Partia Socialiste sapo ka zyrtarizua kthesën e saj më të fortë në marrëdhënien me drejtësinë duke i refuzuar prokurorëve të SPAK arrestimin e Belinda Ballukut. Vendimi zyrtar, që Rama e shpalli në mbledhjen e grupit parlamentar, është një shmangie nga kredo politike e Partisë Socialiste, një devijim nga korsia që udhëhoqi veprimin e saj politik të paktën në 10 vitet e fundit; premtimi për të mos e penguar drejtësinë e re në luftën kundër korrupsionit.
Thank you for reading this post, don't forget to subscribe!Në mbledhjen e grupit parlamentar, të PS, Edi Rama nxorri disa pretekste për ta paraqitur si problematike kërkesën e prokurorit Dritan Prençi, kur tha se Belinda Balluku nuk akuzohet për korrupsion, por për “shkelje të barazisë në tendera”. Ai kujtoi se ajo është “nëna e një fëmije të mitur”, ndaj së cilës po zhvillohet një gjyq popullor, i ngjashëm me procesin që iu bë gjyshit të saj në diktaturë.
Rama sulmoi direkt punën e prokurorëve të SPAK duke përsëritur se do t’i kishte nxjerrë jashtë nga salla kur të vinin me 16 mijë faqe prova.
“Nuk do të doja ta kisha përmendur që janë 16 mijë faqe dhe prova sepse ajo më provokon, më ka provokuar që ditën e parë, Po të isha unë në Këshillin e Mandateve, do t’i thoja “Çohuni! Ikni dhe kthehuni me një dosje për parlamentin e deputetin”. E dini ju ca janë ato 16 mijë faqe? Nuk janë produkt I hetimit se ska si të jenë, janë 16 mijë faaqe ku janë future brenda kontrata, studime, arkivi I ministrisë futur brenda” u shpreh kryeministri.
Kryeministri relativizoi transkriptin e bisedës që prokurorët e sollën në kuvend si provë të kërcënimit të dëshmitarëve. Kjo është një bisedë telefonike mes dy punonjëseve të ministrisë, ku njëra tregon se si është kërcënuar nga kabineti i Belinda Ballukut dhe nga “të fortë”.
“E paska shtyrë prokurorin të marrë gjithë atë të përpjetë të vijë të kërkojë nga parlamenti i Shqipërisë arrestimin e një deputetejë, e cila, një kujtesë e vogël këtu: është prind i vetëm e një vajze miniorene. Nuk po marr fare për bazë faktin që këtë përgjim prokurori e kishte. Apo jo? E kishte! Edhe përpara se sa ta pezullonte ministrjen, ndërkohë që e nxorri vetëm kur ra masa e pezullimit duke e përdorur si rrethanë rënduese për të kërkuar me çdo kusht arrestin në një turravrap i cili më shumë se sa një hap logjik i një procedure ku shfaqet një e dhënë e re, ngjan me një reagim emocional ndaj rrëzimit të masës së pezullimit nga Gjykata Kushtetuese. Po nejse!” u shpreh Rama.
Rama konfirmoi se Belinda Balluku do të vazhdojë të jetë drejtuese politike në Fier, duke bërë një përjashtim tjetër, për të gjithë ata zyrtarë socialistë që kanë pasur probleme me SPAK dhe që janë mënjanuar nga detyrat partiake. “Ajo do të vijojë të drejtojë qarkun. Pak kush nga ne I I mban si Belinda kontaktet me territorin”, deklaroi Rama që fjalën e tij e mbylli gati me një falenderim përulës për Ballukun.
“Unë e falënderoj sot Belindën për punën e madhe që bëri në detyrat që i besova për 6 vjet me radhë dhe i uroj fatin që meriton, cilido qoftë fati që meriton, në betejën ligjore për të cilën do të ketë në krah, vetëm avokatët e saj dhe i kërkoj ndjesë për refuzimet e përsëritura të tre dorëheqjeve të veta”u shpreh kryeministri.
