ulte luftën e klasave, ndaj armiqve të partisë siç na konsideronin ne si vëllezër.
Skënderi me këtë biografi sterrë për kohën, pas përfundimit të 7-vjeçares, do ta fillonte jetën si punëtor në minierë, por për shkak të moshës së re vetëm 15-vjeçare nuk e lejojnë dhe pas shumë vështirësive të tjera arrinë të rifillojë punë në ndërmarrjen “Rruga-ura”, ku zakonisht punonin ata që dilnin nga burgjet politike, apo që kishin një biografi të keqe, pa të drejtë që të vijonte arsimin e mesëm edhe pse ishte një nxënës i shkëlqyer.
Pas botimit të poezive të para në shtypin qëndror të Tiranës dhe sidomos ciklit të famshëm në revistën “Nëntori” në fillim të vitit 1973, partia do të bënte një lëshim, siç thuhej për hir të talentit, duke e lejuar që Skënderi që të mbaronte me korrespondencë shkollën e mesme pedagogjike dhe të vijonte arismin e lartë, në degën e gjuhës dhe letërsisë.
Çështja e biografisë që tashmë shkruhej nga zyrat e partisë në rreth, do ta pengonte në çdo insistim të institucioneve qëndrore letrare për ta punësuar në Tiranë, duke qenë një poet, studiues dhe publicist i fuqishëm.
Vetëm pas vetos së Dritëro Agollit, në atë kohë kryetar i LSHA, më 1986, Skënderi do të mund të fillonte punë në redaksinë e gazetës “Drita” në Tiranë, pas disa viteve punë rraskapitëse si mësues në fshatrat më të thella të Tropojës.
Gjykimit të letrave nga populli iu nënshtrua edhe poezia hermetike Moikom Zeqos. Ato variojnë nga letrat që sinjalizonin partinë se Zeqo kishte qenë mik i poetit armik Bilal Xhaferi dhe grupit të tij me poetin e internuar Namik Manen etj, deri tek prirjet e tij të përhershme për t’iu kundërvënë realizmit socilast.
Nuk shumë e saktë nëse letrat shkruheshin nga rivalë smirxhinj të poetit, apo dashakëqinj të tij nëpër zyra, por ato vinin në institucione, me një gjuhë që e kalonte kulturën letrare të individëve që i firmosnin apo edhe kolektivave punonjëse.
Na rastin e letrës së gjimnazistëve të Lushnjës kundër poemës “Dielli dhe rrëkerat” të Faslli Halitit, duket qartë që ajo nuk ishte shkruar nga nxënësit, por nga një dorë e stërvitur mirë në letërsi.
Tipike e letrave denoncuese ndaj një poeti mbetet ajo e shkrimtarit K.R me dy persona tjerë, njëri nëpunës dhe tjetri punëtor, të shkruar aty nga viti 1970, kundër vëllimit “Sot” të Faslli Halitit.
Është vështirë të konceptohet se si një shkrimtar të ketë shkruar një letër të tillë që e dënon librin e parë të kolegut më të ri, thuajse në çdo poezi, dhe më e keqja për gabime ideologjike, edhe pse libri ishte shkruar në një frymë të qartë revolucionare të kohës.
Letra, sido që nuk u botua nga “Zëri i Pipullit”, i shkoi tre vjet më vonë sekretarit të KQ për kulturën, për të provuar fajin e gabimit ideologjik të poetit, për të rënduar më tej pozitat e tij tashmë të lëkundura, pas letrës së gjimnazistëve në shkurt 1973.
Letra për “ZP”-në, ishte shkruar në disa faqe dhe bënte një analizë të hollësishme të çdo strofe të poezive të librit, sipas tyre të dyshimtë dhe antirevolucionare.
Të dyja letrat kundë Faslliut do të shërbenin si bazë për kritikën e partisë në Lushnje dhe në Tiranë për të provuar shkitjen e poetit në rrugën armiqësore të nxirjes së realitetit dhe prirjeve siç thuhej “gjysmëformaliste.”
***
Kritika e letrave nga populli ishte një presion ndaj institucioneve botuese për të forcuar frymën ideologjike dhe rritur vigjilencën në zyrat redaktuese. Ajo ishte një stil social i adaptuar në vend nga modeli i dështuar i “revolucionit kulturor kinez”, i implementuar në Shqiperi gjatë viteve 1967-1969.
