Flamurtari dhe Vora kanë ndarë pikët në një përballje direkte për mbijetesën, duke u ndalur në barazimin 1-1 në javën e 31-të të Abissnet Superiore. Një rezultat që në letër ruan ekuilibrat, por në praktikë rëndon më shumë mbi skuadrën vlonjate.
Sfida, e cilësuar si një “finale” për qëndrimin në elitë, nisi me ritëm të lartë dhe me dy gola të shpejtë që vendosën edhe fatin e rezultatit. Ishte Luis Felipe ai që kaloi Vorën në avantazh në minutën e 6-të, duke shfrytëzuar një nga momentet e para të rrezikshme të miqve. Reagimi i Flamurtari ishte i menjëhershëm dhe erdhi në minutën e 14-të, kur Diawara riktheu baraspeshën.
Pas këtij starti intensiv, loja ndryshoi rrjedhë. Vora u tërhoq me kujdes në mbrojtje, duke mbyllur hapësirat dhe duke e bërë të vështirë për vendasit krijimin e rasteve të pastra. Organizimi defensiv i skuadrës mike rezultoi efikas, sidomos falë paraqitjes së portierit Harizaj, i cili u shfaq vendimtar në disa momente.
Lexo më tej: “Trashi e shiti”: Idrizi e bëri “kokë turku” për rënien e mundshme të Flamurtarit
Në pjesën e dytë, Flamurtari rriti presionin dhe provoi të ndryshonte fatin e ndeshjes duke shtuar forcat në sulm. Megjithatë, dominimi territorial nuk u përkthye në raste të pastra dhe as në golin e shumëkërkuar të avantazhit.
Në fund, barazimi lë shije të ndryshme për të dy skuadrat. Vora ruan një distancë të rëndësishme nga zona e rënies direkte dhe mbetet në një pozicion relativisht më të qetë. Në anën tjetër, Flamurtari vijon të mbetet në vendin e fundit me 26 pikë, duke rrezikuar të humbasë edhe më shumë terren në garën për mbijetesë. Me vetëm disa javë nga fundi, çdo hap i gabuar mund të jetë vendimtar, dhe për Flamurtarin, koha për të reaguar po bëhet gjithnjë e më e kufizuar.