Një fundjavë e mbushur me dhunë u regjistrua në futbollin e moshave në Francë, gjatë një ndeshjeje të kampionatit U-20 mes Dammarie-les-Lys dhe Meaux. Gjatë pushimit të ndeshjes, një grup tifozësh të armatosur deri në dhëmbë bëri një sulm të papritur në dhomat e zhveshjes të ekipit mik: “Dukej sikur donin të na vrisnin”, kanë rrëfyer dëshmitarët. Në panik të plotë, disa lojtarë u hodhën në lumin Senë për të shpëtuar, edhe pse nuk dinin të notonin. Një prej tyre u godit me thikë dhe ndodhet në gjendje kritike në spital.
Presidenti i Meaux: “Shkopinj, thika, shufra metalike. Sikur donin të na vrisnin”
“Ka qenë një situatë kaotike. Një grup individësh të paidentifikuar, pa asnjë paralajmërim, erdhi me shkopinj dhe shufra bejsbolli. Ata hynë me forcë në dhomat e zhveshjes, duke shkatërruar derën për të sulmuar lojtarët e Meaux. Gjithçka përfundoi në një përleshje masive, një djalë u godit me thikë… dukej sikur donin të na vrisnin.” Këto janë fjalët e forta të Jean-Luc Larret, president i klubit Meaux, pas skenave tronditëse që ndodhën të dielën më 9 shkurt në një fushë periferike të Francës. “Lojtarët janë ende në gjendje shoku.”
Tifozë të armatosur futen në dhomat e zhveshjes në pushim
Çfarë ndodhi saktësisht në një ndeshje të zakonshme të kampionatit francez të kategorisë U-20? Ndërsa pjesa e parë mes Dammarie-les-Lys dhe Meaux u zhvillua pa asnjë incident, dhuna shpërtheu gjatë pushimit. Një grup tifozësh të ekipit vendas u futën me forcë në ambientet e brendshme të stadiumit, duke thyer derën e dhomave të zhveshjes së ekipit kundërshtar. Pas kësaj, nisi kaosi total.
Dy lojtarë hidhen në Senë për t’u shpëtuar sulmuesve
Të armatosur me shufra, thika dhe shkopinj bejsbolli, sulmuesit filluan të rrihnin lojtarët, të cilët u përpoqën të mbroheshin si mundën. Situata u përshkrua si një skenë terrori, me disa futbollistë që në panik e sipër u hodhën në lumin Senë për të shpëtuar, edhe pse nuk dinin të notonin. Ata u nxorën nga uji pak më vonë nga forcat e rendit.
Un jeune homme a été grièvement blessé à l'arme blanche dimanche après-midi lors d'un match de foot amateur. Des supporters de Dammarie-les-Lys auraient agressé les joueurs de Meaux à la mi-temps #ApollineMatin pic.twitter.com/h5jtrSQZIY
— RMC (@RMCInfo) February 10, 2025
Një lojtar në gjendje kritike në spital: “Akte dhune të papërshkrueshme”
Pas përleshjes, një lojtar mbeti i plagosur rëndë pasi u godit me thikë. Ai u transportua me helikopter në spitalin Pitié-Salpêtrière në Paris dhe ndodhet në repartin e reanimacionit në gjendje të rëndë. Ndërkohë, shumë të tjerë morën ndihmë mjekësore në vendngjarje, ku ndërhyri menjëherë xhandarmëria, e thirrur nga dëshmitarët e pranishëm.
Federata Franceze e Futbollit e dënoi menjëherë ngjarjen, duke e quajtur atë një “akt dhune të papërshkrueshëm”, ndërsa klubi vendas, Dammarie-les-Lys, nuk ka bërë ende asnjë deklaratë mbi episodin, i cili tashmë është nën hetim nga policia.