Bylis ka marrë një fitore shumë të rëndësishme në garën për mbijetesë, duke mposhtur minimalisht Vllazninë me rezultatin 1-0, në sfidën e javës së 33-të të Superiores. Skuadra ballshiote ka shfrytëzuar në maksimum epërsinë numerike pas përjashtimit me karton të kuq të Bajramit, duke gjetur rrjetën vendimtare në fillimin e pjesës së dytë me brazilianin Da Silva, që ndëshkoi ish-ekipin e tij.
Bajrami tradhëton Brdaric
Vllaznia e nisi ndeshjen në kërkim të kontrollit të lojës, por rastin më të mirë në minutat e para e kishte Bylis. Në të 8′, Berko shpërdoroi një mundësi të artë pas një asisti perfekt nga Abazaj, duke dërguar topin jashtë kuadratit. Moment kyç i sfidës erdhi në minutën e 23′, kur Bajrami la shkodranët me 10 lojtarë. Edhe pse fillimisht faulli ishte në favor të Vllaznisë, një përplasje pas ndërhyrjes çoi në ndëshkimin me karton të kuq për mesfushorin shkodran, ndërsa Berko u ndëshkua me të verdhë. Në fundin e pjesës së parë, Bylis humbi edhe një rast tjetër të artë me Peraltën, por portieri Jukaj reagoi në mënyrë vendimtare duke mbajtur në lojë miqtë.
Episodi i kartonit të kuq ka qenë vendimtar në rezultatin e ndeshjes, sipas teknikut të kuqebluve Thomas Brdaric, që ka sulmuar arbitrin për vendimin e marrë: “Patëm qarkullim topi derisa morëm kartonin e kuq. Ne luajtëm edhe kundër erës dhe disa ekzekutime nuk ishin të sakta. Një situatë ndryshoi gjithë lojën. Dëgjova se nuk ishte karton i kuq, nuk e di pse erdhi ai vendim. Ndryshoi gjithçka. Por nuk duhet të pësojmë kështu golash.
Vendosi Da Silva
Fillimi i pjesës së dytë ishte perfekt për ballshiotët. Vetëm dy minuta pas rifillimit, Da Silva mori një top në zonë dhe me një goditje të saktë e të bukur kaloi vendasit në avantazh, duke mos e festuar golin për respekt ndaj ish-skuadrës së tij. Me gjithë inferioritetin numerik, Vllaznia kërkoi me insistim golin e barazimit. Në minutën e 74′, Batista u shfaq vendimtar duke pritur goditjen e rrezikshme të Deliut. Edhe në minutën e fundit, Delaj pati një tjetër mundësi për shkodranët, por sërish ishte portieri i Bylis që ruajti rrjetën të paprekur.
Në fund, një fitore me shumë peshë për Bylisin që largohet nga zona e ftohtë dhe rifiton moralin, ndërsa Vllaznia mbetet në vendin e tretë, duke humbur terren në luftën për zonën europiane. I lumtur Gentian Mezani, tekniku i ballshiotëve, që qendron në zonëm e shpëtimit 3 javë nga fundi: “Sigurisht që ka pasur efektin e vet kartoni i kuq i Vllaznisë dhe padiskutim që ishim më të favorizuar. Nuk po arrinim dot të organizoheshim mirë dhe të dilnim në sulm ashtu siç duhej, kishim paqartësi. Në pjesën e dytë na ndihmoi goli që erdhi shpejt dhe më pas menduam që t’i kapnim në kundërsulme”.