Vera është mbretëria e merkatos së futbollit. Tifozët ëndërrojnë, lajme ka çdo ditë me shumicë. Çdo klub përpiqet të përforcohet. Skuadrat e nivelit të lartë kanë më shumë mundësi të shpenzojnë. Klubet angleze janë historikisht më të pasurat, bashkë me Real Madrid. Vetëm se askush nuk është si Chelsea. Por ndër shoqëritë që kanë shpenzuar më shumë në histori është edhe Juventus, që zë vendin e tretë mes klubeve më shpenzuese ndonjëherë. Italia ka edhe Inter në dhjetëshen e parë dhe Milan e Roma në 15 më të mirët.
Chelsea përpara Manchester City
Chelsea është skuadra që ka shpenzuar më shumë se të gjitha në historinë e merkatos së futbollit. Mjafton të mendosh për epokën e Abramovich-it, por edhe për këtë aktualen me presidentin amerikan Todd Boehly. “Blutë” kanë shpenzuar mbi 4 miliardë euro, përkatësisht 4,18 miliardë. Lojtari më i kushtueshëm ndonjëherë për londinezët është Enzo Fernandez, i paguar 121 milionë euro (lojtari i tetë më i shtrenjtë në histori). Pas tij vjen Manchester City, që në njëzet vitet e fundit nuk ka kursyer me asnjë trajner, as me Mancinin, as me pasardhësit e tij Pellegrini e sidomos me Pep Guardiolën. City ka shpenzuar 3,23 miliardë euro.
Juventus i treti, pastaj United e Real
Në vend të tretë është Juventusi, që duke konsideruar gjithë historinë e tij të gjatë dhe të suksesshme, ka investuar në merkato 3,18 miliardë euro. Një shifër mbresëlënëse. Blerja më e kushtueshme ndonjëherë për bardhezinjtë është Cristiano Ronaldo (117 milionë), i ndjekur nga Higuain (90), de Ligt (85), Vlahovic (83) dhe Arthur (80). Më pas vijnë Manchester United (3,02 miliardë) dhe Real Madrid (2,90), që zënë përkatësisht vendin e katërt dhe të pestë mes klubeve më shpenzuese ndonjëherë në merkato.
Barcelona e PSG përpara Inter
Dhjetëshja e parë, sipas të dhënave të Transfermarkt, vazhdon me vendin e gjashtë të Barcelonës (2,81 miliardë) dhe vendin e shtatë të Paris Saint-Germain (2,61), që në pesëmbëdhjetë vitet e fundit është kthyer në një nga klubet më të pasura të Europës e rrjedhimisht të botës. Parisi, ashtu si Chelsea dhe Manchester City, ka përfituar nga pronarë të rinj që nuk kanë kursyer. Francezët në vitin 2017 blenë Mbappé dhe Neymar për një total prej 402 milionë euro. Blerja e fundit e madhe ishte Kvaratskhelia, i paguar 75 milionë euro.
Në vend të tetë ndodhet Inter, klubi i dytë italian (2,60 miliardë). Dhjetëshja mbyllet nga Liverpool (2,51), që vetëm këtë merkato vere ka shpenzuar mbi 300 milionë euro! Kampionët e Premier League kanë blerë francezin Ekitike dhe Florian Wirtz. Në vend të dhjetë është Tottenhami (2,33 miliardë).
Arsenal, Milan, e Bayern në top 15
Pozicionet nga i njëmbëdhjeti deri në të njëzetin i përkasin Arsenalit (2,27), Milanit (2,24), që është në vend të dymbëdhjetë; shpenzimet e kohës kur Berlusconi ishte president kanë qenë të mëdha, duke parë yjet që janë blerë në atë tre dekada, Atletico Madrid, Roma (në vend të katërmbëdhjetë me 1,95 miliardë), Bayern Munchen dhe Napoli (në vend të gjashtëmbëdhjetë me 1,62 miliardë). Më pas vijnë Newcastle, West Ham, Aston Villa dhe Monaco.
Klasifikimi i skuadrave që kanë shpenzuar më shumë në historinë e merkatos së futbollit:
Chelsea – 4,18 miliardë
Manchester City – 3,23 miliardë
Juventus – 3,18 miliardë
Manchester United – 3,02 miliardë
Real Madrid – 2,90 miliardë
Barcelona – 2,81 miliardë
PSG – 2,61 miliardë
Inter – 2,60 miliardë
Liverpool – 2,51 miliardë
Tottenham – 2,33 miliardë
Arsenal – 2,27 miliardë
Milan – 2,24 miliardë
Atletico Madrid – 2,09 miliardë
Roma – 1,95 miliardë
Bayern Munchen – 1,73 miliardë