Departamenti i Garave në FSHF bën me dije se ndeshja e prapambetur e javës së parë të “Abissnet Superiore”, Teuta – Dinamo City, nuk do të zhvillohet më 5 shtator, siç ishte planifikuar fillimisht. Dinamo ankimoi datën e zgjedhur për rikuperimin e javës së parë, pasi mësoi se Naser Aliji, Hekuran Berisha dhe Bjorn Duka ishin thirrur nga kombëtaret e Shqipërisë dhe Kosovës.
Të dyja klubet kanë gjetur mirëkuptimin për të zhvendosur ndeshjen më 17 shtator, në orën 15:00, pasi Dinamo City ka dy lojtarë të grumbulluar me ekipet Kombëtare të Shqipërisë dhe Kosovës, së bashku me dy anëtarë të stafit të klubit. Aliji u thirr nga Sylvinho për ndeshjet kundër Gjibraltarit dhe Letonisë, Berisha nga U-21 I Kosovës dhe Duka nga U-19 kuqezi.
Dinamo mund ti gëzohet këtij lajmi të rëndësishëm, duke qenë se Klevi Qefalia dhe kapiteni Bruno Dita, nuk ishin ende gati për shkak dëmtimesh. E kështu bashkë me tre lojtarët e thirrur nga kombëtaret, mungesat për Dajën do të kishin shkuar në pesë.
Kjo është shtyrja e dytë e ndeshjes së javës së parë të Kampionatit. Teuta e Dinamo duhet të ishin ndeshur të shtunën e 24 gushtit duke nisur nga ora 20:00. Disa ditë para u njoftua se kjo ndeshje do të luhej në një datë tjetër, pasi FSHF vendosi shtyrjen e saj për më 5 shtator. Tani ka një tjetër datë, përfundimtare.