Aktivistë të diasporës shqiptare në Gjermani kanë ndërmarrë një nismë për t’i kërkuar Bundestagut gjerman të reagojë lidhur me zhvillimet e fundit në Shqipëri dhe trajtimin e protestuesve në Tiranë. Përmes një kërkese zyrtare drejtuar katër grupeve parlamentare në Bundestag, aktivistët kërkojnë më shumë vëmendje ndërkombëtare për respektimin e të drejtave themelore, lirinë e protestës dhe përgjegjësinë e institucioneve shqiptare. Në dokumentin e tyre, përfaqësuesit e diasporës paraqesin tri kërkesa konkrete, duke e lidhur nismën me mbështetjen ndaj protestave në Tiranë dhe lëvizjes së quajtur “Revolucioni Flamingo”.
Tri kërkesat drejtuar parlamentit gjerman
Kërkesa e parë është që Bundestagu të mbajë një qëndrim publik në mbështetje të së drejtës për protestë paqësore, të dënojë rastet e raportuara të dhunës policore dhe të kërkojë një hetim të pavarur për shkeljet e pretenduara gjatë protestave.
Së dyti, aktivistët kërkojnë angazhim parlamentar përmes pyetjeve zyrtare dhe përfshirjes së Komisionit për Çështjet Evropiane. Në këtë pikë, ata kërkojnë vëmendje të veçantë për mbrojtjen e të miturve dhe gazetarëve, si dhe shqyrtimin e kufizimeve të reja që lidhen me të drejtën e protestës.
Kërkesa e tretë lidhet me rolin e Gjermanisë në procesin e integrimit evropian të Shqipërisë. Aktivistët kërkojnë që qeveria gjermane të mbajë një qëndrim të qartë dhe të kërkojë rezultate konkrete nga Shqipëria në drejtim të forcimit të shtetit të së drejtës, mbrojtjes së të drejtave themelore dhe përmbushjes së detyrimeve për mbrojtjen e mjedisit.
Në mesazhin e tyre, aktivistët theksojnë se mbështesin rrugën evropiane të Shqipërisë, por kërkojnë që ky proces të shoqërohet me përgjegjësi politike dhe respektim të standardeve demokratike. Nisma synon ta zhvendosë vëmendjen edhe në institucionet evropiane, duke kërkuar që zhvillimet në Shqipëri të mos mbeten vetëm çështje e debatit të brendshëm politik.
Njoftimi
Ne, aktivistë nga qytete të ndryshme nga Diaspora Shqiptare në Gjermani, në mbështetje të Protestave në Tiranë dhe të Revolucioni Flamingo, i jemi drejtuar sot katër Grupeve Parlamentare në Bundestag-un Gjerman.
Tri kërkesat tona drejtuar Bundestagut gjerman:
Qëndrim publik: Të mbështesë të drejtën për protestë paqësore, të dënojë dhunën policore dhe të kërkojë hetim të pavarur për shkeljet e raportuara.
Veprim parlamentar: Të kërkojë llogaridhënie përmes pyetjeve parlamentare dhe angazhimit të Komisionit për Çështjet Evropiane, duke përfshirë hetimin e pavarur, mbrojtjen e të miturve dhe gazetarëve, si dhe shqyrtimin e kufizimeve të reja mbi të drejtën e protestës.
Presion politik në nivel evropian: Të kërkojë një qëndrim të qartë të qeverisë gjermane në kuadër të procesit të integrimit të Shqipërisë në BE, duke kushtëzuar përparimin me rezultate konkrete në shtetin e së drejtës, mbrojtjen e të drejtave themelore dhe përmbushjen e detyrimeve për mbrojtjen e natyrës.
Shqipëria duhet të ecë drejt BE-së, por ky proces duhet të mbështetet në demokraci, shtet të së drejtës dhe përgjegjësi politike.