Kjo praktikë masovike e drejtuar ndaj intelektualëve, shkrimtarëve dhe artistëve ishte një anomali e madhe për jetën kuturore në vend dhe posaçërisht deformuese në komunikimin e shkrimtarëve me lexuesit e tyre. Ajo preku jo vetëm stilin letrar, por edhe vetë mënyrën e jetesës së shkrimtarëv edhe të popullit. Në stilin kinez të njohjes së jetës, shumica e shkrimtarëve dhe artistëve të shquar u detyruan të linin Tiranë, për një apo dy vjet për të shkuar në bazë për të shkruar vepra për jetën e klasës punëtore dhe fshatarësisë kooperativiste.
Kritika e konceptuar si një varg citatesh nga Mao Ce Duni tek Enver Hoxha, e shndërroi kritikën nga një fushë e letërsisë në disiplinë politike, ideologjike.
Vetë Kina prej vitit 1949 e kishte zbatuar realizmin socialist si një politike zyrtare. Citatet e kryetarit komunist Mao për rolin e artistit në shtetin e ri socialist u bënin jehonë atyre të Stalinit të viteve 1930 në Rusi: “Letërsia dhe arti ynë janë për masën e popullit, në radhë të parë për punëtorët, fshatarët, ushtarët”.
Filozofia e revolucionit kulturor në Kinë pati përfundime të tmerrshme në shtetin e madh aziatik me 400 mijë të vrarë dhe me tre milion njerëz të internuar, të prekur, ose të burgosur.
Në Shqipëri, sido që kjo frymë u kapërcye në fillim të vitit 1970 stili i letrave anonime, i fletërrufeve dhe letrave të tjera të fshehta mbeti si një mënyrë e re jetese e njeriut të ri, e stimuluar me entuziazëm edhe nga udhëheqja politike e vendit.
Krtika zyrtare, e botuar në gazetat dhe revistat letrare, kryesisht ato të LSHA-së, e trajtuan ardhjen e këtij brezi poetik, në rastin më të mirë, si një vazhdim të arritjeve të brezit të viteve 1960, apo si një konfirmim i arritjeve estetike të atij brezi.
Kritika, nuk e veçoi brezin e poetëve të vitit 1970 si një gjeneratë që solli ndryshime thelbësore formaliste që mund të konsideroheshin si tipare të reja estetike që mund të tejkalonin brezin pararendës.
Ndërsa brezi i viteve 1960 u udhëhoq nga tre poetë të shquar si Dritëro Agolli, Ismail Kadare dhe Fatos Arapi, tek brezi i viteve 1970 patëm një numër poetësh që shquar që ecën paralelisht me njëri-tjetrin, duke mos patur një apo dy emra që të udhëheqin grupin.
Vetë brezi i viteve 1970, në vend të një ballafaqimi konceptesh teorike, metodologjike me brezin pararendës, zgjodhi të ballafaqohej me këtë brez nëpërmjet një poezie që ishte në fakt shprehje e koncepteve të reja estetike, letrare, e një brezi me një orientim tjetër estetik, pa pretenduar për disidencë dhe brenda asaj që quhej realizëm socialist.
Fakti që ky brez e bojktoi në një farë mënyre vargun klasik me rimë dhe rregulla strikte metrike, duke shkruar kryesisht me varg të bardhë, e nganjëherë me një stil të ngjashëm me prozën, të bazuar tek imazhi, metafora dhe kërkimi abstrakt, nuk u pëlqye as nga kritika zyrtare dhe as nga udhëheqja politike që qëndronte pas kësaj kritike.
Ata panë tek kjo formë e re e të shkruarit, tek subjekti poetik, tek perceptimi poetik dhe tek strukturimi i tyre poetik, një prirje të dukshme formalizmi, tërësisht e papranuar për konceptet dogmatike të realizmit socialist shqiptar.
Mbështetja që iu dha këtij brezi poetësh të talentuar, deri nga mesi i vitit 1973, do t’u hiqej me vënien e tyre në listën e poetëve dekadentë, të ndikuar prej hermetizmit, ekzistencialimit dhe rrymave të tjera moderne, të dënuara nga regjimi politik.
