Deputeti i Partisë Demokratike, Klevis Balliu, ka pasur një takim me Ilir Metën, kreun e Partisë së Lirisë, ku është njohur me kushtet në të cilat ndodhet Meta, duke ngritur shqetësime për trajtimin e tij në qeli. Sipas deputetit, në qelinë e Metës nuk funksionon as sistemi i sinjalizimit për të thirrur efektivët e policisë, ndërsa theksoi se ka kufizime edhe në komunikimin e tij me përfaqësues të Partisë së Lirisë dhe me prindërit e tij të sëmurë.
Klevis Balliu: Sot m’u dha mundësia edhe të bëj inspektimin, edhe të takohem me presidentin Ilir Meta. Të cilin unë kisha dëshirë ta sqaroja për ca gjëra, por përfundoi që më sqaroi ai mua, se është më i qartë se sa ne që jemi këtu jashtë. Dua të them që niveli komunist është i pandryshueshëm, pavarësisht se sa vitesh kalojnë. Ata mundohen me lojëra nga më të ndryshmet për ta vështirësuar kushtet e presidentit Meta. Mund t’ju them për shembull që e vetmja qeli në të gjithë burgun ku nuk punon sinjali për të thirrur oficerin e policisë, për një arsye që mund të ketë i burgosuri, e vetmja qeli ku nuk funksionon dhe nuk punon sinjali është qelia e Ilir Metës. Domethënë vetëm kaq mjafton për t’ju treguar se deri në sa imtësi këta merren me këto çështje.
Por Ilir Meta, për këtë ishte shumë i qartë, i përballon të gjitha dhe atë kafazin që kërkojnë ta mbajnë me zor gjatë gjyqit. Atë çfarë kërkon Ilir Meta është ajo që është më minimalja për në çdo vend të botës, që ai të ketë mundësinë e komunikimit me deputetët e tij si kryetar partie, si ish-president, si ish-kryeministër, si ish-kryetar i kuvendit, të ketë komunikimin me deputetët e tij. Sot ai edhe me kryetarin e grupit parlamentar të Partisë së Lirisë, Tedi Blushi, duhet t’i bëjë nëpërmjet dikujt tjetër, sepse nuk e lejojnë që të flasë në mënyrë direkte. Mund t’ju them një gjë që është edhe personale, prej 19 muajsh Ilir Meta nuk takon prindërit e tij që janë të sëmurë, sepse këtu çdo gjë bëhet me një listë që është tejet e kufizuar, se ndërkohë atij i duhet që të vërë në listë edhe avokatin, edhe deputetët për t’i informuar, edhe për të bërë aksionin politik dhe gjithçka tjetër. Dhe e vetmja gjë që ai kërkon është që seancat të jenë publike, që qytetarët të dëgjojnë që ku i paska vjedhur Ilir Meta, qoftë edhe një cent të shtetit shqiptar.
Dhe këtë ai kërkon që të jetë publike. Tani një njeri që ka probleme me ligjin, e vetmja gjë që nuk kërkon është të jenë seancat publike, i kërkon të fshehta. Dhe prandaj që qeveria po bën çmos, Edi Rama po bën çmos, që seancat gjyqësore të jenë të fshehta. Jo vetëm kaq, por është i vetmi rast, po ju kujtoj këtu Navalnin. Navalnit i u dha mundësia të jepte intervistë në burg në Siberi. Iu dha mundësia të jepte intervistë. Ilir Metës nuk i jepet kjo mundësi. Është rast unikal në botë. Rast unikal. Navalni në Rusi, atë që na flasin këto për diktaturën e për këto, Navalnit iu dha mundësia për të dhënë intervistë. Ilir Metës nuk i jepet mundësia për të dhënë intervistë, dhe kërkon intervistat me gazetarët të cilët janë të regjistruar. Që gjithsecili të ketë mundësinë të dëgjojë se çfarë po ndodh. Por pushteti, për shkak se nuk kanë gjetur, dhe këtë jua jap me garanci, përveç shpifjeve për çështje që janë gjykuar jo vetëm në Shqipëri por dhe në arenën ndërkombëtare, siç ishte ajo e ÇEZ-DIA, e rikthejnë me ca pretendime të disa njerëzve kot, të cilët vetë kanë qenë pjesë në ato struktura dhe kurrë nuk e kanë përmendur emrin e Ilir Metës. Dhe sot ky njeri mbetet aty. Në shkelje të ligjit, në shkelje të të gjitha afateve. Dhe e vetmja gjë që kërkon ai është transparenca me qytetarët. Transparenca që qytetarët ta dinë se për çfarë është këtu, se nuk është këtu për vjedhje, është këtu për denoncimin e aferave korruptive të Edi Ramës. Siç shumë qytetarë po e vuajnë sot edhe në kurriz, siç keni parë qytetarët që protestojnë, por sot është dhe Ilir Meta. I cili ndodhet prej gati 19 muajsh, gati dy vite, bëhen gati dy vjet që Ilir Meta, presidenti i Republikës, kryetari i Kuvendit dhe kryeministri i vendit ndodhet në paraburgim, në burgim pa as edhe një akuzë.