Aktori i njohur Daniel Craig ka rrëfyer se largimi nga roli ikonik i James Bond katër vite më parë i ka dhënë liri të re në karrierë dhe e ka bërë ta shijojë aktrimin më shumë se kurrë.
“Besoj se kam filluar të çlirohem nga çdo konvencion,” tha aktori 57-vjeçar në një intervistë për Radio Times. “Nuk po u them më ‘jo’ projekteve për të cilat më parë do të kisha hezituar.”
Craig, i cili u bë fytyra e 007 me “Casino Royale” në vitin 2006 dhe e mbajti rolin për 15 vite, pranoi se balancimi mes Bond-it dhe roleve të tjera shpesh e bënte të ndihej i vetëdijshëm dhe i kufizuar.
“Kur Bond ishte pjesë e jetës sime, kalimi nga ai rol në një tjetër më dukej i çuditshëm. Tani jam më i lirë,” tha aktori. “Po punoj më shumë se sa kam punuar ndonjëherë, por po e shijoj shumë më tepër. Po bëj role të ndryshme e jashtëzakonisht interesante.”
Craig ka folur më herët për presionin që i vinte nga roli i famshëm.
“Në fillim mendoja se duhej të bëja projekte të tjera, por ato më linin bosh. Thjesht më paguanin,” tregoi ai për The Sunday Times.
Ai shtoi se çdo film i Bond-it e linte emocionalisht të rraskapitur: “Më duheshin gjashtë muaj të rikuperohesha emocionalisht pas çdo filmi.”
Pas marrjes së kontrollit të serisë nga Amazon, Craig u shpreh se ka ende respekt të madh për producentët Barbara Broccoli dhe Michael G. Wilson.
“Respekti dhe dashuria ime për ta mbetet e pandryshuar,” tha aktori, duke u uruar suksese në projektet e ardhshme.
Edhe pse detajet për filmin e radhës mbeten të pakta, regjisori Denis Villeneuve pritet ta drejtojë projektin. Sipas burimeve të brendshme, ai po kërkon një aktor britanik të ri, të panjohur dhe në moshën 20–30 vjeç për të marrë rolin e 007.