Është shtyrë seanca ndaj deputetit të Partisë Demokratike Ervin Salianji në Gjykatën e Apelit. Seanca e radhës është caktuar më 25 korrik në orën 10:00.
Ervin Salianji është dënuar në gjykatën e Tiranës me 1 vit burgim për kallëzim të rremë.
Salianji akuzohet për kallëzimin që bëri në lidhje me vëllain e ish ministrit Fatmir Xhafaj dhe lidhjet e tij me trafikantët e drogës. Në përgjimin që kishte siguruar gazetari Jetmir Olldashi dhe ish-skafisti me pseudonimin Babale dëgjohej një zë, që sipas tyre ishte i Agron Xhafajt dhe që fliste për trafikun e drogës me skaf përtej Italisë. Pas skandalit, vëllai i Fatmir Xhafajt udhëtoi drejt Italisë dhe nuk doli në publik.
Vlen të theksohet se gjithë prokuroret dhe gjyqtaret që kanë pasur çështjen dhe kane dhënë vendimin me 1 vit burg në shkallë të parë janë shkarkuar nga organet e Vetingut.