Seanca e sotme e radhës e Kuvendit të Kosovës është ndërprerë duke vujuar më tej ngërçin politik në të cilin ndodhet vendi prej muajsh. Seanca u ndërpre për të vijuar më 25 korrik pas një debati mes kryesuesit të seancës Avni Dehari dhe deputetes së PDK-së, Ganimete Musliu.
Që nga 15 prilli, Kuvendi ka dështuar plot 51 herë radhazi në zgjedhjen e kryetarit dhe nënkryetarëve. Partia Demokratike e Kosovës (PDK), Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) dhe Lista Serbe partia më e madhe e serbëve në Kosovë nuk pranojnë të propozojnë nga një kandidat për formim të një komisioni për votim të fshehtë, me arsyetimin se mënyra e ndryshimit të votimit është jokushtetuese.
Lëvizja Vetëvendosje kërkon që për Albulena Haxhiun të votohet vetëm një herë përmes votimit të fshehtë dhe nëse nuk i siguron 61 votat e nevojshme, ajo do të tërhiqet nga gara. Ajo nuk i ka siguruar votat e nevojshme në disa seanca radhazi që janë mbajtur me votim të hapur. Për disa parti, ajo është figurë përçarëse dhe e papranueshme. Palët vazhdojnë të mos gjejnë një kompromis ndonëse afati i përcaktuar nga Gjykata Kushtetuese për konstitutim të Kuvendit po afron dita-ditës.
Ndonëse gjykata e ka përcaktuar 26 korrikun si afat të fundit për konstituim, ajo nuk ka ofruar më shumë hollësi se çfarë ndodh nëse partitë nuk arrijnë të gjejnë një zgjidhje. Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani është takuar me përfaqësuesit e partive politike ditë më parë, me shpresën e gjetjes së një zgjidhjeje, por situata nuk ka ndryshuar.