Fakti që shumica e këtij brezi, pas plenumit të katërt, iu nënshtruan dënimeve, internimeve, punëve të detyruara në kooperative dhe kantjere, e dëmtoi rrugën e tyre të afërmimit veç e veç, apo në grup, duke ndërprerë lëvrimin prej tyre të një poezie të re, që siç thoshte Rugova ndryshonte në figurë, në imazh dhe shenjë, me atë të brezit pararendës.
Një poezi e cila pati ndikimet e saj nga poetë të mëdhenj si Uitmani, Ricosi, Lorka, Elyari etj, por edhe nga poezia shqipe që shkruhej në Kosovë, një poezi simbolike, hermetike e imponuar nga rrethanat politike për shkak të shtypjes serbe, njëkohësisht edhe si ndikim i poezisë perëndimore, me të cilën ata kishin kontakte.
Vetë kritika nuk mendoj se do mund të investonte për të njohur dhe evidentuar një brez tjetër letrar, që dukej qartë se kishte një perceptim të diskutueshëm poetik dhe prirje në shumë raste për errësim të vargut, e sidomos jashtë vullnetit politik shtetëror, ndërkohë që kjo politikë kishte bërë zgjedhjen e vet me Agollin, Kadarenë, Arapin dhe plotësuar atë që quhej hierarki poetike.
Burgosja e Frederik Rreshpjes dhe Visar Zhitit, heqja e të drejtës së botimit të Xh. Spahiut, dërgimi në minierë i Sadik Bejkos, vdekja e Viktor Qurkut, shpërngulja në provincë e hermetikut Moikom Zeqo dhe Sulejman Matos, frikësimi Paplekës dhe heshtja e imponuar e Skënder Buçpapajt, Hamit Aliajt dhe Rudof Markut etj, i nxori të gjithë bashkë nga vëmendja e kritikës zyrtare.
Biles vetë kritika jonë ideologjike, u ndje mirë me ketë spastrim, pasi nuk do të provokohej më tej nga poezia e tyre e paqartë dhe me prirje formaliste. Liria krijuese ishte diçka që nuk tolerohej nga rregullat strikte të letërsisë socialiste dhe nga vetë kritika që e mbikëqyrte këtë proces.
Pjesë më e madhe e këtij brezi tashmë përmendeshin në listën negative të poetëve me ngarkesa të modernizmit, hermetizmit, ekzistencializmit, metaforizmit, etj.
Megjithatë ky brez, duke e pasuruar poezinë shqipe në stil dhe formë, e nxorën atë nga funksioni i tepërt ideologjik, për ta çuar në shtratin e vet natyror, si poezi subjektive e lirizmit individual, si poezi e shpirtit human dhe e refleksioneve të thella për jetën, dashurinë dhe vdekjen. Kjo i bëri ata individualitete të spikatura të një brezi të humbur letrar dhe kaq mendoj unë, mjafton që ata të hyjnë në historinë e letërsisë shqipe si poetë avangardë të një ndryshimi që do të vinte të paktën dy dekada më vonë.
Ndërsa brezi i viteve 1960 me meritë e mbajti kreun e piramidës, duke ushqyer deri në fund letërsinë me modelin e poezisë politike revolucionare, brezi i shtatëdhjetës i kishte hyrë tashmë një lufte për ekzistencë. Thuajse e gjithë pjesa tjetër e këtij brezi që i kishte shpëtuar burgut, në mesin e viteve 1970, ishin të shpërndarë anembanë vendit si punëtorë krahu, kooperativistë, minatorë dhe mësues të thjeshtë në shkollat më të largëta dhe të rrënuara të vendit. Ata, për ironi, ishin shndërruar në atë që kërkonte metodologjia e majtë prej Marksit tek Stalinit, në “heronj tipik, në rrethana tipike”.
Tashmë nuk kishte asnjë mundësi që të dëgjohej zëri i tyre, që të promovoheshin konceptet e tyre estetike, ata nuk patën mbështetje, influencë dhe as kohë të mjaftueshme, që të sistemonin konceptet e tyre, për t’iu imponuar kritikës dhe historiografisë që përsëriste të njëjtën hierarki emrash në sinkron me partinë që ishte kritikja më e madhe letrare.
