Me pikëllim të thellë dhe mirënjohje të pafundme, në emër të çdo shqiptari dhe në emër të miqësisë së përjetshme midis Shqipërisë dhe Selisë së Shenjtë, përkulemi sot me respekt para figurës madhështore të Papa Françeskut.
Në këtë ditë të dhimbshme, kur bota i jep lamtumirën njërit prej shpirtrave më të ndritur të kohës sonë, ne shqiptarët e ndjejmë këtë humbje si humbjen e një miku të shtrenjtë, një mbrojtësi të së drejtës, një zëri të dashurisë dhe të shpresës në një botë të trazuar.
Papa Françesku, me përulësinë, urtësinë dhe dashurinë e tij universale, i tregoi botës se shenjtëria nuk qëndron në pushtet, por në shërbim; se madhështia e vërtetë buron nga thjeshtësia dhe dhembshuria.
Për Shqipërinë dhe për shqiptarët, Papa Françesku ishte më shumë se një udhëheqës shpirtëror – ai ishte një dorë që na përqafoi, një zë që foli për ne, një zemër që na kuptoi dhe na respektoi. Ai nderoi Shqipërinë dhe popullin shqiptar në skenën botërore, duke promovuar vlerat tona të bashkëjetesës paqësore dhe tolerancës fetare si shembull për njerëzimin.
Në këtë çast solemn, shqiptarët, kudo që ndodhen, bashkojnë zemrat dhe lutjet e tyre për shpirtin e Papa Françeskut, duke i shprehur mirënjohjen më të thellë për dashurinë dhe respektin që ai i tregoi kombit tonë.
Në këtë ditë zie, ne ngremë zërin tonë për të shpallur me krenari dhe bindje:
Rroftë Vatikani!
Rroftë Roma!
Rroftë miqësia e shenjtë midis Shqipërisë dhe Selisë së Shenjtë!
Paqe e përjetshme për shpirtin e Papa Françeskut! Kujtimi i tij do të mbetet përjetësisht i gjallë në zemrat tona, si dritë udhërrëfyese në rrugën e shpresës, dashurisë dhe paqes.