Alvaro Morata është emri në krye të listës së merkatos për sulmin e Milan. Kuqezinjtë kanë nisur tashmë kontaktet e para me Atletico Madrid, për të arritur te spanjolli. Një hap përpara për një lojtar me efikasitet të garantuar, që ka bërë mirë në të kaluarën në Serie A. Por për të arritur te Morata ka megjithatë një pengesë të rëndësishme për tu kapërcyer, pikërisht pagën. Për spanjollin, në fakt, Milan nuk mund të përfitojë nga Dekreti i Rritjes për të ulur kostot e pagave. Sulmuesi aktualisht fiton 6.5 milionë neto në sezon. Shumë për Milanin. Por Morata është gati të bëjë një hap drejt kuqezinjve, me një ulje të pagës së tij në 5 milionë. E kjo do të mbante ende të hapur mundësinë e një rikthimi në Itali.
Nuk ka pasur ende negociata të vërteta mes Milan dhe Atletico Madrid, por kuqezinjtë kanë shfaqur edhe një herë interes të fortë për sulmuesin. E duke u përpjekur të shfrytëzojnë dëshirën e lojtarit dhe familjes së tij për t’u kthyer në Itali dhe klauzolën e futur në rinovimin e fundit me Atletico, kuqezinjtë mund ta rikthejnë spanjollin në Serie A që në sezonin e ardhshëm. Drejtuesit e Milan ishin aktivizuar për të kuptuar nëse mund të përfitonin nga Dekreti i Rritjes, por pas hulumtimeve përgjigja ishte negative.
SHIFRAT E OPERACIONIT
Për momentin shifrat janë mes 10 dhe 12 milionë për një sulmues që përfaqëson një mundësi të madhe ekonomike. Por mbi të gjitha jep garanci teknike për repartin ofensiv të Milan. Sigurisht jo një sulmues prej njëzet golash në vit, por gjithsesi një lojtar ekspert. Morata është i fortë në luftën në ajër dhe mund të luajë disa role në repartin e avancuar. Profili i duhur për të përmbushur kërkesat pa shpenzuar shumë.