Del sondazhi/ Shqiptarëve nuk u intereson më politika

“Barometri” në Euronews Albania i ka pyetur në sondazhin e të premtes qytetarët për mënyrën si ata e shohin politikën në vend në disa drejtime. Njëra nga pyetjet e Barometrit i ka vendosur 1000 të intervistuarit përballë pyetjes sa të interesuar janë për politikën në vend?

Nga përgjigjet e qytetarëve rezulton se shumica e tyre janë pak të interesuar për politikën. Janë 71% e të anketuarve që janë përgjigjur që kanë pak interes për politikën ku 29% e tyre kanë zgjedhur alternativën pak të interesuar dhe 42,4 % aspak të interesuar. Ajo që bën përshtypje në analizën e të dhënave sipas grupmoshave është fakti që më të rinjtë janë më pak të interesuarit për politikën në krahasim me grupmoshat më të rritura.

Në grupmoshat 18-34 vjeç përqindja e të interesuarve për politikën është më e ulët se ajo e grupmopshave nga 35-75 vjeçare. Vetëm 21% e 18-24-vjeçarëve janë të interesuar për politikën, ndërkohë ky interes për politikën në grupmoshën 25-34-vjeçare është në nivelin 18.6%.

Ndërsa nga grupmosha 35-44-vjeçare, 31% e tyre janë të interesuar për politikën. Nivelin më të lartë të interesit për politikën e tregon grupmosha 55-64 vjeçare, ku ky interes është në nivelin 36,2 përqind e tyre.

Niveli dhe funksionimi i demokracisë në vendin tonë është një tjetër pyetje që u është bërë qytetarëve. Në një shkallë nga 1 në dhjetë për të vlerësuar demokracinë (ku 1 nënkupton tërësisht diktaturë dhe 10 tërësisht demokraci) përqindjet më domethënëse të vlerësimit që kanë bërë qytetarët janë me vlerën 5-17,5%, vlerën 6 -15,6, me vlerën 7 e kanë vlerësuar 19,3% e të anketuarve dhe me vlerën 8,21,6% e të anketuarve.

Ndërsa vlerat më të ulëta nga 1-3 (pra tërësisht apo më shumë diktaturë) kanë përqindje të ulët të qytetarëve që i kanë zgjedhur ato (1.8%-3,3%). E njëjta gjë mund të thuhet dhe për vlerat më të larta (tërësisht demokraci) 9 dhe 10, ku sërish përqindje e ulët e qytetarëve i kanë zgjedhur ato, konkretisht (4,9% dhe 3,2%).

E analizuar sipas grupmoshave, më të rinjtë 18-24 vjeç dhe më të vjetrit 65-75 vjeç nuk tregojnë ndonjë diferencë domethënëse në vlerësimin e demokracisë në Shqipëri. Pothuaj të ndarë janë qytetarët edhe kur pyeten për nivelin e kënaqësisë lidhur me mënyrën si funksionon demokracia në Shqipëri.

43,2% e qytetarëve tregojnë se janë të kënaqur me mënyrën sesi funksionon demokracia në Shqipëri dhe 55.5% e tyre janë të pakënaqur. Niveli më i lartë i kënaqësisë me funksionimin e demokracisë në vend është tek votuesit socialistë, ku 70,3% e tyre janë të kënaqur me mënyrën si funksionon demokracia në Shqipëri, tërësisht ndryshe nga votuesit e opozitës ku vetëm 21,4% e tyre, janë të kënaqur me mënyrën si funksionon demokracia tek ne. /EuroNews Albania

 

Play Video
Romani “Doktoresha” për nga përshkrimi i Shqipërisë në diktaturë përngjan shumë me Afganistanin e Khaled Hosseinin, përmes veprës “Gjuetari i balonave”: Si Afganistani nën sundimin e talebanëve … Mund ta gjeni në te gjitha libraritë Për porosi kontaktoni në numrin: 067 53 32 700
Scroll to Top