“Detajet do të bëjnë diferencën. Të dyja ekipet do të jenë të mbyllura, si ndeshja e parë. Por ne e kemi në dorën tonë. Do të futemi që në minutën e parë për të marrë tre pikët”. Qazim Laçi e di mirë si do të luhet përballja ndaj Serbisë, nëse synohet të mbahet gjallë ëndrra e Botërorit. Mesfushori kuqezi, në konferencën për shtyp, flet edhe për një ndeshje emocionale 11 vjet pas ngjarjeve në Beograd. “Do të jetë një ndeshje shumë e vështirë. Është ndeshje vendimtare. Ne jemi profesionistë. Jemi mësuar me presionin, secili te ekipi i vet. Objektivi është të marrim 3 pikët, për ëndrrën tonë për të shkuar në Botëror”.
Laçi e forcoi konceptin, që lidhet me ndjesitë që kapërcejnë futbollin: “Jam dakord me ju, do të ketë shumë emocione kjo ndeshje. Si profesionistë duhet të jemi të qetë, të kemi përqendrim dhe të shikojmë çdo detaj. Pikërisht kjo pikë do të bëjë diferencën. Aty do të fokusohemi për të marrë tre pikët”.
Ndryshimi i stadiumit, nga ai i Beogradit në Dubocica në Leskovac, përvec numrave të tifozëve që do të jenë shumë më të paktë, nuk sjell asnjë avantazh tjetër dhe Laçi në këtë pikë është i prerë: “Statistikat janë për ju, ne presim një ndeshje të fortë. E dimë që Serbia luan në shtëpinë e saj. Do të përgatitemi për të marrë 3 pikët. Do të jetë vendimtare për ëndrrën e Botërorit”.