Antonio Conte zgjodhi të mos flasë pas fitores ndaj Fiorentinës, pasi mësoi lajmin e hidhur për ndarjen nga jeta të vogëlushit Daniele, një tifoz i ri i Napolit që vuante prej kohësh nga një sëmundje e rëndë. Lajmi erdhi këtë pasdite. Në dhjetor, Anguissa i kishte dedikuar një gol. Në vend të tij, foli zëvendësi Stellini:
“Jemi shumë të lumtur për fitoren, por kemi marrë një goditje të rëndë. Humbëm një person shumë të dashur, një fëmijë që na la këtë pasdite. Ai ishte i sëmurë dhe ne u përpoqëm t’i dhuronim momente gëzimi, ndërsa ai na dhuroi forcë dhe energji të madhe. Trajneri nuk ndjeu të ishte i pranishëm, mendimet tona shkojnë për të gjithë fëmijët që vuajnë nga sëmundje të rënda prej të cilave nuk ka shpëtim. Një përshëndetje për vogëlushin Daniele.”
“Djemtë tanë po punojnë shumë fort dhe shumë mirë. Jemi krenarë për atë që po bëjmë. Kemi bërë 44 pikë në 19 ndeshje – komplimente për djemtë që po rriten nga ndeshja në ndeshje,” shtoi Stellini për DAZN. “Fitore shumë e rëndësishme, luanim në një fushë të vështirë dhe kishim disa mungesa. Kjo fitore na jep shumë energji, por rruga është e gjatë dhe pjekurinë duhet ta tregojmë në fushë. Ka ende shumë për të punuar,” tha ai në konferencën për shtyp.
“Si skuadër, duam t’i dërgojmë një përqafim të madh familjes së të voglit Daniele. Sot ai do të na shohë nga lart. Do të na mungojë shumë; na ka dhënë shumë mësime,” deklaroi në sallën e shtypit Leonardo Spinazzola.