Prej katër ditësh, situata nga zjarri në Njësinë Administrative Ulëz, në Bashkinë Mat, vijon të jetë kritike. Flakët kanë përfshirë qindra hektarë pyje me pisha, dushqe dhe bimësi të tjera, duke u përhapur në zonat e Lundres, Trodhenes dhe Madheshit.
Zjarri ka dalë jashtë kontrollit dhe po përparon me shpejtësi, ndërsa tymi i dendur dhe flakët e bëjnë të pamundur ndërhyrjen nga toka. Gjatë mbrëmjes së kaluar, për shkak të flakëve, janë evakuuar disa familje nga Madheshi. Zjarri ka rrezikuar edhe banesa dhe në stane me bagëti. Sot forca të shumta janë nisur drejt Madheshit për izolimin vatrave te zjarrit.
Në terren ndodhen punonjës të Bashkisë Mat, zjarrfikës, shërbimi pyjor dhe forca të ushtrisë, të cilët prej katër ditësh po përpiqen për izolimin e flakëve. Për shuarjen e zjarrit është përdorur edhe një helikopter, i cili prej tre ditësh punon për shuarjen e flakëve.