Mendohet se shpejtësia e tepërt dhe shpërthimi pasues i njërës prej gomave për shkak të asfaltit të dëmtuar kanë shkaktuar aksidentin në të cilin humbën jetën sulmuesi i Liverpool, Diogo Jota, dhe vëllai i tij André Silva, edhe ai futbollist. Të dy ishin në një Lamborghini me qira që mori flakë pas daljes nga rruga për shkak të shpërthimit të gomës, ndërsa po udhëtonin me shpejtësi të lartë në autostradën A-52 pranë Cernadilla (Zamora).
Diogo dhe André po shkonin drejt Santanderit (por sipas fizioterapistit të lojtarit të Liverpool, do të ndaleshin në Burgos, shën. i përkth.) dhe kishin zgjedhur makinën në vend të avionit me rekomandim mjekësor. Diogo Jota ishte operuar së fundmi për një dëmtim të mushkërive dhe protokolli i rekomanduar nuk e lejonte të udhëtonte me avion për të shmangur rreziqet e lidhura me ndryshimet e presionit të gjakut.
Pas udhëtimit drejt Santanderit do të merrnin tragetin e orës 16:00 drejt Portsmouth (Angli). Aty do të përshkonin edhe 430 km të tjerë për të mbërritur në Liverpool: sulmuesi i Reds duhej të rifillonte stërvitjen me shokët e tij të martën. Sipas rindërtimit jozyrtar të Guardia Civil, gjatë një faze parakalimi – në një segment autostrade me kufi shpejtësie 120 km në orë – mbi asfaltin e parregullt një gomë e pasme shpërtheu, duke shkaktuar humbjen e kontrollit të mjetit, përplasjen dhe më pas shpërthimin. Makina, një Lamborghini Huracán me tërheqje të pasme, ishte marrë me qira nga Diogo Jota.
Aksidenti ndodhi në A-52, autostrada mes Galicisë dhe Portugalisë, e akuzuar prej kohësh për mirëmbajtje të dobët. Në prill të vitit të kaluar ishin paraqitur ankesa të shumta për gjendjen e keqe të asfaltit dhe 10 ditë më parë një grua mbeti rëndë e plagosur dhe u nxor nga makina e saj e shkatërruar në të njëjtën zonë ku ndodhi aksidenti i portugezit Diogo Jota.
Policia po përpiqet gjithashtu të përcaktojë me çfarë shpejtësie po udhëtonte Lamborghini i dy vëllezërve. Bashkëshortja e Diogo Jota, Rute Cardoso, mbërriti në Institutin e Anatomisë Forenzike të Zamorës ku janë dërguar dy trupat për identifikim përmes ADN-së. Vetëm 12 ditë më parë ishte festuar martesa në praninë e tre fëmijëve. Për të dhe familjarët është siguruar asistencë psikologjike. Varrimi do të mbahet nesër në orën 10:00 në kishën qendrore të Gondomar-it, pak kilometra nga Porto, ku kishin lindur dhe ishin rritur dy vëllezërit.