Një protestë e thirrur nga Shoqëria Civile pasditen e kësaj të hëne përpara kryeministrisë për rritjen e çmimit të naftës ka dështuar pasi nuk ka marrë pjesë thuajse askush.
Në vendin ku dhe ishte njoftuar për tu mbajtur protesta, para ambienteve të Kryeministrisë, u panë vetëm disa qytetarë, kryesisht aktivistët e Lëvizjes “Shqipëria Bëhet”, si dhe automjetet e transmetimit të mediave dhe efektivët e policisë, të cilë ishin në krye të detyrës për të ndjekur zhvillimet.
Shqipëria është një nga vendet me çmimim më të lartë të naftës në botë, por kjo me sa duket nuk i ka shqetësuar aq shumë qytetarët saqë të ngrenë zërin.
Teksa qeveritë e vendeve të rajonit dhe ato të Bashkimit Europian kanë ulur në mënyrë agresive taksat për të lehtësuar qytetarët e tyre, qeveria e Shqipërisë lajmëroi një masë me gungë, sipas të cilës akciza ulet me 8 lekë, kur çmimi i naftës kapërcen kuotën 220 lekë për litër.
Reagimi inekzistent i qytetarëve më të varfër të Europës, të cilët paguajnë ndër çmimet më të larta të karburanteve në kontinent, i shkon për shtat qeverisë dhe politikës së saj për të rënduar edhe më shumë barrën e taksave mbi karburantet.