Si nisën sulmet e Ramës ndaj drejtësisë së re

Sulmet e Ramës ndaj SPAK dhe GJKKO nisën gati 4 muaj më parë kur zv.kryeministrja në detyrë, Belinda Balluku u pezullua nga detyra me vendim të gjykatësit Erjon Çela në datën 20 nëntor.
Balluku ishte marrë e pandehur në 31 tetor pasi prokurorët gjetën disa mesazhe në telefonit të ish-drejtorit të ARRSH, Ervis Berberi që tregonin se tenderi për tunelin e Llogarasë u anulua dhe u rihap me disa dhjetëra milion euro më shumë, sipas urdhërit personal të Belinda Ballukut, e cila kishte pasur takime me drejtues të kompanisë turke që u shpall fituese.
I irrituar nga fakti se i hoqën nga kabineti njeriun e tij më të besuar, Rama e ankimoi pezullimin e Ballukut në Gjykatën Kushtetuese me pretendimin se kjo ishte një shkelje e parimit të ndarjes së pushteteve. Që nga ky moment, Rama ai u rikthye në versionin e tij të vjetër, duke sulmuar drejtësinë me të njëjtën gjuhë që kishte përdorur para reformës në drejtësi.
Megjithatë për shumëkënd manovra politike e Ramës në raport me drejtësinë ka qenë trullosëse. Për shumëkënd është ende I freskët në kujtesë Edi Rama euforik i fushatës elektorale, që rrihte gjoksin për reformën në drejtësi dhe e krahasonte veten me macen më të aftë për kapjen e minjve. Sot vendin e tij, e ka zënë një kryeministër që I mbush ekranet me baltosjen ndaj gjykatësve që kërkojnë rritje rrogash dhe që me vendimet e tyre, thotë ai, kryejnë “akte brutale”.

Jo shumë kohë më parë shikonim një Edi Ramë që i gëzohej zellit të Altin Dumanit për të futur në burg politikanët e opozitës, madje e ndërsente atë nga tribuna e kongreseve socialiste. Sot, Edi Rama I kujton so mëkate arrestimet e Ilir Beqajt dhe të Erjon Veliajt, ndërsa ngre zërin për numrin e lartë të të paraburgosurve, citon raportet e Kolegjit të Evropës dhe i konsideron arrestimet një “modë e vrazhdë”.
Ramës së 3 muajve më parë, që mburrej se si kjo drejtësi I vjen Shqipërisë një herë në 100 vjet, sot ia ka lënë vendin politikani grindavec, që kërkon pretekste, gjen justifikime dhe flet plot pathos kundër hetimeve, duke kërcënuar me kartonat që ka në parlament.
Por si ndodhi që Rama e humbi kaq shpejt aureolën e reformatorit të madh, I cili premtoi t’i jepte fund pandëshkueshmërisë përmes një drejtësie të pavarur? Çfarë e detyron sot t’i bëhet ushtar, zëdhënës dhe avokat Belinda Ballukut duke sfiduar orientimet e Bashkimit Europian?
Ndryshe nga dosjet e tjera ku janë arrestuar Erjon Veliaj, Ilir Beqaj, Lefter Koka etj, në hetimet për Ballukun porositë e kryeministrit Rama për takimet me biznesmenë që konkurojnë dhe fitojnë tenderat publikë, dalin hapur. Nga mesazhet që u gjetën në celularin e Ervis Berberit, ish-zv.kryeministrja dhe ministrja e infrastrukturës Belinda Balluku e thotë qartë se thjesht është duke zbatuar porositë e “KM” apo të “Ramës” siç i referohet ajo.
Vetë Rama e ka pranuar hierarkinë e veprimeve në mesazhe duke mos i lëvizur asnjë presje porosive që i ka dhënë Belinda Ballukut. I pyetur nëse edhe ai është i përfshirë në takimet dhe porositë që ka lënë ministres me biznesmenët që fitojnë tendera, Rama është përgjigjur: “Unë do takoj dhe kam takuar kë të më dojë e bardha zemër dhe e mira mendje. Njeriu nuk mund të fajësohet apo të dyshohet kurrë për kë takon, kurrë, kurrë.”