Një përballje me shumë raste dhe emocione, por që përfundoi pa fitues. Dinamo dhe Teuta u ndanë me nga një pikë në ndeshjen e zhvilluar në “Elbasan Arena”, me rezultatin final 1-1, një barazim që nuk i shërben plotësisht objektivave të asnjërës prej skuadrave.
Gjinollari iluzionin Hodon
Teuta ishte ajo që goditi e para në këtë sfidë. Në minutën e 17’, pas zhvillimit të një goditje nga këndi, topi përfundoi te Gjinollari, i cili me një goditje potente nga distanca, kaloi durrsakët në avantazh, duke befasuar portierin Teqja. Pavarësisht golit të pësuar, Dinamo reagoi, por nuk arriti të konkretizonte rastet e krijuara. Mundësinë më të mirë e pati Nani në minutën e 39’, por Vata realizoi një pritje vendimtare me këmbë, duke mbajtur në avantazh skuadrën e tij, edhe pse jo deri në fund. “Të jem i sinqertë ishim përgatitur ta fitonim ndeshjen, – tha tekniku durrsak Bledar Hodo pas ndeshjes -. Rrezikuam edhe ta humbisnim këtë ndeshje. Mendoj se bëmë një pjesë të parë të mirë, për fat të mirë doli edhe goli. Më pas duhet ta menaxhonim më mirë, më vjen keq për golin e pësuar sepse ishin 8 lojtarë në zonë.
Zabërgja i ftohtë para portës, ngrin Teutën
Pjesa e dytë nisi me një Dinamo më kërkuese dhe shpërblimi për përpjekjet e kryeqytetasve erdhi në minutën e 53’. Një aksion i shpejtë në qendër u finalizua nga Zabërgja, i cili me një goditje të saktë përballë portës barazoi shifrat në 1-1. Pas golit të barazimit, të dyja skuadrat patën rastet e tyre për të gjetur golin e fitores. Dinamo u afrua disa herë me Vila, Nani dhe Zabërgja, por saktësia në finalizim mungoi. Në minutën e 87’, Teuta iu afrua shumë golit të dytë. Çyrbja arriti të mposhtte Teqjen pas një harkimi të saktë nga Kruja, por ndërhyrja vendimtare e Rufatit para vijës fatale shmangu një gol të sigurt për durrsakët.
Përfundimisht, rezultati nuk ndryshoi deri në fishkëllimën e fundit, me të dyja skuadrat që marrin nga një pikë dhe mbeten ende në garë të hapur për objektivat respektive në këtë fund sezoni. I pakënaqur tekniku i bluve Ilir Daja, që dështoi të afrohej me kreun: “Unë do të thoja që sot kemi filluar me një gol që mund të shmangej. Kemi bërë një administrim topi, por nuk kemi pasur marshin e duhur. Para tre ditësh kemi luajtur në Shkodër dhe ishte po i njëjti formacion. Kishim rastet tona, por edhe Teuta kishte rastet e veta. Për atë që u prodhua në lojë mendoj se rezultati më i drejtë ishte barazimi”.