Një sezon si ky për Dinamon do të mbahet mend, për historinë sportive e atë financiare gjithashtu. Nëndetsja eliminoi Hajdukn e Splitit dhe për herë të parë në histori do të luajë në playoff të Conference League. Pas 15 vitesh mungesë Dinamo rikthehet në mënyrë spektakolare në Europë, me arritje impresionuese dhe arkëtime rekord, pjesa më e madhe nga kompeticioni UEFA dhe aspak për tu nënvleftësuar nga merkato.
Me golin e parë në fitoren 3-1 kundër kroatëve, Baton Zabërgja i dha lamtumirën kryeqytetasve, si golashënuesi më i mirë i ekipit me 3 gola në 4 ndeshje. Dinamo, pasi kishte shitur një javë më parë edhe Itodo Mandelën, nuk mund të lejonte të dobësohej para sfidës së dyfishtë me Jagellonia, në plyoff të Conference League. E atëherë, akord me Bernart Berishën, që rikthehet në Shqipëri pasi bëri histori me Skënderbeun në grupet e Europë League. Një zëvendësues natyral për kosovarin, që tranferohet në Ukraine te Metalist.
Transferime rekord në merkato
Merkato në dalje ka justifikuar investimin inteligjent të drejtuesve dinamovitë. Itodo Mandela dhe Baton Zabërgja kanë futur në arkat e klubit 2 milionë euro, edhe pse në këtë rast janë dicka më pak, duke qenë se 50% të kartonit të nigerianit e zotëronte Luzi 2008. Për dy që u larguan, Dinamo shpejtoi të firmoste me dy zëvendësues, e përveç Berishës, edhe Guindo do të vishet blu. Ish-këpuca e artë kur luante me Laçin, vjen me parametër zero, pasi e mbylli aventurën me Egnatian pa shumë hapësira. E njëjta gjë edhe për Berishën, çka nënkupton fitim neto kolosal në merkato.
Conference League rezulton një thesar
Sidoqoftë, nuk janë asgjë në krahasim me atë që vërshon në arkat e Nëndetses nga UEFA Europa Conference League. Me shortin që i katapultoi menjëherë në raundin e dytë të turneut, ndjesia se do të ishte një sezon i paharrueshëm, rezultoi e vërtetë. U rrëzuan para të besuarve të Ilir Dajës edhe Atletic Escaldes dhe Hajduk Split, duke bërë që sido të shkojë në playoff, të arkëtohen 1 975 000 euro. Situata do të jetë akoma më e pasur nëse Jagellonia kalohet dhe Dinamo mbërrin fazën e grupeve të kompeticionit për herë të parë në histori. Nga UEFA kjo arritje shpërblehet edhe me 3.17 mln euro, pa harruar bonueset për fitore apo barazim që do të ketë në 8 ndeshjet e garantuara në fazën kampionat. Kështu, sfida e dyfishtë me polakët vlen për ta cuar totalin e përfitimit finaciar të kësaj vere në mbi 7 milion euro, një thesar i vërtetë për një Dinamo që u ngjit në sipërfaqe.