Dinamo, çfarë përmbysje në Elbasan: Daja fiton me Berishën e Vilën, Aleksovski nuk mjafton për Gvozdenovic

Dinamo vijon momentin e mirë edhe në kampionat, me fitoren e dytë radhazi. Blutë e Ilir Dajës këtë herë triumfuan me përmbysje ndaj Elbasanit, në një sfidë të zhvilluar në “Elbasan Arena”, ku blutë kishin statusin e pritësit.

Ndeshja nisi me Dinamon më kërkuese. Blutë morën iniciativën që në minutat e para dhe u përpoqën të vendosnin ritmin e takimit, duke kërkuar vazhdimisht hapësira pranë portës kundërshtare. Megjithatë, pavarësisht kontrollit dhe iniciativës së Dinamos, ishte Elbasani që gjeti golin e parë. Nikaj finalizoi një aksion të ndërtuar mirë nga skuadra verdheblu, duke i dhënë avantazhin Elbasanit dhe duke e detyruar Dinamon të reagojë.

Blutë nuk u shpërqendruan dhe arritën të rikthejnë baraspeshën ende pa përfunduar pjesa e parë. Berisha ishte ai që vendosi ekuilibrin në rezultat, duke e çuar ndeshjen në 1-1. Barazimi nuk e ndryshoi panoramën e përgjithshme të takimit. Dinamo vijoi të ishte më insistuese në kërkim të golit të dytë, ndërsa Aleksovski u shndërrua në një prej protagonistëve kryesorë të Elbasanit. Portieri verdheblu ndërhyri në disa raste vendimtare, duke shmangur gola që mund të kishin ndryshuar më herët fatin e ndeshjes.


Në pjesën e dytë, presioni i Dinamos u shpërblye. Vila përfitoi nga një moment pasigurie në prapavijën e Elbasanit dhe gjeti devijimin e duhur për të përmbysur rezultatin. Dinamo kaloi kështu në avantazh dhe mori kontrollin e një ndeshjeje që e kishte nisur me disavantazh. Elbasani u përpoq të reagojë në minutat e fundit. Verdheblutë hodhën më shumë forca në sulm dhe kërkuan të shmangnin humbjen, por ofensiva e vonshme nuk prodhoi raste të mjaftueshme për të shqetësuar seriozisht Teqjen.


Në fund, Dinamo ruajti avantazhin dhe mori një fitore 2-1, e dyta radhazi në kampionat. Për blutë, përmbysja është një tjetër sinjal pozitiv në këtë fillim sezoni, ndërsa për Elbasanin situata bëhet më shqetësuese. Skuadra verdheblu po përballet me një start të vështirë dhe duhet të reagojë shpejt për të mos lejuar që mungesa e rezultateve të kthehet në një problem më të madh që në javët e para të kampionatit.

“Nuset e Vilës Blu” – Roman nga Flamur Buçpapaj

Romani i ri i autorit Flamur Buçpapaj, botuar nga Nacional, sjell një udhëtim mes dashurisë, dhimbjes dhe kujtesës – aty ku e kaluara dhe e tashmja takohen në një vilë blu plot sekrete. Gjej librin në libraritë kryesore dhe mëso pse “Vila Blu” nuk është thjesht një vend… por një simbol i shpirtit shqiptar. Për porosi ose kontakt: 067 533 2700
Scroll to Top