Vetë kritika duke qenë një kritikë ideologjike, anashkaloi poezinë e brezit të viteve 1970 e cila kishte fytyrë tjetër të konceptuar si një alternativë e shpirtit krijues modern, me ndikim perëndimor, ndërkohë që poemat e brezit të viteve 1960 ishin një model politik i artit të angazhuar që përkonte me stilin e qeverisjes së vendit në rrethimin e egër imperialist dhe revizonist, apo duke çarë historinë me shpatë në dorë, e të tjera sllogane politike si këto.
Kritika e kohës, nuk e evidentoi faktin që poetët e brezit të viteve 1970 i dhanë fund imitimit të poezisë ruse në letërsinë shqipe.
Kjo kritikë ishte vetë një variant dogmatik i kritikës sovjetike, duke përjashtuar me entuziazëm çdo trashëgimi të kritikës moderne shqiptare, sidomos atë të viteve 1930.
Kritika letrare e gjysmës së dytë të shekullit të njëzetë, mohoi çdo gjë nga arritjet e ndjeshme të kritikës së shkollës perëndimore të viteve 1930, në Shqipëri, sido që ishte e përbërë nga emra të mëdhenj dhe më shumë kulturë.
Kritika ideologjike duke e ndarë letërsinë shqipe në reaksionare dhe përparimtari, përshtatën mekanikisht stilin sovjetik të gjykimit të vlerave tona kombëtare, letrare.
Sipas akademike Floresha Dado, “ … kritika e gjysmës së dytë të shekullit të kaluar në vend që të përqëndrohej te çështja: ç’është një poezi?, iu drejtua aspektit tjetër: Ç’është poeti? Ishte klerik? Apo kundërshtar i regjimit komunist? Apo idhtar i sistemeve të tjera kulturore?[40]
Pra është e qartë se kritika e kësaj periudhe u përqëndrua tek autori, tek biografia e tij, tek bindjet politike, sipas koncepteve politike marksiste që ndaheshin në reaksionare, antikombëtare apo përparimtare patriotike, dhe jo tek vepra. Pra kritika, në konceptet e saj metodologjike qe në unison me ideologjinë në trajtimin e këtyre fenomeneve letrare kombëtare.
Ky kriter mendoj se u ndoq edhe për brezin e viteve 1970, të cilët duke u konfliktuar me regjimin për parime estetike, u përjashtuan nga kritika letrare, duke hyrë të analizat e tyre vetëm në paragrafin e poetëve që kishin provokuar realizmin socialist me shfaqjet e tyre dekadente në poezi.
Duke u përqëndruar vetëm tek implementimi i partishmërisë proletare, siç konstaton me të drejtë prof. F. Dado, kritika letrare e humbi funksionin e saj dhe po kaq edhe raportin me shkrimtarin dhe lexuesin.
Në këtë kuptim poezia me prirje moderne e brezit të viteve 1970, ishte e paragjykuar dhe e anshkaluar nga kritika zyrtare, pasi i mungonte shfaqja e partishmërisë së lartë, siç ishte implementuar tek poemat e brezit të viteve 1960 që u identifikuan qartazi me socializmin, me poemat e tyre të stilit futuristo-komunist të industrializimit dhe reformave të thella socialiste.
Kritika e letërsisë socialiste përveç të tjerash rezulton të ketë qenë konfuze edhe në terminologjinë e përdorur, së pari duke përshtatur në mënyrë shabllone nga shkolla sovjetike konceptin “metoda e realizmit socialist.”
“Në gjithë literaturën tonë kritike termi “metoda e realizmit socialist’ është përdorur për të emërtuar fenomenin “letërsia e realizmit socialist.[41]
Nuk është vetëm përdorimi i pasaktë i terminologjisë së kritikës letrare që e bën atë aq të dobët dhe të dështuar se sa kufizimet ideologjike që e përcaktuan punën e saj si kritikë letrare. Kjo kritikë ishte mospajtuese me funksionin e saj themelor të interpretimit të letërsisë.
