Diplomati amerikan Rubin: UÇK’ja qendër e procesit të paqes për Kosovën, Thaçi mori këtë vendim të rëndësishëm

I dërguari i posaçëm dhe koordinatori i Qendrës për Angazhim Global të Departamentit të SHBA’së, James Rubin, ka folur rreth rolit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës gjatë luftës. Ai ka thënë se qëndrimi i SHBA’së për UÇK’në evoluoi ndër vite, transmeton Gazeta Metro.

Në një intervistë për Radio Evropa e Lirë, Rubin ka thënë se ish-presidenti i Kosovës Hashim Thaçi kishte qenë në qendër të procesit të paqes.

Ai thotë se vendimi i guximshëm i Thaçit për të rënë dakord për Marrëveshjen e Rambujesë, lejoi që NATO t’i mbështeste shqiptarët e Kosovës.

“Qëndrimi i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për UÇK-në evoluoi ndër vite. Në ditët e para para se të dija më shumë për të, ne kishim dënuar aktivitetet terroriste që ishin kryer nga grupet shqiptare. Por me evoluimin e procesit të paqes, UÇK-ja u bë qendër e atij procesi të paqes dhe ishte Hashim Thaçi në bisedimet e Rambujesë, ai që mori vendimin e guximshëm për të rënë dakord për Marrëveshjen e Rambujeës. Dhe ky ishte vendimi që lejoi NATO-n t’i mbështeste shqiptarët e Kosovës. Po të mos ishte marrë ai vendim nuk mendoj se do të rrinim kaq të lumtur dhe të lirë në një qytet modern evropian këtu në Prishtinë”, tha Rubin.

Tutje, Rubin ka potencuar se marrëdhënia e krijuar mes UÇK’së, KFOR’it dhe përfaqësuesve zyrtarë të SHBA’së në Kosovë ”u mundësoi shqiptarëve ta shmangnin atë që do të ishte një masakër e madhe në këtë pjesë të botës”.

“Shumë e shumë shqiptarë do të kishin vdekur. Pra, UÇK-ja luajti një rol vendimtar në marrëveshjet që u nënshkruan nga krerët e saj dhe në zbatimin e çmilitarizimit të premtuar prej tyre. Dhe siç më thanë në atë kohë, nëse ne i zbatonim premtimet tona për të përdorur fuqinë ushtatake në emër të tyre, ata do t’i zbatonin premtimet e tyre. Ata i zbatuan premtimet e tyre për t’u çmilitarizuar dhe kanë qenë ngushtë duke punuar me KFOR-in dhe me përfaqësuesit zyrtarë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës këtu, për shumë e shumë vite. Mendoj se është e drejtë të thuhet se se ajo marrëdhënie ishte ajo që u mundësoi shqiptarëve ta shmangin atë që do të ishte një masakër e madhe në këtë pjesë të botës”, tha ai.

Diplomati amerikan tha se nuk mund të mbështet gjithçka që ka ndodhur gjatë kohës së luftës, por thekson se kërcënimi kishte ardhur nga forcat ushtarake serbe. Ai mendon se nuk duhet të rishkruhet historia për këtë temë.

“Kështu që, unë kam kujtime të dashura të punës me liderët e tyre. Kjo nuk do të thotë se çdo gjë që ka ndodhur në atë kohë të luftës, është diçka që unë do ta mbështesja. Natyrisht ka gjëra që janë bërë. Por le të jemi të qartë, kërcënimi erdhi nga forcat ushtarake serbe, kërcënimi i masakrimit masiv erdhi nga forcat ushtarake serbe. Dhe, po, UÇK-ja me gjasë kishte probleme që u ekzaminuan dhe u panë që nuk ishin të përsosura. Por, nuk mendoj se duhet ta rishkruajmë historinë për këtë temë”, tha ai.

Në fund, i pyetur për aktakuzën e Gjykatës Speciale ndaj Thaçit dhe ish-krerëve tjerë të UÇK’së, Rubin deklaroi: ”Unë thjesht nuk kam asnjë koment për këtë.”

Kujtojmë se më 4 prill 2023 ka filluar gjyqi ndaj katër ish-krerëve të UÇK’së pas më shumë se dy vjetësh.

Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi po qëndrojnë në paraburgim në Hagë prej nëntorit të vitit 2020.

Ata po akuzohen nga Zyra e Prokurorit të Specializuar me akuza për krime kundër njerëzimit, si përndjekje, burgosje, akte çnjerëzore, torturë, zhdukje dhe vrasje, si dhe me 4 pika për krime lufte si arrestim, ndalim arbitrar, torturë dhe vrasje të paligjshme.

 

 

Play Video
Romani “Doktoresha” për nga përshkrimi i Shqipërisë në diktaturë përngjan shumë me Afganistanin e Khaled Hosseinin, përmes veprës “Gjuetari i balonave”: Si Afganistani nën sundimin e talebanëve … Mund ta gjeni në te gjitha libraritë Për porosi kontaktoni në numrin: 067 53 32 700
Scroll to Top