Austria mposhti 3-1 Jordaninë në ndeshjen e parë të Grupit J, të luajtur në San Francisko në kuadër të Botërorit. Kombëtarja e drejtuar nga Rangnick shënoi me Schmid (20’), autogolin e Alarab (76’) dhe Arnautovic nga pika e bardhë (90+12’). Për Jordaninë, goli i parë dhe historik në një Botëror u realizua nga Olwan (50’).
Austria vuajti më shumë sesa pritej, por arriti të marrë tre pikët në debutimin e saj në Botërorin 2026, duke mposhtur Jordaninë me rezultatin 3-1 pas një ndeshjeje të luftuar, e cila u vendos vetëm në fund. Skuadra austriake kaloi në avantazh në minutën e 21-të falë Romano Schmid, i cili finalizoi bukur një asist të Xaver Schlager. Jordania reagoi me guxim dhe që në pjesën e parë iu afrua barazimit me Ali Olwan, i cili goditi shtyllën në minutën e 22-të, ndërsa Mousa Al Tamari krijoi më shumë se një problem për mbrojtjen kundërshtare. Në pjesën e dytë erdhi barazimi i merituar i Jordanisë. Në minutën e 50-të ishte sërish Olwan protagonist, duke mposhtur portierin austriak pas asistit të Noor Al Rawabdeh për rezultatin 1-1.
Skuadra nga Lindja e Mesme fitoi besim dhe arriti të neutralizonte iniciativat e ekipit të drejtuar nga Ralf Rangnick. Episodi që ndryshoi ndeshjen erdhi në minutën e 76-të. Pas një aksioni sulmues të Austrisë, mbrojtësi jordanez Yazan Al Arab devijoi pa dashje topin në portën e tij, duke i dhuruar europianëve avantazhin e ri. Pak më vonë, një gol i Austrisë u anulua nga VAR-i, duke e mbajtur rezultatin të hapur deri në minutat e fundit. Në shtesën e gjatë, Jordania provoi sulmin final, por në minutën e 90+9 një ndërhyrje e Saleem Obaid bëri që arbitri të akordonte penallti pas rishikimit me video. Nga pika e bardhë u paraqit Marko Arnautovic, i futur në fillim të pjesës së dytë, i cili në minutën e 90+12 realizoi me qetësi penalltinë e rezultatit përfundimtar 3-1. Për Austrinë vijnë kështu tre pikë të çmuara në ndeshjen hapëse të turneut, ndërsa Jordania largohet nga fusha me keqardhjen se i bëri ballë kundërshtarëve për më shumë se 90 minuta para se të dorëzohej në kohën shtesë.