Pasi nuk do pyetje që “Interpretimi është problem metodologjik dhe hermeneutik. Kur them se është problem metodologjik, kuptoj zgjidhjen e aspektit teorik dhe metodën nga i qasemi veprës, e kur them hermeneutik, kutoj se kemi të bëjmë me metodën që në plan të parë ka interpretimin e veprës.”[42]
Është e qartë se letërsia e realizimit socialist, apo letërsia socialiste nuk arriti të bëhet drejtim letrar, pasi ajo ra bashkë me sistemin e saj idelogjik, por çfarë duhet të ketë qënë atëherë? Jam i sigurtë se metodë nuk ka qënë, në gjithë kuptimin e fjalës. Termi u përdor shabllon nga kritika letrare pa bërë një interpretim të saktë të tij. Edhe “Fjalori shpjegues i termave të letërsisë, botim i vitit 1972, e përkufizon termin “metodë” në përgjithësi “si mënyrë të studiuari”, por kur vjen puna për të përkufizuar “metodën artistike” autorët bëjnë lojë fjalësh çfarë shpreh pozitat kunfuze të tyre, të paqarta. Më saktë fjalori jep një përkufizim të tillë: “Metoda artistike është një nga parimet e riprodhimit artistik të karakteristikës shoqërore të jetës, është parimi i pasqyrimeve të karaktereve në figura artistike. Metoda artitike pra ka të bëjë me principtin e tipizimit.”[43]
Në përkufizimin bashkëkohor të termit, “Fjala metodë do të thotë rrugë për të ecur. Në fjalorë dhe enciklopedi të ndryshme nocioni metodë përkufizohet si mënyrë, rrugë, veprim që ndjekim për të arritur ndonjë qëllim. Në shkencë metoda është rruga që ndjekim për të zbuluar të vërtetën. Po qe se dëshirojmë ta thjeshtëzojmë pakëz problemin do të mund të thoshim si t’i hulumtosh në mënyrë kritike, racionale dhe sistematike detyrat që dalin gjatë punës sate shkencore dhe krijuese, do të thotë të kesh metodë.”[44]
U ndalëm për të dhënë një aspekt të paqartësisë së kritikës së realizmit socialist dhe operimit të saj me terma politikë në fushën e studimit të letrave, jo aq për të rënduar pozitat e kësaj kritike të imponuar, se sa për parë dëmet që ajo i solli letërsisë shqipe për rreth një gjysmë shekulli, me paaftësinë e saj.
Duke qënë skajshmërisht ideore dhe pragmatiste kjo kritikë nuk u përqëndrua tek brezi liberal i poetëve të viteve 1970, të cilët preferuan tema të përjetshme ai ato të dashurisë, dhimbjes, dobësisë njerëzore dhe hamendjes për të nesërmen, duke qënë një poezi që inspironte ndjenja të fuqishme estetike, por jo aq ideologjike. Biles këtij brezi iu pa si e metë e madhe shmangia prej tij edhe e temës së luftës nacionalçlirimtare.
Për shkak të këtij studimi më është dashur të lexoj thuasje cdo gjë nga kritika letrare e viteve 1968-1976 dhe nuk ka asnjë hamendje, kjo kritikë është 100% ideologjike. Lavdrohen poetë për temën e aksioneve, të luftës së klasave, për “pohimin realist të jetës dhe pasqyrimin e së resë revolucionare” dhe përgjithësisht poezitë që trajtojnë tema të tjera ose nuk përmenden fare, ose futen në listën e poezive jo përfaqësuese, biles problematike.
Në fund mendoj se ky brez letrar ekperimental u anashkalua, apo nuk u evidentua në përmasat që ai e meritonte edhe pse kritikës letrare të kohës i mungoi profesionalizmi i nevojshëm për ta interpretuar atë.
Kritika deri nga fundi i viteve 1980, kur hynë në këtë fushë studiues të rinj dhe mjaft të përgaditur, si Skënder Buçpapaj, Rudolf Marku e ndonjë tjetër, kritika lëvrohej nga njerëz me kulturë të kufizuar teorike e letrare dhe posacerisht gjuhesore. U mungone aftësia profesionale të bënin analizë teksti.
