Del vendimi i Kushtetueses që anulon zgjedhjet në Tiranë

Gjykata Kushtetuese ka vendosur sot pezullimin e dekretit të Presidentit të Republikës për zhvillimin e zgjedhjeve të pjesshme në Bashkinë e Tiranës. Vendimi vjen pas kërkesës së paraqitur nga Erion Veliaj, i cili kundërshton si shkarkimin nga detyra, ashtu edhe dekretimin e datës së zgjedhjeve të reja.

Sipas njoftimit zyrtar të publikuar nga Gjykata, pas shqyrtimit paraprak të kërkesës, është vendosur:

“Pezullimi i efekteve juridike të dekretit të Presidentit të Republikës nr. 350, datë 01.10.2025, për pjesën që cakton datën e zgjedhjeve vendore në Bashkinë Tiranë, deri në marrjen e vendimit përfundimtar nga Gjykata Kushtetuese.”

Kërkesa e Veliajt kishte si objekt shfuqizimin e vendimit të Këshillit të Ministrave për shkarkimin e tij nga detyra si Kryetar i Bashkisë Tiranë, si dhe anulimin e dekretit të Presidentit për caktimin e zgjedhjeve të reja. Ai argumenton se këto akte janë në kundërshtim me nenin 115, pika 2 dhe 3 të Kushtetutës së Shqipërisë.

Njoftimi i Gjykatës Kushtetuese:

Mbledhja e Gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë, sot në datën 09.10.2025 pasi mori në shqyrtim paraprak kërkesën e paraqitur nga kërkuesi Erion Veliaj me objekt: “Shfuqizimi i vendimit të Këshillit të Ministrave nr. 539, datë 25.09.2025 “Për shkarkimin nga detyra të kryetarit të Bashkisë Tiranë, z. Erion Veliaj”, si i papajtueshëm me Kushtetutën. Shfuqizimi i dekretit të Presidentit të Republikës nr. 350, datë 01.10.2025 “Për caktimin e datës së zgjedhjeve të pjesshme vendore për kryetar bashkie, për disa njësi të qeverisjes vendore” për pjesën që cakton datën e zgjedhjeve vendore në Bashkinë Tiranë, si të papajtueshëm me nenin 115, pika 2 dhe 3 të Kushtetutës. Pezullimi i efekteve juridike të dekretit të Presidentit të Republikës nr. 350, datë 01.10.2025 “Për caktimin e datës së zgjedhjeve të pjesshme vendore për kryetar bashkie, për disa njësi të qeverisjes vendore” për pjesën që cakton datën e zgjedhjeve vendore në Bashkinë Tiranë në zbatim të efekteve pezulluese që paragrafi 2 dhe 3 i nenit 115 i Kushtetutës parashikon, deri në marrjen e vendimit nga Gjykata Kushtetuese.”, bazuar në nenin 45 të ligjit nr. 8577, datë 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar dhe nenit 27 të Rregullores për Procedurat Gjyqësore të Gjykatës, VENDOSI
Pezullimin e dekretit të Presidentit të Republikës së Shqipërisë nr. 350, datë 01.10.2025 “Për caktimin e datës së zgjedhjeve të pjesshme vendore për kryetar bashkie, për disa njësi të qeverisjes vendore” për pjesën që cakton datën e zgjedhjeve vendore në Bashkinë Tiranë.

Donika, vajza me violinë

Romani i ri i shkrimtarit Flamur Buçpapaj. Një histori e fuqishme e mbushur me muzikë, dashuri dhe qëndresë. Për porosi ose kontakt: 067 533 2700
Scroll to Top