Për Dinamon gjërat nuk kanë shkuar si duhet, me dëmtime e skualifikime të shumta gjatë 12 javëve të para të kampionatit që e kanë lënë pa shumë zgjedhje teknikun Ilir Daja. Në barazimin 1-1 me Elbasanin, në ndeshjen e mbrëmjes së të shtunës, teknikut i është dashur të bëjë pa Ditën, Gudjabin dhe Guindon, por gjërat vazhdojnë të vështirësohen, si e ka pranuar vetë tekniku duke dhënë lajmin për mungesën edhe të kapitenit Aliji për një periudhë të gjatë.
Aliji ka luajtur i sforcuar këto kohë, përfshirë ndeshjen me Anglinë me fanellën e përfaqësueses dhe do ti nënshtrohet një ndërhyrje kirurgjikale. I pyetur pikërisht për dëmtimet e shumta, Daja zbuloi në Supergol në RTSH: “Ngarkesa që ka Aliji është shumë e madhe dhe mund ta humbasim Aljin për një periudhë dymujore, ka probleme me pubalgjinë dhe duhet të operohet, se ka luajtur i sforcuar. Është edhe mungesa e Ditës, përveç lojtarëve të sulmit që përmenda për të shkuar te goli. Kur kemi të gjithë lojtarët, minutat e ndërrimeve mund të ishin bërë më para dhe konkurrenca çon gjërat përpara se vetëm me rivalitet rritet cilësia e ekipit”.
Në këtë pikë, Daja ka qenë i qartë edhe me drejtuesit e klubit, duke kërkuar në janar ardhjen e dy sulmuesve: “Ne po punomë edhe me lojtarët e rinj që kanë ardhur për finalizimin, por sigurisht është edhe pjesë individuale e lojtarëve. Por duhet patjetër të kemi një apo dy sulmues me eksperiencë në merkaton e janarit. E dimë që do kemi probleme se nuk është një periudhë që afron lojtarë shumë cilësorë, por shpresojmë që të paktën përveç Guindos, të kemi edhe një lojtar tjetër”.