Kjo vërehet në recencat, shënimet dhe kritikat e botuara në shtypin letrar, në të gjithë artikujt kritikë të natyrave analitike, deri tek studimet kritike të mbajtura nëpër konfercat apo plenumet që organizoheshin për letërsinë dhe posacërisht për kritikën e kohës, ku tekstet ngjajnë me fjalimet politike.
Kjo dobësi profesionale, bëri që kritika të orientohej drejt një qasje ideore, ideologjike. Për këtë shkak akademike F. Dade shprehet se “Shkrimtarët e ndien veten të lavdëruar, apo të kritikuar vetëm në aspektin ideor”.[45]
Brezi i poetëve të viteve 1970, sido që shkroi brenda kornizave të realizmit socialist, ishte larg këtyre klisheve që kërkonte kritika ideologjike për letërsinë. Prandaj mendoj se edhe kjo lloj kritike e tipit zhdanovist i anashkaloi ata.
KUSH ËSHTË DR. MUJË BUçPAPAJ ?
Poeti dhe studiuesi i letërsisë dr. Mujë Buçpapaj ka lindur në Tropojë, Shqipëri (1962). Është diplomuar në degën Gjuhë dhe Letërsi Shqipe, Universiteti i Tiranës (1986).
Në vitet 1991-1992 ka studiuar për dy vjet për skenar të filmit artistik pranë Kinostudios “Shqipëria e Re“, Tiranë, sot “Albafilmi“( të konsideruara si studime postmasteriale), si dhe ka kryer shumë kualifikime të tjera të spektrit të kulturës në vend dhe jashtë tij.
Mujë Buçpapaj është doktor i shkencave letrare me një tezë për mbijetesën e poezisë shqipe gjatë censurës komuniste, të mbrojtur pranë Institutit të Gjuhësisë dhe Letersisë të Akademisë së Shkencave të Republikes së Shqipërisë.
Është një nga themeluesit e pluralizmit politik dhe të shtypit të lirë në Shqipëri (1990) dhe gazetar për shumë vjet në gazetat më të njohura të Tiranës.Është drejtues i gazetës letrare dhe kulturore “Nacional”, i Shtëpise Botuese “Nacional” dhe Institutit te Studimeve dhe Projekteve Nacionale.
Në vitet 1991-2005 ka qënë bashkëthemelues dhe gazetar pranë gazetës së parë opozitare në vend pas 50 vjetëve diktaturë komuniste “Rilindja Demokratike” dhe themelues i gazetës “Tribuna Demokratike.”
Në vitet 2005-2009 ka qënë drejtor i Qendrës Ndërkombëtare të Kulturës në Tiranë, ndërsa në vitet 2010-2014 Drejtor i Zyrës shqiptare i të drejtave të Autorit, në Tiranë.
Pas vitit 2014 e në vazhdim është marrë me drejtimin e Botimeve “Nacional” dhe gazetes “Nacional.”
Aktualisht është edhe pedagog në Universitetin “Luarasi” Tirane ku jep lënden e Shkrimit Akademik.
Buçpapaj është një nga eksponëntët më të shquar të poezisë bashkëkohore shqiptare me suksesin më të madh kombëtar dhe ndërkombëtar, përkatësisht i botuar në disa gjuhë të huaja dhe i nderuar me disa çmime prestigjioze ndërkombëtare nga Greqia deri në SHBA dhe një nga manaxherët më të spikatur të kulturës në vend.Hartues i politikave kulturore.
Është organizator dhe drejtues i shumë konferencave nderkombëtare të mbajtura në Tiranë për problemet e artit, letërsisë dhe të të drejtave të autorit.
Është autor i shumë librave studimorë për letërsinë dhe atyre me poetikë , por edhe i qindra shkrimeve publicistike, kritikave, esseve, studimeve përfshirë edhe ato për problemet rajonale, sigurinë kombëtare si dhe për manaxhimin e artit në kushtet e tregut, politikat kulturore dhe strategjinë kombëtare të kultures.
Njihet si një nga debatuesit më të fortë publikë për problemet e tranzicionit shqiptar, zhvillimeve politike rajonale, si dhe të demokracisë në tërësi. Është themelues i gazetës/revistës “Nacional” dhe drejtor i saj. Jeton, punon dhe krijon në Tiranë, së bashku me gruan dhe dy vajzat.
