Presidenti i Partisë së Lirisë, Ilir Meta është shprehur se vite me parë kishte menduar që të tërhiqej përfundimisht nga politika, por zhvillimet e ndodhura si djegia e mandateve të deputetëve në vitin 2019 bënë që të qëndronte.
Në një intervistë për emisionin “Opinion”, Meta tha se tashmë pas arrestimit është vendosur për të qenë aktiv në politike ndonëse është në paraburgim.
“Unë e kisha një plan për t’u larguar nga politika, kur edhe pse me dilema, pranova të bëhem President i Republikës, e nëse nuk do kishin ndodhur çmendurira si komploti për djegien e mandateve dhe marrëzia si betimet te “Lana” të anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese ndoshta sot do të isha si ambasador në Danimarkën time të preferuar.
Ato që ndodhën e bënë të pashmangshëm rikthimin tim në politikën aktive atje ku mund të ndryshohen gjërat në themel. Që ditën e parë të largimit nga detyra e Presidentit të Republikës, shpikën një “e-mail” nga SHBA, se gjoja unë kisha qenë bashkëpunëtor i Sigurimit të Shtetit, një palaçollëk që zgjati nja një vit duke përgojuar persona jopublikë.
Pastaj pasi zbuluan disa telefona të njerëzve pranë meje, u përpoqën që të largohesha vetë me të “mirë”. Dhe meqënëse unë jo vetëm nuk u largova me të “mirë” dhe nuk u arratisa nga frika e letërporosive që vinin çdo ditë, i ranë shkurt dhe më rrëmbyen në 21 Tetor 2024.
Largimi im nga politika tani, për mua është vetë brektisja e Lirisë, e cila është në ADN-në time. Ndaj jam më i vendosur se kurrë që të luftoj, jo thjesht për lirinë time, por të të gjithë shqiptarëve të ndershëm dhe patriotë” – tha Meta.
Ai foli edhe për marrëdhëniet me ish-bashkëshorten e tij Monika Kryemadhi për të cilën tha se nuk ka më kontakte.
“Ndarja jonë reale politike ka nisur me vendimin e saj të njëanshëm për djegien e mandateve të LSI në shkurt 2019. Kjo ndarje politike u bë përfundimtare nga 21 Nëntori 2023 dhe më 27 Prill 2024 kur u bë Konventa Kombëtare e Partisë së Lirisë. Djegia e mandateve të LSI më vendosi vërtet në cep pasi mbeta President, i vetëm, përballë një Kuvendi me 122 mandate që çdo minutë mund të më shkarkonte.
Shtoji kësaj situate edhe grupin e strukturuar diplomatik të asaj kohe. Por atë ditë që vura dorën mbi Kushtetutë si President, u betova se jo vetëm do ta mbroja Kushtetutën me çdo çmim e në çdo rrethanë, por edhe se do ta përfundoja të plotë deri ditën e fundit mandatin ashtu siç ndodhi.
Tani që t’iu përgjigjem pa asnjë ekuivok.
Nuk ekziston asnjë rakordim midis meje dhe Znj. Kryemadhi, as për procesin gjyqësor dhe për asgjë tjetër. Po kështu, përgjegjësitë tona ligjore janë shumë të ndara edhe pse prokurorët duan të na bashkojnë në këtë proces në mënyrë shumë të sforcuar, sepse përgjegjësia penale është individuale.
Lidhur me çështjen CEZ-DIA, Znj. Kryemadhi nuk ka asnjë lidhje. Lidhur me lobimet për McKeon Group, ajo nuk ka asnjë lidhje, pasi është çështje ku jam përfshirë vetëm unë me kërkesën dashamirëse të Z. Vangjel Tavo në atë kohë. Vetë autoritetet amerikane e çmontuan shpifjen e 1 milion dollarëve të botuar nga Mother Jones dhe Austri, etj.
Është provuar se ka vetëm një pagesë të ligjshme 15 mijë dollarë dhe kjo përmes bankës dhe me vendim të Kryesisë së LSI. Lidhur me marrëveshjen LSI – GSIS ajo është shumë precise dhe unë nuk kam asnjë firmë apo autorizim për pagesa. Sidoqoftë marr çdo përgjegjësi ligjore për këtë marrëveshje deri në prill 2017 kur kam dhënë dorëheqje nga Kryetar i LSI pas zgjedhjes si President i Republikës, sipas obligimeve të statutit të LSI.
Vetëm prokurorët politikë mund t’u kërkojnë të dhëna autoriteteve amerikane për këtë marrëveshje me LSI, për Ilir Metën, si Kryetar i saj deri në vitin 2018 (!!!). Po kështu, vetëm prokurorët politikë mund t’i gënjejnë zyrtarisht autoritetet amerikane të drejtësisë siç është letërporosia e 11 Marsit 2025, se gjoja ata kishin provuar se i pandehuri Ilir Meta ka përdorur 3 karta amerikane (!!!).
Nëse ata provojnë gjatë gjyqit se unë kam përdorur ndonjëherë një kartë shqiptare e jo amerikane apo afrikane, ik përgjithmonë nga politika dhe jeta publike. Pra në akuzën prej 220 faqesh janë vetëm 30 faqe për CEZ-DIA plot gënjeshtra dhe asgjë tjetër për mua. Subjekti i posaçëm për deklarimin e shpenzimeve apo pasurisë mban përgjegjësi penale vetëm për ato që deklaron vetë dhe jo personi i lidhur me të, i cili mban vetë përgjegjësi për çfarë deklaron.
Nuk ekziston asnjë shpenzim i padeklaruar nga unë. Znj. Kryemadhi dhe nëna e saj kanë patur shumë të ardhura të ligjshme dhe pasuri të patundshme që janë publike. Unë kurrë nuk jam përzjerë me llogaritë dhe interesat e tyre, aq më tepër të kushërirave dhe kushërinjve të tyre. Sidoqoftë ato kanë avokatët e tyre. Po kështu, asgjëkundi në akuzë pas çështjes CEZ-DIA, nuk ekziston asnjë veprim, e-mail, sms e imja për të gjitha episodet e përfshira.
Thjesht “telefon i prishur”. Natyrisht edhe ëndrra e parealizuar për të krijuar prova penale, këtu përmes izolimit ekstrem e provokimeve ordinere. Sidoqoftë, i falenderoj për vettingun 34-vjeçar që më kanë bërë” – tha Meta. /Marrë nga Opinion.al