Protesta qytetare kundër qeverisë hyn sot në ditën e 62-të. Si çdo mbrëmje, qytetarët do të mblidhen në sheshin “Skënderbej”. Më pas do të marshojnë drejt Kryeministrisë, ku pritet të mbahen fjalime nga aktivistë dhe pjesëmarrës në protestë.
Protestuesit kanë përsëritur se nuk do të tërhiqen. Ata e konsiderojnë faktin që kanë më shumë se dy muaj protestë të pandërprerë si provë të qëndresës së tyre dhe thonë se mobilizimi do të vazhdojë deri në plotësimin e kërkesave. Kërkesa kryesore mbetet dorëheqja e kryeministrit Edi Rama. Krahas saj, protestuesit kërkojnë krijimin e një qeverie teknike dhe ndryshime kushtetuese që, sipas tyre, do të garantojnë zgjedhje të lira dhe të ndershme.
Një ditë më parë, protesta u shoqërua edhe me kundërshtimin e ndarjes së re territoriale, e cila parashikon shkrirjen e 15 bashkive. Aktivistët e cilësuan reformën një tjetër vendim të marrë pa dëgjuar qytetarët. Në përfundim të tubimit, protestuesit zhvilluan marshimin e përnatshëm në rrugët e Tiranës, nën thirrjet “Rama, ik”, “Dorëheqje”, “Shqipëri e re” dhe “Revolucion”.