Kreu i PD-së, Sali Berisha në fjalën e tij pas daljes nga godina e SPAK, ka deklaruar se landfilli i Elbasanit ishte prej 6 ditësh në flakë duke e quajtur ngjarjen një krim mjedisor.
Berisha u shpreh se qytetarët e Elbasanit pësuan agresionin toksik më të madh në historinë e qytetit. Gjithashtu theksoi ai, e njëjta gjë po ndodh edhe në qytetin e Vlorës.
“Tani, siç jeni informuar për 6 ditë me radhë, qytetarët e Elbasanit pësuan agresionin toksik më të madh në historinë e atij qyteti. Ky krim i rëndë mjedisor, sikundër krimi i rëndë ciklik mjedisor në Vlorë, nuk ekziston për Altin Troplinin, paçka se ligji, krimet mjedisore ia kërkon këtij institucioni sepse i ka shpallur krime të rënda.
Pra, ky mercenar i Edi Ramës, ka vendosur institucionin në funksion fund e krye të partisë së krimit dhe të qeveritarëve të krimit. Të digjen fusha e plehrave në Vlorë çdo 3 muaj, të marrin vlonjatët dioksinë që mund të ketë në ato plehra dhe mund të krijohet nga djegia. Pa diskutuar pastaj efektet e mirëfillta kancerogjene nga djegiet, të gjitha këto nuk ekzistojnë sepse ky është një peng i verbër i Edi Ramës dhe Ulsi Manjës”, tha Berisha.
Berisha sqaroi edhe arsyen e mos marrjes pjesë në seancën e parë për dosjen “Partizanin”. Ai tha se nuk kishte marrë një njoftim zyrtar dhe se ishte në një udhëtim.