Kryesuesi i seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës, Avni Dehari, e ftoi seancën e radhës, të 53-tën, për nesër, të shtunën, në orën 14:00. Thirrja për seancën e radhës u bë pasi, me vetëm 54 vota pro formimit të komisionit për votim të fshehtë, sërish dështoi konstituimi i Kuvendit.
Seanca e radhës do të mbahet vetëm një ditë para se të hyjë në fuqi masa e përkohshme e Gjykatës Kushtetuese për të mos lejuar asnjë veprim nga deputetët për konstituim të Kuvendit nga 27 korriku deri më 8 gusht. Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, ka thënë pas seancës se partia e tij nuk shkon drejt zgjidhjeve parciale dhe nuk kontribuon që vendi të shkojë në zgjedhje.
“Kur Nisma të jetë e sigurt se po formohet një shumicë qeveritare, do ta japë kontributin e vet që vendi të mos shkojë në zgjedhje të parakohshme”.
“Shumicë qeveritare, nuk ka zgjidhje parciale. Është bërë temë zgjedhja e kryetarit të Kuvendit, për mua s’ka qenë asnjëherë temë zgjedhja e kryetarit të Kuvendit, fundamenti i kësaj krize është mospasja e numrave të nevojshëm për Qeveri, dhe derisa nuk ka numra të mjaftueshëm për qeverisje, gjërat kanë ngelur ku janë sot”.
Mes tjerash, Limaj ka thënë se në interes të demokracisë dhe funksionimit të institucioneve, “do të ishte mirë ta presim aktgjykimin, dhe më pas forcat politike të mobilizohen t’i themelojnë institucionet”.
Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde, e quajti fatkeqësi dështimin e sërishëm të deputetëve për ta konstituuar Kuvendin e Kosovës.
Duke folur në hollin e Kuvendit pak pas mbylljes së seancës, ai tha se “jemi këtu për ta theksuar shqetësimin tonë dhe urgjencën për të formuar insitucionet”.
“Qytetarët dolën për të votuar më 9 shkurt dhe tani janë bërë gati gjashtë muaj. Klasa politike po dështon përballë qytetarëve”, tha Rohde.
Ai e quajti vendimin e djeshëm të Gjykatës Kushtetuese për të vendosur masë të përkohshme si karton të kuq “sepse po e suspendon parlamentin për të marrë një vendim”.
Rohde ishte i pranishëm në këtë seancë së bashku me përfaqësues të tjerë ndërkombëtarë nga SHBA-ja, BE-ja, Britannia e Madhe, Franca, etj./ REL