Shtëpia e famshme e filmit ‘Home Alone’ ka dalë në shitje për një shumë marramendëse prej 5.25 milionë dollarë.
Shtëpia është rinovuar tërësisht dhe është zgjeruar në vitin 2018 dhe pronarët aktualë kanë jetuar në të për 12 vjet. Pronarët e rinj do të kenë në dispozicion pesë dhoma gjumi dhe gjashtë tualete. Përveç kësaj, shtëpia ka një kinema, si dhe një fushë sportive të brendshme.
Në momentin e xhirimeve të pjesës së parë të filmit “Home Alone”, kjo shtëpi i përkiste familjes Abendschien. Ata e zotëronin shtëpinë nga viti 1988 deri në vitin 2011, kur e shitën për 2.4 milionë dollarë. Kjo familje jetoi në shtëpi vetëm një vit e gjysmë kur e kërkoi Chris Columbus, regjisori i një prej filmave më të njohur të Krishtlindjeve.
“Ai na tha se shtëpia jonë është ideale për xhirime. Nuk e kishim idenë se filmi do të kishte një sukses të tillë,” thanë pronarët më herët.