Mund të kontaktoni:
E-mail: [email protected]
Mob: +355 6820 74 316
[1] Ibrahim Rugova: “Teoria letrare. Tekste të zgjedhura”, Prishtinë, 2013, f.146.
[2] Për më tepër shih: Ibrahim Rugova: “Teoria letrare. Tekste të zgjedhura”, Prishtinë, 2013, f.145-156.”
[3] https://www.theartstory.org/movement/socialist-realism/history-and-concepts/
[4] Floresha Dado:“Letërsi e interpretuar”, Tiranë , 2009, f. 22.
[5] Floresha Dado:“Letërsi e interpretuar”, Tiranë , 2009, f. 22.
[6] Ibrahim Rugova: “Teoria letrare. Tekste të zgjedhura”, Prishtinë, 2013, f. 148.
[7] Për më tepër shih ‘ Agim Vinca:”Metoda letrare”, Prishtinë 2013, f.145-179.
[8] Martin Camaj: https://sq.wikipedia.org/wiki/Ernest_Koliqi.
[9] Dalan Shapllo: “Mbi disa tendenca kryesore të letërsisë së shekullit XX dhe mbi qëndrimin ndaj saj. Revista “Nëntori”nr. 4, 1974, f. 129.
[10] Dalan Shapllo: “Mbi disa tendenca kryesore të letërsisë së shekullit XX dhe mbi qëndrimin ndaj saj. Revista “Nëntori”nr. 4, 1974, f. 128.
[11] Ibrahim Rugova: “Refuzimi estetik” (Prishtinë 1987), marrë nga “Teoria letrare, tekste të zgjedhura” Prishtinë 2013, f. 147
[12] Ibrahim Rugova: “Refuzimi estetik” (Prishtinë 1987), marrë nga “Teoria letrare, tekste të zgjedhura” Prishtinë 2013, f. 148.
[13] Ibrahim Rugova: “Refuzimi estetik” (Prishtinë 1987), marrë nga “Teoria letrare, tekste të zgjedhura” Prishtinë 2013, f. 148.
[14] Ibrahim Rugova: “Refuzimi estetik” (Prishtinë 1987), marrë nga “Teoria letrare, tekste të zgjedhura” Prishtinë 2013, f. 149.
[15] Ibrahim Rugova: “Refuzimi estetik” (Prishtinë 1987), marrë nga “Teoria letrare, tekste të zgjedhura” Prishtinë 2013, f. 153.
[16] Ibrahim Rugova: “Refuzimi estetik” (Prishtinë 1987), marrë nga “Teoria letrare, tekste të zgjedhura” Prishtinë 2013, f. 154-155
[17] Ibrahim Rugova: “Refuzimi estetik” (Prishtinë 1987), marrë nga “Teoria letrare, tekste të zgjedhura” Prishtinë 2013, f. 156
[18] Floresha Dado:”Letërsi e painterpretuar” (studim) Tiranë, 2010, f.254.
[19] Ibrahim Rugova: “Refuzimi estetik” (Prishtinë 1987), marrë nga “Teoria letrare, tekste të zgjedhura” Prishtinë 2013, f. 160
[20] Dalan Shapllo: “Format e ndryshme të pasqyrimit plotësojnë njëra-tjetrën”. Plenumi i kritikës, organizuar nga LSHA prej 24-25 shkurt 1972. Marrë nga revista Nëntori nr. 4, 1972, f.4-43
[21] Gjergj Zheji:”Kritika dhe teoria”.Mbajtur në “Plenumi i kritikës, organizuar nga LSHA prej 24-25 shkurt 1972”. Marrë nga revista Nëntori nr. 4, 1972, f.4-43.
[22] Razi Ibrahimi: “Të luftojmë qëndrimet subjektive”. Plenumi i kritikës, organizuar nga LSHA prej 24-25 shkurt 1972. Marrë nga revista “Nëntori” nr. 4, 1972, f.4-43.
[23] Qamil Buxheli: “Për një kritikë militante”. Plenumi i kritikës, organizuar nga LSHA prej 24-25 shkurt 1972. Marrë nga revista Nëntori nr. 4, 1972, f.4-43.
