Danilo, lamtumira me një letër e Andrea Agnelli: një thumbim ndaj drejtuesve të rinj

Danilo i ka dhënë lamtumirën tifozëve të Juventusit me një letër të gjatë të publikuar në profilin e tij në Instagram, ku ka përmendur Andrea Agnellin dhe ka goditur ashpër drejtuesit e rinj të klubit. Me këto fjalë, futbollisti brazilian ka paralajmëruar zyrtarisht largimin e tij nga klubi:

“Të dashur bardhezinj, as nuk di nga t’ia filloj. E dija që ky moment do të vinte një ditë, por nuk je kurrë gati për lamtumira. Kanë kaluar pesë vjet e gjysmë, por për mua duket sikur kam kaluar një jetë të tërë. Nuk është kurrë e lehtë të ndahesh nga një dashuri dhe një vend që më ka dhënë kaq shumë, nga një fanellë që më ka dhuruar emocione të mëdha, nga një klub dhe një histori që më ka rikthyer vlera që më kanë shoqëruar gjatë gjithë karrierës sime dhe që i kam mësuar nga prindërit e mi.”

Ish-kapiteni bardhezi u la jashtë skuadrës pasi ishte nxjerrë jashtë planeve që në verën e kaluar. Në atë kohë, merkatoja nuk i siguroi atij një zgjidhje të përshtatshme, edhe pse kontrata e tij skadonte më 30 qershor të këtij viti. Megjithatë, pas disa muajsh u vendos ndërprerja e bashkëpunimit me “Zonjën e Vjetër”. Marrëdhënia e tij me trajnerin Thiago Motta nuk u konsolidua kurrë, pavarësisht se u aktivizua në disa situata emergjente. Napoli ishte favorit për ta marrë në skuadër, por Danilo pritet të kthehet në Brazil dhe, me shumë mundësi, të veshë fanellën e Flamengos.

Letra thumbuese e brazilianit Danilo
“Kur mbërrita, mësova nga njerëz të mëdhenj brenda dhomave të zhveshjes dhe në Juventus, duke u bërë edhe vetë një mësues dhe mbrojtës i këtyre vlerave, me thonj e dhëmbë, sikur të ishin një pjesë e imja, ashtu si mësimet që u kaloj fëmijëve të mi, të cilët e bënë Torinon shtëpinë e tyre dhe u bënë tifozë të mëdhenj të këtyre ngjyrave. Ndoshta është pikërisht për respektin dhe luftën për këto vlera që nuk mund të jem më pjesë e këtij projekti. Ajo që më bën krenar është fakti që kurrë nuk e kam ndryshuar mënyrën time të të qenit dhe të mbrojtjes së këtij klubi, më të rëndësishmit në historinë time. Ndjej që çdo person në botën e Juventusit është një pjesë e familjes sime – çdo punonjës, çdo shok skuadre, çdo njeri që vesh këtë fanellë me krenari, pa menduar vetëm për numrat, me ndershmëri dhe mbi të gjitha duke e përballuar çdo sfidë të Juventusit si një sfidë personale. Një zgjedhje jete.”

Ish-presidenti Andrea Agnelli dhe kritika ndaj projektit të ri
“Tifozëve tanë u kërkoj falje për momentet kur mund t’i kem zhgënjyer. Kurrë për mungesë përkushtimi, angazhimi apo pune. Ju falënderoj nga zemra për mënyrën si më keni pritur dhe respektuar, dhe për lidhjen që kemi krijuar gjatë këtij rrugëtimi, ku gjithmonë jam ndier përfaqësuesi juaj në fushë. Sa herë që dëgjoja himnin tuaj në Stadium, emocionohesha dhe ndihesha i motivuar, e këto emocione nuk mund të blihen me asnjë ‘projekt’ imagjinar. Për ta përmbyllur, është e drejtë të citoj një shprehje që një zotëri i quajtur Andrea Agnelli ka thënë një herë: ‘Vetëdija jonë do të jetë sfida e tyre: të jenë në lartësinë e historisë së Juventusit. Kujtohuni, do ta njohim njëri-tjetrin kudo në botë, vetëm me një shikim. Ne jemi njerëzit e Juventusit!’ Faleminderit për gjithçka, një përqafim nga kapiteni, mirupafshim!”

Statistikat dhe trofetë e Danilo te Juventus
Danilo, i cili u transferua te Juventusi në vitin 2019 nga Manchester City në shkëmbim me João Cancelo, largohet nga klubi bardhezi pas 213 ndeshjeve dhe 9 golave. Gjatë qëndrimit të tij, ai fitoi një titull të Serie A, dy Kupa të Italisë dhe një Superkupë të Italisë.

Romani “Doktoresha” për nga përshkrimi i Shqipërisë në diktaturë përngjan shumë me Afganistanin e Khaled Hosseinin, përmes veprës “Gjuetari i balonave”: Si Afganistani nën sundimin e talebanëve … Mund ta gjeni në te gjitha libraritë Për porosi kontaktoni në numrin: 067 53 32 700
Scroll to Top