Antonio Conte mori një vit pushim pas përvojës së tij te Tottenham, duke refuzuar interesimin e Napolit për ta zëvendësuar pak javë më parë teknikun Rudi Garcia. Por verën e ardhshme tekniku është gati të kthehet në pankinë me dëshirën e tij të zakonshme për të fituar. E pa dyshim salentini do të jetë një nga trajnerët më të kërkuar, profili ideal për t’i besuar një projekt të ri fitues. Futbolli i tij ndoshta nuk emocionon shumë, por nuk ka dyshim se ai është fitues dhe për të flasin shifrat.
Për Conte nuk do të mungojnë alternativat, duke qenë se disa klube të mëdha evropiane do të ndryshojnë drejtimin teknik. Në Itali, dyert e Juventus, Milan, Roma dhe sërish Napolit mund të hapen gjerësisht për Conte. Ka edhe disa mundësi në Evropë. Pankina më e lakmuar është ajo e Real Madrid, që do të mbetet bosh nga Carlo Ancelotti. Në Premier League duket e vulosur e ardhmja e Erik Ten Hag te Manchester United.
Lexo më tej: Iku qejfprishur nga Torino, Conte: “Lamtumira nga Juventus është gjëja për të cilën pendohem më shumë”
Edhe në Bundesligë pankina e Thomas Tuchel te Bayern nuk shfaqet edhe aq solide, i tronditur pas eliminimit të bujshëm nga Kupa e Gjermanisë. Pa harruar PSG: Luis Enrique ka kontratë deri në vitin 2025. Por pa fitoren e Champions League dhe me lamtumirën e mundshme të Kylian Mbappe nën Kullën Eiffel, një tjetër revolucion teknik mund të ndodhë.