Demi Lovato ka reaguar publikisht për fejesën e ish-mikes së saj të ngushtë, Selena Gomez, me producentin muzikor Benny Blanco.
E ftuar në emisionin “Watch What Happens Live” të Andy Cohen, Lovato u shpreh se “nuk mund të ishte më e lumtur” për çiftin dhe uroi që Selena të ketë vetëm të mira në jetë.
“I uroj më të mirat. Albumi që kanë sjellë bashkë është fantastik,” – tha këngëtarja 33-vjeçare, duke përmendur veçanërisht këngën “Bluest Flame” nga albumi i përbashkët “I Said I Love You First”, i publikuar në mars.
Gomez, gjithashtu 33 vjeç, dhe Blanco (37) u fejuan në dhjetor të vitit 2024. Në atë kohë, Selena publikoi një foto me unazën në Instagram, ku shkroi: “Përgjithmonë nis tani” – postim që u pëlqye edhe nga Lovato.
Demi dhe Selena janë njohur që në vitin 2002 në serialin për fëmijë “Barney & Friends”, dhe kanë qenë të pandashme gjatë kohës së Disney-t. Megjithatë, marrëdhënia e tyre ka ndryshuar me kalimin e viteve. Në një intervistë për Harper’s Bazaar në vitin 2020, Lovato pranoi se nuk ishin më shoqe.
“Kur rritesh me dikë, gjithmonë do të kesh dashuri për të. Por nuk jemi më shoqe,” – tha asokohe Demi, duke shtuar se Miley Cyrus ishte e vetmja nga ajo epokë me të cilën kishte mbajtur kontakt.
Ndërkohë, Selena ruan një miqësi të ngushtë me Taylor, e cila madje ka deklaruar me humor në Instagram se do të jetë “vajza e luleve” në dasmën e saj me Blanco.
Çifti Gomez-Blanco pritet të martohet brenda këtij muaji, ndonëse kanë qenë të rezervuar për detajet e dasmës.
Sa i përket jetës personale të Lovato, ajo u martua me partnerin e saj Jutes në maj 2025.