[24] Dritëro Agolli: “Gjashtë çështje për kritikën: Plenumi i kritikës, organizuar nga LSHA prej 24-25 shkurt 1972. Marrë nga revista Nëntori nr. 4, 1972, f.4-43
[25] Fadil Paçrami: “Kemi nevojë për një kritikë me autoritet.” Plenumi i kritikës, organizuar nga LSHA prej 24-25 shkurt 1972. Marrë nga revista Nëntori nr. 4, 1972, f.4-43.
[26] Arshi Pipa:”Contemporary Albanian Literature” East European Monographs, boulder. Distri by Colombia University Pres, New York, 1991, f.112.Cituar nga Fleresha Dado: “Letërsi e painterpretuar” Tiranë 2010, f. 255.
[27] Andon Kuqali: Kritika të orientojë e të hapë horizonte për të ardhmen. Plenumi i kritikës, organizuar nga LSHA prej 24-25 shkurt 1972. Revista “Nëntori” nr. 4, 1972, f.4-43.
[28] Viktor Gjika: “Për një kritikë kinematografike profesionale”. Plenumi i kritikës, organizuar nga LSHA prej 24-25 shkurt 1972. Marrë nga revista Nëntori nr. 4, 1972, f.4-43.
[29] Jorgo Bulo: “Kritika ka nevojë për kritere shkencore.”Plenumi i kritikës, organizuar nga LSHA prej 24-25 shkurt 1972. Marrë nga revista Nëntori nr. 4, 1972, f.4-43.
[30] Floresha Haxhiaj: “Të përdorim një terminologji të saktë”. Plenumi i kritikës, organizuar nga LSHA prej 24-25 shkurt 1972. Marrë nga revista Nëntori nr. 4, 1972, f.4-43.
[31] Shaban Sinani: “Historia e letërsisë shqipe: Çështje të hapura”, Tiranë 2015, f.226- 243.
[32] Shaban Sinani: “Historia e letërsisë shqipe: Çështje të hapura”, Tiranë 2015, f.226- 227.
[33] Shaban Sinani: “Historia e letërsisë shqipe: Çështje të hapura”, Tiranë 2015, f.226- 243.
[34] Informacion për diskutimin “Mbi poezinë”, të zhvilluar në Lidhjen e Shkrimtarëve dhe Artistëve më 15-16 mars 1973. Arkivi Qendror i Shtetit. Ap. Komitetit Qendror të PPSH-së, (Struktura) Fondi 14, Dosja 46, Viti 1973. Fl. 4-7
[35] Informacion për diskutimin “Mbi poezinë”, të zhvilluar në Lidhjen e Shkrimtarëve dhe Artistëve më 15-16 mars 1973. Arkivi Qendror i Shtetit. Ap. Komitetit Qendror të PPSH-së, (Struktura) Fondi 14, Dosja 46, Viti 1973. Fl. 4-7.
[36] Arkivi Qendror i Shtetit, Ap. Komitetit Qendror të PPSH-së, (Struktura) Fondi 14, Dosja f.19-59, Viti 1973
[37] Arkivi Qendror i Shtetit. Fondi 14. Ap. Komitetit Qendror të PPSH-së, (Struktura) Dosja 584-585, Viti 1967, 1969. f. 1-180-214.
[38] https://www.voal.ch/zbulohet-dokumenti-ku-sigurimi-i-shtetit-kerkonte-arrestimin-e-poetit-xhevahir-spahiu/ 1 tetor 2015.
[39] Arkivi Qendror i Shtetit. Fondi 14. Ap. Komitetit Qendror të PPSH-së, (Struktura) Dosja 308. Viti 1973.
[40] Floresha Dado:”Letërsi e painterpretuar”, Tiranë 2010, f.246.
[41] F.Dado: “Letërsi e painterpretuar”, Tiranë 2010, f. 179.
[42] Ibrahim Rugova:Teoria letrare. Tekste të zgjidhura. Prishtinë, 2013, f.60.
[43] Fjalori shpjegues i termave të letërsisë, Tiranë1972, f.139.
[44] Agim Vinca: “Metodat letare “, Prishtinë 2016, f 11.13.
[45] F.Dado: “Letërsi e painterpretuar”, Tiranë 2010, f. 248.