Dekretimi i datës 9 nëntor për zgjedhjet e parakohshme në Bashkinë e Tiranës ka ngjallur përsëri një debat në lidhje me procedurën ligjore të përdorur, teksa Erion Veliaj e ka kundërshtuar vendimin e shkarkimit të tij në Gjykatën Kushtetuese.
Këshilltari Ligjor i Presidencës Ilirjan Rusmali mbrojti vendimin duke u shprehur se shkarkimi nuk është bazuar në nenin 115 të Kushtetutës, por në nenin 62 të ligjit për Qeverisjen Vendore.
“Ka një fakt të thjesht që shpesh në studiot televizive anashkalohet. Shkarkimi i kryetarit të bashkisë është kryer jo në bazë të nenit 115 po në bazë të shkronjës C te nenit 62 të ligjit për vetëqeverisjes vendore. Kjo është saktësisht dispozita ligjore.
Neni 115 ka përcaktuar një shkak kushtetues për shkarkimin që është shkelja e rëndë e kushtetutës ose e ligjeve dhe është identik me shkronjën A të nenit 62. Për rastin në fjalë është vetëm pika C e nenit 62. Kanë ngatërruar rastin.
Nëse Këshilli i Ministrave me vullnetin e tij politik konsideron se pushtetit vendor ka shkelur ligjet ka të drejtë ta shkarkojë, por ka garanci duke shkuar në Gjykatën Kushtetuese ose e dyta mund të pezullohet.
Kur vjen për shkak të një procedimi penal kjo varet nga gjykatat, nuk është shkarkim politik dhe nuk shkon në hallkat si te rasti i parë.
Diskutimi i Veliajt ka lidhje me gërmën C të nenit 62. Veliaj kur u mor vendimi për shkarkimin e tij ka patur sqarim për rrugën e ankimimit. Dhe pse orientohet për një drejtim tjetër zgjodhi Gjykatën Kushtetues që të provonte forcën”, – tha Rusmali.
Ndryshe mendon konstitucionalisti Jordan Daci i cili thotë se kreu i shtetit duhet së pari të rikthente në “konflikt” kushtetues kërkesën e mazhorancës për datën e zgjedhjeve në një kohë që Erion Veliaj ka animuar vendimin e shkarkimit të tij në Gjykatën Kushtetuese.
Më tej, Daci tregoi dhe mënyrat se si mund të “goditet” dekreti i Presidentit për datën e zgjedhjeve nëpërmjet hapësirave ligjore.
“Varianti tjetër është që një nga subjektet të cilat legjitimohen per ta animuar në Gjykatën Kushtetuese, që janë partitë politike. Goditet dekreti dhe të kërkojnë masë pezullimi.
Vendimi merret brenda pak ditëve dhe po të isha unë do e bëja brenda pak orëve. Problemi është që Presidenti duhet ta rikthente në një konflikt kushtetues, pasi kishte një kërkesë të mazhorancës për zgjedhjet, minimumi ta kishte çuar për interpretim kushtetues”, – tha Daci.