Një dëshmi e deklasifikuar e FBI-së ka vënë në pikëpyetje pretendimin e Presidentit të SHBA Donald Trump se ai nuk dinte asgjë për krimet e Jeffrey Epstein. Sekretari i tij i Tregtisë, Howard Latnick është duke u përballur ndërkohë me një breshëri pyetjesh nga ligjvënësit rreth lidhjeve të tij me financierin e dënuar për pedofili të vetëvrarë në burg.
Zbulimet e reja nënvizojnë se si pasojat e skandalit Epstein mbeten një “dhimbje koke” e madhe politike për administratën Trump, disa javë pasi Departamenti i Drejtësisë publikoi miliona dokumente nga dosja.
Dokumentet kanë shkaktuar gjithashtu polemika ndërkombëtare pas zbulimit të detajeve nga marrëdhëniet e Epstein me politikanë, biznesmenë, ekonomistë dhe akademikë të njohur.
Në korrik 2006, kur Epstein u akuzua për herë të parë për krime seksuale, shefi i policisë së Palm Beach në Florida, mori një telefonatë nga Trump, sipas një përmbledhjeje të një deklarate të FBI-së të vitit 2019 që oficeri i dha FBI-së.
Michael Reiter, atëherë shefi i policisë, tha se Trump i tha: “Falë Zotit që e ndalove. Të gjithë e dinin se po e bënte këtë”. Trump tha gjithashtu se njerëzit në New York dinin për Epstein dhe e quajti ish-partneren dhe bashkëpunëtoren e tij, Ghislaine Maxwell, “të keqe”. Sipas dokumentit, ai tha se dikur e pa veten me Epstein në një mjedis ku ishin të pranishme vajza adoleshente dhe se ai “u ngrit dhe iku që andej”.
Reiter, i cili doli në pension në vitin 2009, konfirmoi detajet e dëshmisë së tij në FBI për gazetën “Miami Herald”, e cila e raportoi e para dokumentin.
Kur u pyet për bisedën e Trump me ish-shefin e policisë lokale, Departamenti i Drejtësisë tha se “nuk ishte në dijeni të ndonjë prove të vërtetuar që presidenti kishte kontaktuar forcat e ligjit më shumë se 20 vjet më parë”.
Donald Trump ishte mik i Epstein për vite me radhë, por ata e ndërprenë marrëdhënien e tyre para arrestimit të parë të financierit. Presidenti ka thënë vazhdimisht se nuk ishte në dijeni të krimeve të tij.
Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Caroline Levitt, u tha sot gazetarëve se Trump kishte qenë “i ndershëm dhe transparent” në lidhje me marrëdhënien e tyre. “Është një telefonatë që mund të ketë ndodhur ose jo në vitin 2006. Nuk e di përgjigjen e kësaj pyetjeje”, shtoi ajo.