Botërori më i madh i të gjitha kohërave. 48 kombëtare në fushë, tre vende organizatore të ndryshme (Kanadaja, Meksika dhe Shtetet e Bashkuara). Por ai i vitit 2026 do të jetë edhe Botërori më i shtrenjtë i historisë. Do të duhet të shpenzohen shumë para për të ndjekur ndeshjet që do të zhvillohen nga 11 qershori deri më 19 korrik.
Kostot për finalen janë marramendëse, por edhe më të larta janë ato të ndeshjes hapëse mes Meksikës dhe Afrikës së Jugut, e programuar për të enjten, më 11 qershor, veçanërisht në tregun sekondar, atë që operon nën mbikëqyrjen e vetë FIFA-s.
Biletat e Botërorit kalojnë 1000 euro që në fazën e grupeve
Kostot e biletave për Botërorin 2026 kanë shkaktuar polemika të mëdha. Arsyeja është se ato janë ndër më të lartat ndonjëherë për një Kupë Bote. FIFA, duhet thënë menjëherë, përdor një sistem çmimesh dinamike, që ndryshojnë sipas kërkesës dhe varen gjithashtu nga ndeshja. Biletat e fazës së grupeve kushtojnë më pak se ato të fazës me eliminim direkt, me përjashtim të ndeshjes hapëse.
Në fakt, për disa ndeshje të fazës së grupeve kishte bileta me çmim 60 dollarë, por me disponueshmëri shumë të kufizuar. Pothuajse të gjitha biletat e mbetura kalojnë të paktën 300 dollarë (260 euro) për fazën e grupeve dhe 1000 dollarë (gati 900 euro) për ndeshjet e kombëtareve më të mëdha.
FIFA ka rritur mesatarisht çmimin e biletave me 34 për qind
Rritja është shumë e madhe edhe krahasuar me Botërorin e Katarit, të zhvilluar katër vite më parë. Polemikat janë shtuar sepse FIFA, pasi nisi shitjen e biletave, prezantoi kategoritë premium dhe rriti çmimet mesatare me 34% në më shumë se 90 ndeshje. Prokurori i Përgjithshëm i Nju Jorkut ka hapur një hetim për çmime të fryra artificialisht dhe praktika të padrejta. Tifozë nga Europa dhe Amerika e Jugut kanë protestuar me forcë për këto çmime, të cilat e bëjnë eventin të përballueshëm vetëm për të pasurit.
Algoritmi që përdor FIFA për biletat e Botërorit
Pra, nuk ka lista fikse çmimesh për biletat, por tarifa të përcaktuara nga algoritmi i kërkesës dhe ofertës, një model që ekziston tashmë për koncertet, por që në futboll është zbatuar në mënyrë mjaft ekstreme. Sa më e madhe të jetë dëshira për të ndjekur drejtpërdrejt një ndeshje të caktuar, aq më shumë rritet çmimi.
Për Meksikë-Afrikë e Jugut, që do të hapë Botërorin, bileta më e shtrenjtë ka arritur çmimin rekord prej 14 mijë dollarësh. Bileta standarde (kategoria 3) kushton më shumë se 2000 dollarë. Natyrisht, çmimet për finalen do të jenë të rezervuara vetëm për pak njerëz, pasi kufiri prej 17.500 dollarësh është tejkaluar tashmë, që në euro përkthehet në rreth 15.500 euro.
Si të blihen biletat e Botërorit 2026
Pavarësisht çmimeve shumë të larta, duket se disponueshmëria e mbetur tashmë ka arritur nivele minimale historike. Për t’i blerë në fazën e parashitjes kishte edhe lotari zyrtare, përfshirë parashitjen Visa, Early Ticket Draw dhe shortin pas hedhjes së grupeve, por të gjitha këto tashmë kanë përfunduar. Janë regjistruar 500 milionë kërkesa. Që prej 1 prillit nuk ka më lotari, por shitje të minutës së fundit, ku biletat shpërndahen sipas rendit të kërkesave dhe konfirmohen menjëherë.
Tregu zyrtar i rishitjes së biletave të Botërorit
Është aktiv gjithashtu edhe tregu zyrtar i rishitjes së FIFA-s, kanali i autorizuar për blerjen dhe shitjen e biletave. Për të blerë bileta në portalin e FIFA-s është i nevojshëm një ID i regjistruar. Për ata që kërkojnë bileta për ndeshje të shitura plotësisht, ekzistojnë platformat e rishitjes. Tregu FIFA për rishitje dhe shkëmbim është e vetmja platformë zyrtare për transferimin e biletave mes tifozëve.
FIFA Resale Marketplace është kanali zyrtar për shkëmbime të sigurta dhe është hapur më 2 prill – faqja është e aksesueshme për banorët e SHBA-së, Kanadasë dhe përdoruesit ndërkombëtarë, por jo për banorët e Meksikës, të cilët kanë një platformë tjetër. Dhe pikërisht këtu biletat po arrijnë shifra të çmendura.
Kërkesa është shumë e lartë dhe oferta e kufizuar. Duhen të paktën 2000 dollarë (rreth 1700 euro) për të blerë një biletë. Në platformat e tjera si StubHub, SeatGeek dhe Ticketmaster, biletat janë gjithashtu në shitje dhe çmimet janë edhe më të larta. Megjithatë, në këto raste duhet verifikuar që shitësi të përdorë funksionin zyrtar të transferimit të FIFA-s për kalimin e biletës te një person tjetër.
Kostot e ekzagjeruara të suitave private për të parë Botërorin
Për disa ndeshje, suitat private tashmë janë shitur plotësisht. Për disa të tjera ekziston ende mundësia për të investuar para. Suitat luksoze për ndeshje si Haiti-Skoci, Panama-Angli dhe Francë-Senegal janë ende në dispozicion. Natyrisht bëhet fjalë për shifra marramendëse. Për Haiti-Skoci duhen 129 mijë dollarë, që me kursin e këmbimit janë rreth 112 mijë euro. Sigurisht, kjo shumë nuk është për person. Në këtë rast përfshihen 24 bileta. Edhe duke bërë llogaritë, mbetet një shumë shumë e lartë.
Në këmbim përjetohet një eksperiencë unike premium, me shampanjë në mbërritje, kuzhinë të nivelit shumë të lartë, kokteje, banjë private, sallon të klimatizuar, televizor, dhurata përkujtimore, parkim VIP dhe mundësinë për të parë nga afër dhe në mënyrë ekskluzive ndeshjet e Botërorit 2026.
Kostoja e biletave për Kupën e Botës 2026
Faza e grupeve:
1.038 euro (Kategoria 1)
778 euro (Kategoria 2)
259 euro (Kategoria 3)
Faza e grupeve – skuadrat organizatore:
2.374 euro (Kategoria 1)
1.678 euro (Kategoria 2)
968 euro (Kategoria 3)
1/8-at e finales:
865 euro (Kategoria 1)
650 euro (Kategoria 2)
345 euro (Kategoria 3)
Çerekfinalet:
1.535 euro (Kategoria 1)
1.038 euro (Kategoria 2)
432 euro (Kategoria 3)
Gjysmëfinalet:
2.850 euro (Kategoria 1)
1.989 euro (Kategoria 2)
865 euro (Kategoria 3)
Finalja për vendin e tretë:
865 euro (Kategoria 1)
519 euro (Kategoria 2)
302 euro (Kategoria 3)
Finalja:
15.500 euro (Kategoria 1)
6.500 euro (Kategoria 2)
5.000 euro (Kategoria 3)